Kritika të ashpra në internet: Always detyrohet të ndryshojë paketimin
Kompania Always do të heqë simbolin femëror nga paketimi, si pasojë e kritikave të shumta në internet. Procter & Gamble, kompania mëmë e markës, tha se do të largojë shenjën e Afërditës (simboli femëror) në fillim të muajit dhjetor dhe të gjitha produktet e higjinës vetjake, përfshirë këtu edhe linesat, do të kenë dizajn të ri brenda muajit shkurt, 2020.
Vendimi erdhi si pasojë kritikave nga njerëz transgjinorë dhe ata që nuk e kanë përcaktuar gjininë e tyre.
“A mundet dikush të më thotë pse Always e ka të domosdoshme të ketë simbolin e grave në çdo produkt të tyre?” shkroi dikush në Twitter. “Ka njerëz që nuk e kanë përcaktuar gjininë si edhe transgjinorë që u duhet të përdorin produktet tuaja, thjesht që ta dini.”
Procter & Gamble shpjeguan vendimin e tyre përmes një deklarate:
“Për më shumë se 35 vite, Always ka pasur në qendër të fushatave vajzat dhe gratë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Por gjithashtu jemi të përkushtuar ndaj diversitetit dhe gjithëpërfshirjes dhe jemi në një rrugëtim të vazhdueshëm për të kuptuar nevojat e konsumatorëve tanë.”
Ekspertët e shëndetit të LGBTQ+ vlerësuan vendimin e kompanisë.
“Ky është një veprim i shkëlqyer,” tha për NBC Jack Turban, një ekspert i departamentit të psikiatrisë në Harvard Medical School. “Para së gjithash, simboli është i panevojshëm. Së dyti, dërgon një mesazh për personat transgjinorë dhe ata jo-binarë, të cilët janë nevojë për këto produkte që identiteti i tyre të përqafohet dhe mbështetet nga kompania.”
Burimi: New York Times