Krasniqi për Vokrrin: Na frymëzoi përmes shembullit – se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë

Krasniqi për Vokrrin: Na frymëzoi përmes shembullit – se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar Fadil Vokrrin në 6-vjetorin e vdekjes së tij.

Ai ka thënë se Vokrri ka frymëzuar përmes shembullit se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë.

“Fadil Vokrrin, si shumica e moshatarëve të mi, fillimisht e kam pasur idol, nga koha kur babai më merrte në stadium për të shikuar KF Prishtinën.  Magjia e tij në fushë, të madh e të vogël na bënte të ëndërrojmë! Të paktën për 90 minuta, dhjetëra mijëra tifozë ndjeheshim të paprekshëm e të fuqishëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Fadili na frymëzoi përmes shembullit – se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë.  Fati im i mirë deshi që më vonë Fadilin ta kem një prej miqve të mirë e bashkëpunëtorëve më të shquar”.

“Shumë vite pasi ishte ndezur flaka e rezistencës sportive në fushën e blertë, pata nderin e jashtëzakonshëm jetësor që krah për krah me Fadilin, të punojmë fort për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, që kulmoi me anëtarësimin në UEFA dhe FIFA”.

“Ikja e tij e hershme 6 vite më parë, ka lënë një zbrazëtirë të madhe tek të gjithë që e njohëm dhe është akoma vështirë e pranueshme. Pa dyshim, futbolli i Kosovës ka humbur më së shumti nga mungesa e tij. Do të t’kujtoj gjithmonë për mirësinë, bujarinë dhe përkushtimin tënd të pashoq, Fadil – kumbara i futbollit të Kosovës. Shpirti yt jeton me ne në çdo gol të shënuar të kombëtares sonë, në çdo ndeshje të luajtur dhe në çdo zemër që ke frymëzuar”.

Shpërndaje në: