Kriza greke do të rindizet, po çfarë do ta pengojë?

Kriza greke do të rindizet, po çfarë do ta pengojë?

Greqia nuk përbën më lajm për titujt e parë të medias. Një vit më parë, kamerat televizive u specializuan në filmimin e protestuesve në rrugët e Athinës, pasi ekzistonte frika se një krizë gjithnjë e më akute me kalimin e kohës, në gjysmën e parë të vitit 2015 mund të rezultonte me ndarjen e zonës së monedhës së përbashkët.

Ky rrezik u largua me anë të një marrëveshjeje ku përfshihej zmbrapsja poshtëruese e qeverisë së drejtuar nga Syriza. Greqia mori një paketë shpëtimit, por të shoqëruar me kushte të rënda.

Kishte tre probleme të dukshme me marrëveshjen e vitit 2015, e cila bëri të mundur paketën e tretë të shpëtimit në pesë vjet. I pari ishte doza e re e masave shtrënguese të cilat bëjnë që Greqia ta ketë më të vështirë të dalë nga llumi ku ndodhej e që është po aq i rëndë sa edhe ai që përfshiu Shtetet e Bashkuara në vitet ’30. I dyti ishte se kreditorët e Greqisë po bënin parashikime jo realiste për rritjen ekonomike dhe reduktimin e deficitit. I treti ishte se herët ose vonë, kriza greke do të marrë flakë sërish. Eshtë çështje kohe më shumë sesa gjasash.

Por nuk ka pasur vetëm lajme të këqija në 12 muajt e fundit. Frika se interesat mbi bonot greke do të rriteshin pas votës Brexit në Britani nuk u materializua. Disa nga kontrollet e ashpra të kapitalit që u imponuan verën e vitit 2015 për të mbrojtur sistemin bankar janë lehtësuar. Ka pasur bisedime se deri verën e ardhshme do të mundësohet që qeveria në Athinë të grumbullojë para në tregjet financiare botërore duke shitur bono qeveritare.

Thënë të gjitha këto, dy parashikimet e para u vërtetuan. Deri verën e kaluar, Greqia ka vuajtur depresionin më të rëndë pesëvjeçar të krahasueshëm me dëmin që shkaktoi Depresioni i Madh në ekonominë amerikane. Por, gjithsesi, kreditorët e vendit menduan se ishte ide e mirë të nënshkruanin një marrëveshje duke vendosur edhe më shumë kërkesa nga ekonomia greke përmes shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave.

Rezultati ishte dëshpërimisht i parashikueshëm. Duke mbetur larg asaj që mund të quhet rinisje e rritjes ekonomike, ekonomia ka vijuar të tkurret. Prodhimi kombëtar i Greqisë ishte 1.4 për qind më i ulët në tre muajt e parë të viti 2016 sesa një vit më herët. Shpenzimet konsumatore u reduktuan me 1.3 për qind. Edhe besimi ra përtokë, nuk ka shumë perspektivë për kohë më të mira. Greqia mbetet në recesion të thellë.

Rritja e dobët në mënyrë të vazhdueshme ka devijuar përpjekjet për të menaxhuar problemin kronim me borxhin e Greqisë. Duke u kthyer pas në maj 2010, kur Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar organizuan paketën e parë të shpëtimit, supozohej se një rimëkëmbje e shpejtë dhe kontrolle të ashpra buxhetore do të sillnin rënien e qëndrueshme të borxhit kombëtar grek, si pjesë e prodhimit të brendshëm bruto.

Këto parashikime kanë rezultuar se ishin shumë optimiste. Ndërsa Greqia u zhyt thellë e më thellë në recesion, niveli i borxhit vazhdoi të rritej dhe tashmë qëndron në rreth 180 për qind të prodhimit të brendshëm.

Për fat të keq, askush nuk ka nxjerrë mësime. Paketa e shpëtimit e vitit 2015 drejtohet nga supozimi se Greqia do të menaxhojë të ardhura shtesë në buxhet, pasi të kryhen pagesat e borxhit me 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm, një vit po e një vit jo. FMN, e cila ka tashmë një vlerësim më realist për Greqinë sesa Komisioni Europian apo BQE-ja, thotë se janë shumë të pakta vendet që kanë arritur të mbajnë pluse buxhetore të kësaj përmase dhe se Greqia mund ta bëjë këtë vetëm duke shkurtuar edhe më shumë rrogat e pensionet. FMN mendon gjithashtu se “nuk është më e arritshme” që të imagjinosh se Greqia mund të bëjë përpara për ta çuar një nga nivelet më të ulëta të rritjes së produktivitetit drejt më së lartës.

FMN thotë se pa lehtësim të borxhit, barra e Greqisë do të arrijë 250 për qind të prodhimit të brendshëm në mes të shekullit. Gjermania do të preferonte që këto debate të shtyheshin deri pas zgjedhjeve të saj në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Por, gjasat janë që Greqia të rikthehet në titujt e parë të shtypit përpara kësaj kohe.

(Larry Elliot është kryeredaktor i faqeve ekonomike në gazetën “The Guardian”. Ai ka qenë bashkëpunëtor i kësaj gazetë që në vitin 1988)

Shpërndaje në: