“KRU Prishtina” gjobitet 12 mijë euro- Shkak mos-faturimi real i ujit, faturohej pa u lexuar në ujëmatës

“KRU Prishtina” gjobitet 12 mijë euro- Shkak mos-faturimi real i ujit, faturohej pa u lexuar në ujëmatës

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit e ka gjobitur 12 mijë euro Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për shkak të, siç thuhet në vendim, shkeljeve të rënda në faturim.

Në vendimin, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se në bazë të matjeve të ARRU’së, thuhet se bazuar në një raport të inspektimit të këtij autoriteti, ka rezulatuar që në 472 konsumatorë shtëpiakë “KRU Prishtina” ka faturuar dhe vazhdon të faturojë kundërligjshëm pa u bazuar në konsumin real.

ARRU duke marr parasysh gjendjen e krijuar me kujdes e ka analizuar dhe shqyrtuar raportin e inspektimit si dhe ka vlerësuar secilën provë veç e veç dhe të gjitha së bashku, të cilat mbështesin raportin e inspektimit, dhe ka konstatuar se, KRU “Prishtina” ka faturuar dhe vazhdon të faturojë kundërligjshëm 472 konsumatorë shtëpiakë (269 konsumatorë të shtëpive urbane, 39 konsumatorë të apartamenteve dhe 164 konsumatorë të shtëpive rurale) pa u bazuar në konsumin real të lexuar në ujëmatës, duke ngarkuar konsumatorët, pa bazë ligjore, vetëm me tarifa fikse mujore”, thuhet ndër të tjera në vendim.

ARRU’ja ka konstatuar se mos-faturimi real i konsumatorëve rezulton në humbje të konsiderueshme të të ardhurave dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas ARRU’së, përkundër se me ligj kërkohet paraqitja e një deklarate me shkrim, “KRU Prishtina” nuk e ka bërë një gjë të tillë. Nga autoriteti rregullues për shërbimin e ujit kanë thënë se nga kompania rajonale e kryeqytetit kanë mungesë të përgjegjësisë.

Vendimi për shqiptimin e gjobës për kundërvajtje është marrë me qëllim të rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës në operimin e KRU “Prishtina”, duke e nxitur atë që të përmbushë detyrimet ligjore dhe të përmirësojë praktikën e saj të faturimit për të siguruar shërbime të cilësisë së lartë për konsumatorët. Vlen të theksohet se KRU “Prishtina” ka një histori të shkeljeve të ngjashme, pasi për veprime të njëjta lidhur me moszbatimin e normave ligjore në procedurat e faturimit të shërbimeve të ujit është dënuar me vendimin Nr. 416/D, të datës 04.05.2018”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Shpërndaje në: