Krasniqi takohet me Lammy: E njoftova për vizionin e PDK’së për të marrë përgjegjësinë në formimin e Qeverisë së re

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot ka takuar Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, shkruan Periskopi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi tha se e kanë njoftuar për vizionin e PDK për të marrë përgjegjësinë në formimin e Qeverisë së re, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës.
“E mirëpresim emërimin e Ambasadores Karen Pierce si e Dërguar e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, duke besuar se përvoja e saj do të jetë e vlefshme edhe në proceset tjera të rëndësishme për Kosovën.
Roli i Britanisë dhe uniteti i QUINT-it janë vendimtarë për stabilitetin rajonal. Kosova ka në Mbretërinë e Bashkuar një mik të dëshmuar”, shkroi mes tjerash Krasniqi.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takoj sot Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Vizita e tij konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, veçanërisht në këtë kohë kur kujtojmë të kaluarën dhe miqtë që qëndruan pranë nesh në luftën tonë për çlirim.
Mbretëria e Bashkuar ka luajtur gjithmonë një rol të drejtpërdrejtë në proceset kyçe për Kosovën dhe ne dëshirojmë ta shohim atë të vazhdojë këtë angazhim.
Sekretarin Lammy e informova për vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për të marrë përgjegjësinë në formimin e Qeverisë së re, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, me objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe avancimin e integrimit euroatlantik.
E mirëpresim emërimin e Ambasadores Karen Pierce si e Dërguar e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, duke besuar se përvoja e saj do të jetë e vlefshme edhe në proceset tjera të rëndësishme për Kosovën.
Roli i Britanisë dhe uniteti i QUINT-it janë vendimtarë për stabilitetin rajonal. Kosova ka në Mbretërinë e Bashkuar një mik të dëshmuar.