Paul Valery, Kriza e intelektit – Letra e parë

Paul Valery, Kriza e intelektit – Letra e parë

 Paul VALÉRY, 1919 

Ne, qytetërimet e vonë, e dimë tashmë që jemi të vdekshëm.

Kemi dëgjuar të flitet për botë të zhdukura krejtësisht, për perandori të fundosura, me gjithë njerëzit dhe mjetet e tyre, të zhytura në fundin e pashkelshëm të shekujve me zotat dhe ligjet e tyre, akademitë dhe shkencat e tyre të kulluara e të zbatuara, me gramatikat, fjalorët, klasikët e vet, romantikët dhe simbolistët, kritikët dhe kritikët e kritikëve të tyre. E dinim mirë se e gjithë toka e dukshme është bërë prej hiri, e që ky hi e ka një domethënie. Përmes dendësisë së marrtë të historisë, dallonim fantazmat e anijeve të mëdha të ngarkuara me pasuri dhe mendje. Nuk mundeshim t’i numëronim. Por këto mbytje, fundi i fundit, nuk ishin puna jonë.

Elam, Ninivë, Babilon, ishin emra të bukur e mjegullorë, dhe shkatërrimi i plotë i këtyre botëve kishte po aq pak domethënie për ne sa edhe vetë ekzistenca e tyre. Por Franca, Anglia, Rusia… do ishin gjithashtu emra të bukur. Lusitania gjithashtu është një emër i bukur. Dhe ne shohim tani se humnera e historisë është mjaft e madhe e mund të nxëjë gjithë botën. E ndiejmë se një qytetërim ka të njëjtën brishtësi me atë të një jete. Rrethanat që do bënin që veprat e Keats-it dhe ato të Baudelaire-it t’u bashkoheshin veprave të Ménandre-it nuk janë më aspak të papërftueshme : ato janë nëpër gazeta.

Jo vetëm kaq. Mësimi përvëlues është akoma më i plotë. Brezit tonë nuk i mjaftoi të mësonte nga përvoja e vet sesi gjërat më të bukura e më antike, më të mrekullueshmet e më të organizuarat, mund të vdesin aksidentalisht ; ai ka parë, në rendin e mendimit, të aftësisë së gjykimit e të ndjenjës, të prodhohen dukuri të jashtëzakonshme, realizime të befta paradoksesh, zhgënjime brutale faktesh të qartë.

Do përmendja vetëm një shembull : virtytet e mëdha të popujve gjermanë kanë prodhuar më shumë të këqija se ç’ka krijuar ndonjëherë limontia vese. Ne kemi parë, me sytë tanë, punën e vetëdijshme, edukimin më solid, më seriozët disiplinë dhe zbatim, të përshtatura për qëllime të llahtarshme.

Kaq shumë tmerre nuk do ishin të mundura pa kaq shumë virtyte. U desh, pa dyshim, shumë shkencë për të vrarë aq shumë njerëz, për të prishur gjithë ato të mira, për të asgjësuar kaq e kaq qytete në aq pak kohë ; por u deshën edhe po aq cilësi morale. Të dish dhe Të bësh, a janë, pra, të dyshimtë ?

Kështu, Persepolisi shpirtërore nuk është më pak e rrënuar se Suza materiale. Nuk ka humbur gjithçka, por gjithçka është ndier e kalbshme.

Një fërgëllimë e jashtëzakonshme ka rendur përgjatë palcës së Europës. Ajo ka ndier, përmjet gjithë bërthamave të saj menduese, se nuk ishte më e njëjta, se po reshtte së qeni vetvetja, se po humbte vetëdijen – një vetëdije e fituar nga shekuj fatkeqësish të durueshme, nga mijëra njerëz të klasit të parë, nga shanse të panumërta gjeografike, etnike, historike.

