Krasniqi, Sorensenit: Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar

Krasniqi, Sorensenit: Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim Emisarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku ka ritheksuar se ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Krasniqi është shprehur se ky proces duhet të rifillojë me energji të re, qasje konstruktive dhe fokus të qartë në rezultatet konkrete.

“Gjatë takimit, riafirmova qëndrimin tonë të palëkundur se dialogu duhet të ketë për synim një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, e cila garanton njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet provizore që zvarrisin procesin dhe krijojnë pasiguri nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë”, ka njoftuar lideri i PDK-së në Facebook, raporton Periskopi.

Krasniqi në këtë takim ka ripërsëritur kërkesën e PDK-së që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Po ashtu, nënvizova pritshmërinë tonë që Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar, duke respektuar parimet e barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut. Njëkohësisht, para Emisarit Sørensen ritheksova kërkesën tonë që BE-ja të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat po cenojnë padrejtësisht mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.

 

 

Shpërndaje në: