Kryeministri dhe Kryetrimi Haradinaj në kërkim të ‘qenefëve’ të tjerë
Haradinaj e matë peshën e vet politike me titujt e lajmeve në mbrëmje. Se si duket Haradinaj në titujt e lajmeve jashtë Kosovës, duket sikur s’i bëhet fare vonë. Kjo është tipike për politikanët e dështuar në diplomaci. Ai duket sikur nuk ka qejf ta shohim si Kryeministër të Kosovës, por si Kryetrim të Kosovës. Kryeministri, do të ishte mirë, që nëse jo taksën, nervozën ta pezullonte për disa ditë…
Kur Haradinaj vrapoi në sallën e vogël të Kuvendit të Kosovës ditën e 17 shkurtit dhe u ndal para deputetëve të partisë së tij për ta zbrazur mllefin ndaj dikujt me fjalët ‘ma qenef mashkull…’, të gjithë mendonin se këtë po ia qet kryeparlamentarit Kadri Veseli, që në fjalën e tij atë ditë në Kuvend, foli shumë pak për Pavarësinë. Më shumë foli për Ramush Haradinajn, megjithëse, pa e përmendur me emër.
Me të drejtë, mediat pas kësaj shprehjeje e pyesin se për kë e kishte fjalën, megjithëse, paraprakisht të gjithë aludonin në partnerin e tij të koalicionit, Kadri Veselin. Por kur e pyetën kryeministrin se për kë e kishte fjalën, pak-a-shumë tha se ‘nuk e kishte për dikë specifikisht por ishte paksa nervoz këto ditë’. Imagjinojeni, sikur ju në vendin e punës, të nervozoheshit ca ditë dhe secilit bashkëpunëtori që iu del para sysh, t’i drejtoheshit me shprehjen e kryeministrit: je një qenef. Se Haradinaj ka fjalor të pamatur e herë-herë pritimiv, kjo nuk është diçka e re. Kur ia kishte përplasur hartën në fytyrë Murat Mehës, e kishte quajtur ‘pederr’. Kur s’i kishte pëlqyer pyetja e një gazetari, aludonte se ai nuk e kuptonte anglishten mirë dhe i rekomandonte ‘të lexonte pak më shumë dhe të shkonte në kurs’.
Nervozës së kryeministrit, po i rritet intensiteti dita-ditës, që prej kur i është kërkuar ta pezullojë taksën ndaj Serbisë, kërkesë më e shprehur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke e paraqitur veten në njërën anë, si shpëtimtari i Kosovës (edhe të pasluftës, se të luftës – dihet) Haradinaj ka ngulur këmbë në qëndrimin e tij, duke treguar kështu, veç tjerash, se të gjithë ata që i ka rrethit dhe vetë ai, po e shfrytëzojnë një moment të mirë që nëse shkohet në zgjedhje do t’i sjell boll vota. Këtë e ka deklaruar gojarisht edhe vetë kryeministri, ka thënë se ‘natyrisht që para se gjithash’ taksën e mban për te fituar vota. Në politikën e brendshme, e cila veç tjerash matet edhe me titujt e lajmeve në mbrëmje, pra sa herë përmendesh në lajme si ‘stari që po e mbron dhe punon për vendin’, natyrisht, sot Kryeministri Haradinaj është Kryetrimi jonë. Kujtojmë kur dikush përmend kufijtë, aty ndërhynë Haradinaj me sinonimin ‘çizme’. Kur dikush përmend ‘taksën’, ia beh Haradinaj me fjalën ‘njohje’.
Por, nervoza e kryeministrit, dirëve të fundit, po merr përmasa të reja. Përveç goditjeve që ua dha së fundmi të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, të cilët në koalicione parazgjedhore ia falën (kuptohet për kalkulime të vetat) pozitën e kryeministrit, ai tash po hap horizonte të reja armiqësh. Duke e parë si konspiracion përkeqësimin e marrëdhënieve me Amerikën, Haradinaj tani është në kërkim të fajtorëve. Edhe pse fajtori është vetë ai.
Sepse ShBA’të nuk janë duke ardhë në shtëpitë tona, redaksitë e vendeve tjera të punës, por adresë për ta kërkuar pezullimin e taksës është Qeveria e Kosovës, të cilën e udhëheq Haradinaj.
Së fundmi, ai nxori një goditje tejet të ulët për ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, duke thënë se ajo ‘është ambasadore e Hashim Thaçit në Ëashington’. Një zot e di, pse kryeministri nuk i përmendi ambasadoret tjerë nëpër vendet e BE’së, e cila gjithashtu ka kërkuar pezullimin e taksës. S’do të doja të hyja klisheve se ‘Çitaku është penicilin për Daçiqin’ e kështu, por se fjalimet e Çitakut në seancat e Këshillit të Sigurimit, nuk është se nuk e kane ndryshuar fotografinë e krijuar nga mashkujt që na përfaqesonin dikur atje. Po e them qëllimisht: ‘mashkujt’, sepse këtë fjalë e ka shumë për qejf Kryetrimi Haradinaj.
Mesazhi që jep kryeministri me këto goditje të ulëta është tejet i keq. Imagjinojeni se si, nëse e godet me sulm tejet seksist një ambasadore, natyrshëm lind pyetja: çka më bën mua nëse guxoj të mos pajtohem me Kryeministrin? Kushedi çfarë sulmi verbal mund ta shpikë kryeministri…
Por njëmend, kryeministri nuk mund t’i shohë fajtorë të gjithë njerëzit rreth tij dhe s’mund të kërkojë ‘qenefë’ të tjerë. Ata që i rrinë afër, duhet t’ia tregojnë gjënë më të thjeshtë në botë, që njerëzit kanë dinjitet dhe s’mund t’i godasësh sa herë të teket, mu n’të. Sepse mund të jesh Kryeministër e edhe Kryetrimi, por kjo s’ta jep të drejtën më të vogël në botë të veprohet kështu.
Kryeministri do të ishte mirë, nëse jo taksën, ta pezullonte nervozën që po e shprehë ditëve të fundit, gjithandej.