Atëherë, – si për një mbrojtje të dëshpëruar të qenies e të pasurisë së vet psikologjike, gjithë kujtesa e saj iu kthye mjegullisht. Njërëzit dhe librat e saj të mëdhenj iu rikthyen rrëmujshëm. Asnjëherë s’është lexuar, as me aq pasion, sesa gjatë luftës : pyetni librarët. Asnjëherë njerëzit s’janë lutur aq shumë dhe as aq thellë : pyetni priftërinjtë. U ndërmendën gjithë shpëtimtarët, themeluesit, mbrojtësit, martirët, heronjtë, etërit e kombeve, heroinat e shenjta, poetët kombëtarë…

Dhe në të njëjtin çrregullim mendor, në thirrje të të njëjtit ankth, Europa e kultivuar pësoi rilindjen e shpejtë të mënyrave të saj të panumërta të mendimit: dogma, filozofi, ideale heterogjene ; treqind mënyrat e shpjegimit të Botës, një mijë e një nuancat e krishtërimit, dy duzinat e pozitivizmit : gjithë spektri i dritës intelektuale shpërndau ngjyrat e tij të pathyeshme, duke përndritur me një dritë të çuditshme kontradiktore agoninë e shpirtit europian. Ndërsa shpikësit kërkonin ethshëm në imazhet e tyre, në analet e luftrave të dikurshme, mjetet e zhbërjes së telave me gjemba, e prishjes së nëndetëseve apo e paralizimit të fluturimeve të avionëve, shpirti ndillte, në të njëjtën kohë, gjithë namatisjet që dinte, merrte parasysh seriozisht profecitë më të çuditshme ; ai kërkonte strehime, shenja treguese, ngushëllime nëpër gjithë regjistrin e kujtimeve, të akteve të mëparshme, të qëndrimeve stërgjyshore. Të tilla janë produktet e njohura të ankthit, ndërmarrjet e çrregullta të trurit që rend nga realja te makthi dhe kthehet nga makthi te realja, i shastisur si miu i rënë në çark…

Kriza ushtarake ndoshta ka mbaruar. Kriza ekonomike është e dukshme në gjithë fuqinë e saj; por kriza intelektuale, më e imët, e që, nga vetë natyra e saj, merr pamjet më mashtruese (meqë ajo ndodh në vetë mbretërinë e fshehtësisë), kjo krizë na lejon me vështirësi t’i kapim shtrirjen e vërtetë, fazën e saj.

Askush nuk mund të thotë atë çka nesër do vdesë apo do jetojë në letërsi, në filozofi, në estetikë. Askush nuk e di ende ç’ide dhe ç’mënyra shprehjeje do regjistrohen në listën e humbjeve, ç’risi do shpallen.

Shpresa, sigurisht, mbetet dhe këndon me gjysmë zëri :

Et cum vorandi vicerit libidinem
Late triumphet imperator spiritus.

Por shpresa s’është gjë tjetër veçse mosbesimi i njeriut ndaj parashikimeve të sakta të mendjes së tij. Ajo sugjeron që çdo konkluzion i pafavorshëm për njeriun duhet të jetë një gabim i mendjes së tij. Faktet, megjithatë, janë të qarta e të pamëshirshme : mijëra shkrimtarë dhe artistë të rinj kanë vdekur ; iluzioni i një kulture europiane ka humbur dhe dija është dëshmuar e pafuqishme për të shpëtuar çfarëdo qoftë ; shkenca është plagosur për vdekje në ambicjet e saj morale dhe është çnderuar nga mizoria e zbatimeve të saj ; idealizmi mbijeton me vështirësi, është thellësisht i vrarë dhe përgjegjës për ëndrrat e veta ; realizmi, i zhgënjyer, i rrëzuar, i mbytur nga krimet dhe gabimet ; lakmia dhe dorëheqja janë njëlloj të poshtëruara ; besimet, të ngatërruara në qëllime, kryq kundër kryqi, drapër kundër drapri ; edhe skeptikët vetë janë zënë ngushtë prej ngjarjeve aq të befta, aq të dhunshme, aq emocionuese, e që luajnë me mendimet tona si macja me miun, – edhe skeptikët humbasin dyshimet e tyre, i rigjejnë, i humbin sërish, dhe nuk janë më zotër të lëvizjeve të mendimit të tyre.

Lëkundja e anijes ka qenë aq e fuqishme saqë llampadarët e varur më mirë, më në fund janë përmbysur.

Ajo çka i jep krizës intelektuale thellësinë dhe rëndesën e saj është gjendja në të cilën kjo ka gjetur pacientin.

