Kriza në Greqi shtyhet për më vonë

Kriza në Greqi shtyhet për më vonë

Sipas medieve greke, ekspertët e institucioneve kreditore mund të kthehen që javën e ardhshme në Athinë, për t’i vënë nën lupë përpjekjet për reforma të qeverisë së majtë të Alexis Tsiprasit. Ky mund të jetë një hap i rëndësishëm për të vënë në dispozicion para të tjera nga paketa e shpëtimit prej 86 miliardë eurosh për Greqinë.

Për këtë Greqia është treguar e gatshme për shkurtime të tjera dhe reforma strukturore, të cilat do të jenë në fuqi edhe pas fundit të programit të tretë aktual të shpëtimit në verë 2018. Në diskutim janë para së gjithash liberalizimi i tregut të punës dhe një rregull për kreditë e këqia të sipërmarrjeve dhe të pasurive të paluajtshme, por edhe privatizime të tjera, shkurtime të pensioneve si dhe një ulje të shumave që përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat – gjë që do t’i rëndonte qindra mijëra vetë me paga të ulëta.

Llogari pa hanxhinë në Athinë

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri grek Tsipras përsëriste pa u lodhur se nuk do të binte dakord me masa të tjera kursimi dhe se nuk do t’i rëndonte grekët me as një euro shtesë. Por sot në vend të kësaj dëgjon: për çdo euro të kursyer do të prezantohet menjëherë një lehtësim nga taksat. Në këtë mënyrë në fund njerëzit nuk do të rëndoheshin.

Zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Giannakopoulus tha të hënën se po të ulet me të vërtetë shuma e patatueshme nga tatimi mbi të ardhurat, atëherë qeveria do të ulte taksën mbi vlerën e shtuar ose taksën mbi pasuritë e paluajtshme, duke e kompensuar në këtë mënyrë humbjen e të ardhurave për qytetarët. A është kjo vërtet kaq e thjeshtë? Panagiotis Petrakis, profesor për Shkencat Ekonomike në Universitetin e Athinës tregohet skeptik: “Unë do të uroja që kjo llogari të dalë vërtet, por unë nuk e di që donatorët të kenë rënë dakord për një marrëveshje të tillë. Pra, le të presim njëherë”, mendon Petrakis në bisedë me DW.

Schuldenschnitt Griechenland Symbolbild (picture-alliance/dpa)

Opozita ngreh tallaz

Shefi i Eurogruppit, Jerom Dijselbloem gjithsesi deklaroi se Greqia po kalon nga kursi strikt i kursimit në reforma strukturore. Kjo do të ishte krejtësisht sipas përfytyrimit të opozitës konservatore në Athinë. Por ajo megjithatë e quan takimin e ministrave të Eurozonës në Bruksel “një tallje të pastër”. Partia Komuniste (KKE) tradicionalisht e fortë në Greqi bën thirrje për aksione proteste kundër vazhdimit të politikës së kursimit. Paqartësi ka për rolin e ardhshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në programin e shpëtimit për Greqinë. Ministrat e Financës të BE duan ta mbajnë në bord FMN, por ndërkohë e kanë hedhur poshtë faljen e pjesshme të borxheve Greqisë, të kërkuar nga FMN.

Këpucët prej lëkure – mall luksoz?

Ndërkohë vazhdojnë spekulimet për tatimet e reja që do të rëndojnë njerëzit në Hellas, në mënyrë që të arrihen sipas planit synimet e premtuar për të ardhurat. Që prej shpërthimit të krizës së borxheve janë rënduar me taksa të posaçme midis të tjerash pasuritë e paluajtshme, fjetja në hotel, telefonat celularë, lidhjet e internetit, birra, vera, cigaret elektronike, kafetë, gazi dhe benzina. Por fantazia me sa duket nuk ka kufi, kur është fjala që shtetit t’i sigurohen burime të reja të ardhurash: sipas të dhënave të gazetës ekonomike të Athinës Imerisia, qeveria ndërkohë po mendon që të vendosë një taksë si mall luksoz me 10 përqind ndër të tjera për këpucët prej lëkure dhe për çantat prej lëkure.

Shpërndaje në: