Kriza e emigrantëve kërcënon shkatërrimin e BE-së
Dështimi për të arritur një plan të ri në samitin e kësaj jave mund të çojë në mbylljen e kufijëve dhe në kolapsimin e plotë të sistemit Schengen
Samiti i kësaj jave i krerëve të qeverive evropiane do të jetë vendimtar sepse dështimi i arritjes së marrëveshjes në mënyrën se si duhet të menaxhohet kriza e emigrantëve mund të bëj që projekti evropian të përjetojë katastrofë fatale.
Për këtë arsye Bashkimi Evropian duhet të adresojë shkaqet e kësaj tragjedie humanitare, duke shfaqur kësisoj edhe solidaritet ndaj atyre që ikin nga persekutimi dhe lufta, por edhe zgjidhje në limitimin e hyrjes për ata që kanë qëllime të çiltra.
Jostabiliteti, pasiguria, terrorizmi, varfëria, uria dhe ndryshimet klimatike preokupojnë pjesë të mëdha të Afrikës dhe Lindjes së Mesme dhe janë rrënjët e shkaqeve të emigracionit, por qeveritë e BE-së kanë ardhur në këtë pikë shumë vonë, duke u përkushtuar bazikisht vetëm në ushtrime që zvogëlojnë dëmin në kufijtë tanë.
Deri më 2050, popullësia e përgjithshme e Afrikës parashihet të dyfishohet në 2,5 miliardë. Mosveprimi i vazhdueshëm do t’i kthejë qindra mijëra njerëz që po i shohim tash në miliona që do të kërkojnë jetë më të mirë në Evropë, me pasoja shkatërruese, edhe për Evropën pa kapacitete, por edhe për ata që kërkojnë të migrojnë: 13 mijë njerëz e kanë humbur jetën e tyre në Mesdhe në tri vitet e fundit dhe shumë të tjerë janë zhdukur në shkretëtirën e Saharasë.
Një strategji reale që mbështetet në dy shtylla të forta vyen urgjentisht. E para, ne duhet të ndalim trafikuesit që bëjnë biznes me jetërat e qenieve njerëzore duke i parandaluar varkat e tyre që të kalojnë tej nga vendet tranzitore. E dyta, shtetet anëtare duhet të marrin hisen që iu takon të refugjatëve që do të vijnë në Evropë përmes një mekanizmi automatik dhe të detyrueshëm.
Marrëveshja e BE-së me Turqinë ndaloi kontrabandën me njerëz duke financuar, mes gjërash tjera, kujdesin shëndetësor dhe edukimin në vendet e origjnës, që çoi kësisoj në mbylljen e së ashtuquajturës rrugë ballkanike për emigrantët. Kjo duhet të shërbejë si një model për të arritur rezultate të ngjashme edhe në Mesdhe.
Marrëveshjet e BE-së me vendet tranzitore si Nigeri duhet të forcohen dhe të zgjatohen duke përfshirë edhe Mauritaninë, Malin, Chadin, Tunizinë, Marokun, Algjerinë por edhe vetë Libinë.
Rregullores së Dublinit të sistemit të azilit të BE-së i duhet një riorganizim, si dhe duhet të zëvendësohet nga një alternativë më e drejtë dhe më efektive. Nga 650 mijë azilkërkuesit e 2017-s, 416 mijë ishin vendosur në vetëm tri vende: Gjermani, Itali dhe Francë. Kjo padrejtësi verbuese lidhet me mënyrën e vjetruar të funksionimit të kësaj rregulloreje, dhe kjo po kontribuon në tensione mes shteteve anëtare.
Parlamenti evropian po luan një rol proaktiv dhe ka paraqitur një propozim reformues të sistemit të azilit disa muaj më parë që do ta bënte ndarjen e emigrantëve më të barabartë. Unë i kam shkruar krerëve të shteteve të BE-së se duhet ta përdorin atë si bazën për të ecur përpara.
Që të binden shtetet më ngurruese anëtare që të pranojnë planin e parlamentit evropian, ne duhet t’i sigurojmë ato që BE-ja është e përkushtuar për detyrën e policimit të kufijëve të jashtëm dhe të ndalimit të të larguarve nga Afrika e veriut. Kjo do t’i lejonte programet e menaxhuara nga UNHCR-ja që të rilokojnë ata që mund të vijnë në Evropë në mënyrë të sigurtë dhe të barabartë në shtetet anëtare të BE-së.
Dështimi për të ofruar një strategji kredibile evropiane të bazuar në këto dy shtylla mund të kulminojë në rinacionalizimin e politikave të emigracionit, në mbylljen e kufijëve kombëtarë dhe në kolapsimin e plotë të sistemit Schengen.
Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të koordinojë përpjekjet për ta stabilizuar Libinë, duke shtruar rrugën për të që të bëhet një partner me të cilin mund të bashkëpunohet.
Shumë shpejt do të shkoj në Libi për të diskutuar mbi atë se si mund të mbështesim këtë proces dhe se si mund të bëjmë një bashkëpunim parlamentar, përfshirë rolin që mund të luaj në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Parlamenti Evropian është i gatshëm që t’i bëjë resurset e saj të disponueshme: një konferencë që do të mblidhte palët në Bruksel do të ishte një hap në drejtimin e duhur.
Adresimi i shkaqeve për eksodin e emigrantëve kërkon një partneritet të ri me kontinentin afrikan, të mbështetur nga një plan ambicioz Marshall për Afrikën në buxhetin e ardhshëm të BE-së. Thirrja jonë për të paktën 40 miliardë mund të rritet deri në 500 miliardë me investimet e sektorit privat përgjatë dekadës që vjen. Kriza e emigrantëve mund të përbëj fundin e projektit Evropian. Ne nuk duhet të rrijmë duarkryq derisa kjo ndodh. Duhet të shfaqim kurajë, vendosmëri dhe ambicjen që vyen për të punuar në një përpjekje të re të përbashkët.
Krerët e qeverive të shteteve të BE-së duhet të lënë menjanë interesin e tyre kombëtar dhe më në fund të ofrojnë zgjidhje për qytetarët tanë, për atë që ata presin dhe meritojnë. /Marrë nga Guardian, përktheu Periskopi