Unë nuk kam as kohën as zotësinë të përcaktoj gjendjen intelektuale të Europës në 1914-n. E kush do guxonte të ravijëzonte një tablo të kësaj gjendjeje ? Tema është e pafund ; ajo kërkon njohje nga të gjitha fushat dhe një informacion të pafund. Veç kësaj, kur bëhet fjalë për një tërësi mjaft të ndërlikuar, vështirësia për të rindërtuar të shkuarën, madje edhe atë më të afërtën, është krejt e krahasueshme me vështirësinë e ndërtimit të ardhmërisë, madje edhe të asaj më të afërtës ; ose, më mirë, është e njëjta vështirësi. Profeti është në të njëjtën varkë me historianin. Le t’i lëmë aty.

Por tani më nevojitet veçse kujtimi i vagullt e i përgjithshëm i asaj që mendohej në vigjilje të luftës, kërkimet që vijonin, veprat që botoheshin.

Nëse lë mënjanë, pra, çdo detaj dhe nëse kufizohem në përshtypjen e shpejtë, në atë tërësi natyrore që jep një perceptim i atypëratyshëm, unë nuk shoh – asgjë ! – Asgjë, dhe ende një asgjë pafundësisht të pasur.

Fizikanët na mësojnë se, në një furrë të çuar në inkandeshencë, nëse syri ynë do mund të mbijetonte, ai nuk do vështronte asgjë. Asnjë pabarazi drite nuk do mbetej për të shquar pikat e hapësirës. Ajo energji e hatashme e përmbyllur do prodhonte padukshmëri, barazi të pavënëreshme. Mirëpo, një barazi e këtij lloji nuk është gjë tjetër veçse një gjendje e përkryer kaosi.

Dhe me çfarë ishte bërë ky kaos në mendjen e Europës? – Me bashkekzistencën e lirë, në gjithë mendjet e kultivuara, të ideve më të pangjashme, të parimeve më të kundërta të jetës dhe njohjes. Kjo karakterizon një epokë moderne.

Nuk bezdisem të përgjithësoj nocionin e modernes e t’ia jap këtë emër ndonjë mënyre jetese, në vend që të bëj me të një sinonim të kulluar të bashkëkohores. Ka në histori çaste dhe vende ku ne modernët do mund të riktheheshim, pa trazuar shumë harmoninë e atyre kohëve, dhe pa u dukur objekte pafundësisht të çuditshëm e pafundësisht të dukshëm, krijesa shokuese, zhangëlluese, të paasimilueshme. Aty ku hyrja jonë do bënte më pak bujë, atje ne do ndjeheshim pothuajse në shtëpinë tonë. Është e qartë se Roma e Trajanit dhe Aleksandria e Ptolemenjve do na thithnin më lehtë se shumë vise më pak të zbythura në kohë, por më të specializuara në vetëm një tip zakonesh dhe të kushtuara tërësisht vetëm një race, vetëm një kulture dhe vetëm një sistemi jetese.

Epo mirë ! Europa e 1914-s kishte arritur ndoshta në kufi të këtij modernizmi. Çdo mendje e një rangu të caktuar ishte një kryqëzim për të gjitha llojet e opinioneve ; çdo mendimtar, një ekspozitë ndërkombëtare mendimesh. Kishte vepra të mendjes ku pasuria e kontrasteve dhe impulseve kontradiktore bënte të mendoje për efekte ndriçimi të pakuptimtë në kryeqytetet e asaj kohe : sytë lodheshin dhe mërziteshin… Sa materiale, sa punime, përllogaritje, shekuj të grabitur, sa jetë heterogjene të bashkuara u deshën për të mundësuar një karnaval të tillë dhe për ta fronësuar solemnisht si formë e urtësisë sipërane dhe triumf të njerëzimit ?

