Kroaci – Angli | Qysh ta rindezim shpresën?

Srećko Horvat Op-Ed

Ekipi kroat që do të ndeshet me Anglinë në gjysmëfinale të Kupës së Botës sonte, po përfaqëson një vend krejt të ndryshëm prej herës së fundit kur arritëm në këtë fazë, më 1998. Në atë vakt, Kroacia ishte një vend me kujtime të freskëta të luftës dhe me një ëndërr të përbashkët për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, me premtimet e kësaj të fundit për prosperitet dhe stabilitet. Ishte koha e komb-ndërtimit të Kroacisë. Disa vite më vonë, kur unë udhëtoja nëpër vende të ndryshme dhe iu tregoja njerëzve që isha prej Kroacisë, ata dukej se kishin dëgjuar vetëm për ish liderin komunist Tito, dhe për Davor Shukerin, që u bë top-golashënuesi i Kupës së Botës më 1998.

Tash, 20 vjet më vonë, Kroacia njihet për Dubrovnikun, vendin piktoresk në bregun e Adriatikut që shërbeu si vendxhirim për serinë e famshme Game of Thrones. Dhe emri i futbollistit kroat në buzët e të gjithëve është ai i Luka Modriqit.

Kjo në mënyrë të përsosur e tregon trajektoren e historisë së vendit: dikur Kroacia ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste, pjesë e Lëvizjes së të Pa-rreshtuarve [shënim i përkthyesit: Vendet që nuk ishin me asnjërin prej blloqeve të fuqishme gjatë Luftës së Ftohtë], e përkushtuar për paqen globale dhe për bashkëpunimin trans-kombëtar, duke ndërtuar projekte gjigante infrastrukturore përgjatë Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Sot, Kroacia njihet veç për turizëm dhe futboll.

Sporti gjithnjë ka qenë një formë tepër e politizuar e shprehjes kombëtare në Kroacinë post-socialiste, me futbollistët që shpesh përshkruheshin si “heronj” ose si “luftëtarë”. Presidenti i parë kroat, Franjo Tuxhman, proklamoi që “fitoret në futboll e formësojnë identitetin e kombit po aq sa luftërat”, duke i bërë jehonë kuotës së George Orwellit që thoshte se futbolli nuk është asgjë tjetër veç “një lufte pa gjuajtje”. Futbolli ishte përdorur për t’i gjeneruar mbështetje popullore Tuxhmanit, idesë së tij “kombëtare’ [që po na çonte drejt një BE-je së “civilizuar”] dhe për të legjitimuar sundimin e tij.

Ngjashëm, Kupa e Botës aktualisht po [keq-]përdoret nga forcat nacionaliste dhe presidentja e tanishme, Kolinda Grabar Kitaroviq, e cila, e parë duke kërcyer gjatë ndeshjeve, po bën fushatë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Më 1998, ngazëllimi që shoqëronte Kupën e Botës ishte thelbësisht i lidhur me ngazëllimin rreth të ardhmes së vendit në Bashkimin Evropian; ngazëllimi i sotëm është më shumë një lëngim për të kaluarën, kur një e ardhme e mirë ishte ende e mundshme. Tash, ekonomia dhe shoqëria jonë ka rënë në gjunjë, me një emigrim masiv dhe me një papunësi prej 43% mes të rinjve.

Ndërsa lojtarët e sotëm ndiqen nga fantazmat e asaj gjysmëfinaleje të humbur [ndaj Francës], fantazma që e ndjek vendin tonë është ajo e një “tranzicioni” të dështuar [nga komunizmi në kapitalizëm]. Dhe e vetmja shpresë kolektive dhe i vetmi ngazëllim i mbetur është futbolli.

Ajo çka është interesante rreth ndeshjes së sotme në Moskë mes Anglisë dhe Kroacisë është që të dyja vendet kanë më shumë ngjashmëri se që mund t’iu duket në shikim të parë. Herën e fundit që Anglia ishte në gjysmëfinale të Kupës së Botës, më 1990, Kroacisë i duhej që ende të fitonte pavarësinë. Ne arritën të bëheshim pjesë e BE-së më 2013 – të pandërgjegjshëm se kjo nënkuptonte të hyje në Titanik, pak përpara se kjo anije të godiste ajsbergun dhe të fundosej. Mbretëria e Bashkuar [MB] sot po përpiqet të kërcejë jashtë anijes, veç sa për të zbuluar që edhe vendi ku do të hidhet është në fundosje poashtu. Me dorëheqjet e fundit në kabinetin qeveritar dhe me Brexitin që nuk ka fund, duket sikur Kupa e Botës është shpresa e MB-së për një shpëtim të fundit, poashtu.

Të paktën për nja një orë e gjysmë sonte, derisa luhet ndeshja përpara turmave të mëdha të të dyja vendeve, do të jetë koha kur e gjithë popullësia e këtyre vendeve mund të dehet në eufori dhe pritje për një rezultat të mirë.

Me fjalë të tjera, kroatët janë të ndërgjegjshëm se i vetmi shans për të fituar diçka, çkado qoftë, këto ditë, është në një fushë futbolli. Dhe, a nuk është e njëjta edhe për Anglinë?

Në vend të romanticizimit të Kupës së Botës, ne duhet të shohim se për çka është: një reflektim i përmbysur i asaj gjëje që po mungon në politikën e sotme, shpresës.

Mësimi që duhet të marrim ne të majtët nga kjo Kupë e Botës është aftësia e saj për të na bërë që të ndihemi pjesë e diçkaje më të madhe se vetja jonë dhe që të rikrijojmë etosin komun/të përbashkët që u humb në politikën progresive. Kjo u ilustrua nga tifozët meksikanë që kërcenin nga gëzimi pasi ekipi i tyre e mundi Gjermaninë. Kishte aq shumë tifozë sa së bashkë e krijuan një mini-tërmet. Ndoshta kjo po na tregon neve se nacionalizmi dhe populzmi nuk janë, siç frikoheshim, të vetmet forma të mobilizimit kolektiv që mund t’i bëjnë njerëzit bashkë me një besim të përbashkët për të ardhmen. Ajo çka duhet të bëjmë tash është përforcimi i ndjesisë së përbashkësisë që kjo Kupë e Botës e ka krijuar në politikën pjesëmarrëse.

Kësisoj, kushdo që e arrin finalen sonte, pyetja më e rëndësishme për ne të majtët nuk është nëse mund ta çlirojmë futbollin nga etosi nacionalist, por se si do të mundnim ne, pavarësisht kufijve kombëtar dhe identiteteve nacionale, të rishpikim shpresën dhe shpirtin kolektiv të ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët. Nëse Kupa e Botës 2018 po përshkruhet si një luftë evropiane, a ka një të ardhme për Evropën më të mirë se sa thjesht futbolli i mirë? | The Guardian| Përktheu: Periskopi

Shpërndaje në: