Kryediplomati shqiptar mesazh Kurtit për Urën e Ibrit: Çdo punë e mirë bëhet duke diskutuar me ata që e duan shumë Kosovën
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka folur për çështjen e Urës së Ibrit, tha se vëllezërit dhe motrat në Prishtinë duhet të diskutojnë para çdo hapi me ata që i duan shumë, shkruan Gazeta Metro.
Kryediplomati shqiptar është pyetur nga gazetarët nëse ka pasur komunikim me qeverinë në Prishtinë lidhur me çështjen e hapjes së urës së Ibrit, nuk u përgjigj direkt në pyetje, por la të nënkuptohet që nuk ka pasur një konsultim të tillë.
Hasani tha se asnjë hap nuk duhet të ndërmerret pa konsultime dhe negociata me aleatët, përfshirë këtu Shqipërinë
“Motrat dhe vëllezërit tanë në Prishtinë të gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë”, tha Hasani në përgjigjen e tij.
Ai shtoi se Kosova është prioritet për politikën e jashtëm të Shqipërisë.
“Ne kemi qenë të qartë, gjithmonë konsekuentë me atë që kemi thënë. Për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova, ndaj gjithmonë i kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet ti diskutojnë së pari me ata që i duan shumë. T’i diskutojnë, debatojnë dhe negociojnë me vendet dhe organizata që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur siç është sot, dhe këtu hyn dhe Shqipëria. Çdo punë e mirë bëhet duke u dakorduar me ata që e duan shumë Kosovën”, tha tutje kryediplomati shqiptar.