Në aksh libër të asaj epoke – dhe jo ndër më mediokrit – gjen, pa asnjë mundim, : – një ndikim të baleteve ruse, – pak nga stili i errët i Pascal-it, – shumë përshtypje të tipit Goncourt, – diçka nga Nietzsche, – diçka nga Rimbaud, – disa efekte që i detyrohen udhakimit të piktorëve, e nganjëherë tonin e botimeve shkencore, – gjithçka të parfumuar nga nuk di ç’gjë britanike e vështirë për t’i caktuar vlerën!… Vërejmë, kalimthi, se në secilin prej përbërësve të kësaj përzierjeje do gjendeshin shumë trupa të tjerë. E kotë t’i kërkosh : do ishte të përsëritje atë çka thashë për modernizmin, e të bëje gjithë historinë mendore të Europës.

Tani, mbi një tarracë të gjerë të Elsinorit, që shkon nga Bazeli në Këln, që prek rërnat e Nieuportit, kënetat e Somës, gurët gëlqerorë të Shampanjës, granitët e Alzasës, – Hamleti europian vështron miliona fantazma.

Por ai është një Hamlet intelektual, që mediton për jetën dhe vdekjen e të vërtetave. Për fantazma ai ka të gjitha objektet e polemikave tona ; ai ka për brerje ndërgjegjeje gjithë titujt e lavdisë sonë ; ai është i dërrmuar nën peshën e zbulimeve, të njohjeve, i pazoti të rimarrë këtë veprimtari të pacak. Ai endet mes mërzisë së rifillimit të së shkuarës dhe marrëzisë së dëshirës për risim të përhershëm. Ai luhatet midis dy humnerave, sepse dy rreziqe nuk reshtin së kanosuri botën : rregulli dhe kaosi.

Çdo kafkë që ai mund të kapë është një kafkë e famshme. – Whose was it ? – Kjo qe Lionardo. Ai shpiku njeriun fluturues, por njeriu fluturues nuk i shërbeu saktësisht synimeve të shpikësit : ne e dimë se njeriu fluturues i hipur mbi mjellmën e tij të madhe (il grande uccello sopra del dosso del suo magnio cecero), në ditët tona, ka të tjera detyra sesa të shkojë e të marrë dëborën në majën e maleve për ta hedhur, gjatë ditëve të nxehta, mbi kalldrëmin e qyteteve… Dhe kafka tjetër është ajo e Leibniz-it që ëndërroi paqen universale. Dhe kjo ishte Kant-i, Kant-i që lindi Hegel-in, që lindi Marx-in, që lindi…

Hamleti nuk di ç’të bëjë me gjithë këto kafka. Po sikur t’i braktisë !… A do reshtë së qeni vetvetja ? Mendja e tij tmerrësisht largpamëse sodit kalimin nga lufta në paqe. Ky kalim është më i errët, më i rrezikshëm se kalimi nga paqja në luftë ; gjithë popujt janë turbulluar prej tij. ” Po unë, i thotë ai vetes, unë, intelekti europian, ç’do bëhet me mua?… Po paqja ç’është? Paqja është, ndoshta, ajo gjendje e gjërave në të cilën armiqësia e natyrshme mes njerëzve shfaqet në krijime, në vend që të përkthehet në shkatërrime, si në luftë. Paqja është koha e një konkurrence krijuese dhe e luftës së prodhimeve. Por, a nuk jam vallë i lodhur së prodhuari ? A s’e kam shterur vallë dëshirën e orvatjeve të skajshme dhe a s’kam abuzuar me përzierjet dinake? Mos duhen lënë mënjanë detyrat e mia të vështira dhe ambicjet e mia transhendente? Mos duhet vallë të ndjek rrjedhën e të bëj si Polloni, që drejton tani një gazetë të madhe? Si Laerti që ndodhet diku në aviacion? Si Rozenkranci që bën kushedi çfarë nën një emër rus?

– Lamtumirë, fantazma! Bota nuk ka më nevojë për ju. As për mua. Bota, që pagëzon me emrin progres prirjen e saj për një përpikëri fatale, kërkon t’i bashkojë mirësive të jetës përparësitë e vdekjes. Njëfarë mjegullnaje mbretëron ende, por ende edhe pak kohë dhe gjithçka do qartësohet; ne do vërejmë më në fund mrekullinë e një shoqërie kafshërore, një fole thneglash të përsosur e përfundimtare.”

Shkëputur nga “Një mbrëmbje me Zotin Test”, faqe 133 – 140

Shpërndaje në: