Krimet kurrë s’mund të vjetrohen

Basri Kodra Letra

Nuk e kuptoj si është e mundur që të zhbëhet vepra, krimi!? Të hiqet apo të shlyhet pa u ndëshkuar një vepër e dënueshme me ligjet në fuqi. Si mund të thuhet, u bë vonë tash për ta vuajtur dënimin?! Po krimet, kurrë dhe kurrkund, s’mund të vjetrohen! Krimi nuk është produkt ushqimor e mund t’i dalë afati; ai është krim dhe si i tillë duhet të jetë i ndëshkueshëm përgjithmonë.

Shkruan: Basri KODRA

Këto ditë, siç u mor vesh, qenka kthyer në Kosovë ish kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ku vite më parë qe dënuar për vepra që kategorizoheshin penale (krime), nga gjykatat vendore. Ai, për t’i ikur drejtësisë, kishte gjashtë vite që qëndronte larg Kosovës, dhe gjatë kësaj kohe thuhet se ka qëndruar në Suedi, prej nga na u paraqit si deleqethës, ndërsa thuhet po ashtu se hynte nganjëherë edhe në Kosovë ‘fshehurazi’, kushedi për të turbulluar ujërat në politikë apo kthjelluar ujërat në biznesin e tij.

Qenka shkruar diku në një ligj, në Kodin Penal të Kosovës, në një nën-nen të tij, se nëse të dënuarin nuk mund ta zë shteti për një kohë të caktuar, pas një kohe po ashtu të caktuar vetvetiu do të shlyhet (parashkruhet, thuhet aty) ai dënim, që nënkupton, do të shlyhet edhe ai krim!

Nuk e kuptoj si është e mundur që të zhbëhet vepra, krimi!? Të hiqet apo të shlyhet pa u ndëshkuar një vepër e dënueshme me ligjet në fuqi. Si mund të thuhet, u bë vonë tash për ta vuajtur dënimin?! Po krimet, kurrë dhe kurrkund, s’mund të vjetrohen! Krimi nuk është produkt ushqimor e mund t’i dalë afati; ai është krim dhe si i tillë duhet të jetë i ndëshkueshëm përgjithmonë.

Nga ana tjetër, nuk mund të arsyetohet qëndrimi i të dënuarit që thirret në pafajësi. Fajësinë, përkatësisht pafajësinë nuk e përcakton i dyshuari (që mund të shpallet i dënuar apo i pafajshëm), por drejtësia, sado e padrejtë që mund të jetë. Në të kundërtën, nuk do të kishte fare nevojë për institucione të drejtësisë, dhe atëherë do të sundonte kaosi ku normalisht do të zbatohej ligji i më të fortit.

Prandaj, unë PROTESTOJ për këtë sjellje të shtetit dhe institucioneve përkatëse të tij, të cilët shpesh herë arrestojnë qytetarë për arsye shumë banale, ndërsa lënë të lirë njerëz të dënuar dhe si të tillë të rrezikshëm për sigurinë publike.

Protestoj edhe ndaj partive politike dhe organizatave të ndryshme shoqërore, vendore dhe kombëtare (madje edhe ndërkombëtare), të cilat nuk reagojnë sa duhet e si duhet ndaj kësaj ndodhie.

Protestoj edhe ndaj rehabilitimit që një pjesë e shoqërisë po i bën, duke mos reaguar si duhet. Ai nuk i duhet askujt, e më së paku Kaçanikut e Kosovës të cilët i dhunoi sa mundi kur ishte aty, e kur e teproi saqë edhe shokët e tij në pushtet nuk mundën ta mbronin më, atëherë e braktisi vendin për ta shpëtuar kokën, një ikje kjo padyshim tepër komprometuese për moralin e një njeriu që pretendonte se ishte politikan!

Krim e ndëshkim – thotë shkrimtari gjenial rus, Fyodor Dostoyevsky, në titullin e një prej romaneve më të famshme të tij. E, ne këtu vazhdojmë të kemi krime pa ndëshkime! Deri kur kështu?

Autori është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje