Kryeministri Rama del nga spitali një ditë pas operimit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka dalë nga spitali, një ditë pas operacionit për “hernie inguinale” në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Mediat e Shqipërisë kanë njoftuar se Rama ka dalë nga spitali jashtë vëmendjes së kamerave dhe është kthyer në banesë.
Ndërhyrja kirurgjikale të cilës ai iu nënshtrua ka zgjatur dy orë dhe sipas mjekëve gjithçka ka shkuar mirë.
Operacioni iu besua pesë mjekëve, të njëjtët të cilët kryen edhe operacionin në muajin prill, kur kreu i qeverisë shqiptare hoqi apendesitin.