Krejt çka ndodhi në fjalimin e parë të Presidentit Trump në Kongres: Sulm ndaj demokratëve, largim nga salla, Zelensky e shumëçka tjetër

Krejt çka ndodhi në fjalimin e parë të Presidentit Trump në Kongres: Sulm ndaj demokratëve, largim nga salla, Zelensky e shumëçka tjetër

Presidenti i rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, mbajti sot fjalimin e tij të parë në Kongres pas 43 ditëve të para në detyrë. Presidenti amerikan theu rekordin për fjalimin më të gjatë presidencial në Kongres – rreth një orë e 40 minuta. Një fjalim i cili pati të gjitha ngjyrat, si nga sulmet ndaj demokratëve, tarifat, luftën Rusi-Ukrainë e shumë të tjera, shkruan Periskopi. 

Trump hyri në sallë me shumë për të thënë. Ai qysh në fillim të fjalimit u mburr për fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit, për të sulmuar më pas demokratët të cilët e pengonin vazhdimisht teksa po fliste. Madje, një rast i paprecedentë ndodhi, teksa kongresisti demokrat, Al Green e pengonte Presidentin në mënyrë të vazhdueshme, sa që  Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson urdhëroi që ta largonin atë nga Kongresi.

“Nuk mund të them absolutisht asgjë për t’i bërë ata të lumtur,” tha Trump, duke e përshkruar kundërshtimin e tij si një kauzë të humbur.

Presidenti Trump u ankua për atë që ai e quan padrejtësi rreth të drejtave transgjinore dhe programet e diversitetit.

Trump këto lëvizje i quajti si pjesë e “revolucionit të tij të arsyes së shëndoshë”.

Ai zgjodhi të nxjerrë në pah edhe miliarderin Elon Musk, i cili ishte i pranishëm aty.

“Ai po punon shumë. Ai nuk kishte nevojë për këtë. Ai nuk kishte nevojë për këtë,” tha Trump, përpara se të nxiste demokratët.

“Të gjithë këtu, edhe kjo anë, e vlerësojnë atë. Unë besoj se ata thjesht nuk duan ta pranojnë këtë, “tha ai, duke treguar gishtin drejt demokratëve.

Më vonë, Trump përmendi një listë të gjatë programesh, financimi i të cilave është shkurtuar nga Departamenti i Efiçencës së Qeverisë së Musk, duke i quajtur në mënyrë mashtruese shembuj mashtrimi. Dhe ai përsëriti pretendimet e mohuara se një numër i konsiderueshëm i amerikanëve të vdekur po marrin përfitime të Sigurimeve Shoqërore.

Demokratët në anën tjetër mbanin lart tabelat “Musk vjedh”.

Trump foli edhe për tarifat…

“Çfarëdo që të na tarifojnë, ne i tarifojmë mbrapsht. Kjo është reciproke. Çfarëdo që të na taksojnë, ne i taksojmë”, tha ai në fjalimin e tij.

“Ne do të marrim triliona e triliona dollarë dhe do të krijojmë vende pune siç nuk i kemi parë kurrë më parë.”

“Tarifat kanë të bëjnë me atë që Amerikën ta bëjnë përsëri të pasur dhe të madhe. Dhe kjo po ndodh, dhe do të ndodhë mjaft shpejt. Do të ketë një shqetësim të vogël, por ne jemi në rregull me këtë. Nuk do të jetë shumë.”

Trump vazhdoi tutje me çështjen që ka dominuar javën e kaluar – luftën në Ukrainë – pavarësisht se fjalimi i tij u përqendrua kryesisht në çështjet e brendshme.

“Po punoj gjithashtu pa u lodhur për t’i dhënë fund konfliktit të egër në Ukrainë”, tha Trump.

Në një moment, Trump kishte shpresuar të paralajmëronte një marrëveshje të re për mineralet e rralla të tokës me Ukrainën gjatë fjalimit të tij. Por një grindje në Zyrën Ovale javën e kaluar me Presidentin Volodymyr Zelensky i ndryshoi gjërat.

Në vend të kësaj, Trump iu kthye zhgënjimit të tij se sa para amerikane janë shpenzuar për konfliktin.

Megjithatë, ai gjithashtu iu përgjigj pozitivisht një postimi në mediat sociale të martën më herët nga Zelensky – Trump iu referua një letre nga udhëheqësi ukrainas – në të cilën Zelensky shprehu keqardhje për shpërthimin e së premtes dhe tha se ishte gati të fillonte bisedimet e paqes.

“Unë e vlerësoj që ai e dërgoi këtë letër,” tha ai, pa thënë se kur mund të përpiqet të flasë përsëri me Zelensky.

Tutje, Presidenti Trump fajësoi ish-Presidentin Biden…

Ai e fajësoi atë për gjithçka, nga çmimet e larta deri te konfliktet e jashtme.

Ai e përmendi atë, hiç më pak se 12 herë në fjalimin e tij. E akuzoi Biden se i ka lënë probleme duke filluar nga çmimi i lartë i vezëve deri te autorizimi i shumë parave për Ukrainën, sipas fragmenteve të fjalimit.

“Siç e dini, ne trashëguam, nga administrata e kaluar, një katastrofë ekonomike dhe një makth inflacioni”, tha Trump.

Më vonë, duke iu drejtuar përpjekjeve për të miratuar një projekt-ligj kufitar vitin e kaluar, Trump tha se në vend të legjislacionit të ri, “gjithçka që na duhej, vërtet ishte një president i ri”.

Përgjigja e demokratëve drejt Trump-it

Senatorja Elissa Slotkin, nisi fjalimin duke akuzuar Trump – ndër tjetër edhe Elon Musk – për një qasje “të pamatur” dhe “kaotike” ndaj reformimit të qeverisë federale.

Tutje, ajo dënoi edhe qortimin ndaj Zelenskit nga Zyra Ovale, dhe pretendoi se “edhe Ronald Reagan po rrotullohet në varrin e tij”.

Senatorja e pranoi se amerikanët duan ndryshim. Por, sipas saj, ndryshimi që Trump po ekzekuton rrezikon dëme thelbësore për vendin./Periskopi/

Shpërndaje në: