Kryemadhi kërkoi heqjen e sekuestrimit për vilën, Gjykata e Lartë merr vendimin

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e deputetes Monika Kryemadhi, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm që konfirmon sekuestrimin e një prej vilave të familjes së saj në Tiranë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të heqë sekuestron mbi njërën prej vilave të familjes Kryemadhi në zonën e “Kodrës së Diellit”, duke ia kthyer pronësinë nënës së saj, Fatime Kryemadhi, transmeton Periskopi.
Megjithatë, vila vijon të mbetet e sekuestruar, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që refuzoi ankimin e bërë nga Kryemadhi.
Në shkallën e parë, SPAK kishte kërkuar sekuestrimin e të dyja pronave, por Gjykata e Apelit vendosi të lirojë një prej tyre nga masa parandaluese. Me vendimin e fundit, sekuestrimi i njërës prej vilave mbetet në fuqi, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut në pjesën e mbetur të kërkesës së tij.
Monika Kryemadhi, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për disa akuza, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e të ardhurave.
Akuzat lidhen me shpenzimet e padeklaruara nga LSI për lobim në Shtetet e Bashkuara. Këto shpenzime nuk janë raportuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve siç kërkohet me ligj.
Gjithashtu, hetimet përfshijnë shpenzimet personale të padeklaruara për trajtime estetike jashtë vendit. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi pranoi se ka kryer trajtime të tipit botoks, por mohoi të ketë bërë ndërhyrje kirurgjikale estetike.