Krasniqi: Për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, më e shtrenjtë ishte liria sesa jeta
Lideri i PDK, Memli Krasniqi ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 26 vjetorin e rënies.
Ai ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovci e kishin lidhur fatin personal me atë të Kosovës dhe se për ta më e rëndësishme ishte liria se jeta.
Krasniqi tutje u shpreh mirënjohës ndaj atyre që dhanë jetën për vendin.
Njoftimi i plotë:
Sot, në 26 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, kujtojmë me nderim heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, së bashku me bashkëluftëtarët e pandashëm Fatime Hetemi, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci dhe Shefqet Zeka.
Nga organizimi dhe rezistenca politike, burgjeve jugosllave, e deri në betimin për luftë e liri deri në vdekje, Fehmiu dhe Xheva ishin gjithmonë bashkë. Të dy kishin lidhur fatin e tyre personal me fatin e Kosovës.
Për ta, më e shtrenjtë ishte liria sesa jeta. Për të parën do të vdisnin me një buzëqeshje në fytyrë – sepse e dinin se kjo ishte rruga e vetme drejt nderit dhe përjetësisë.
Përgjithmonë mirënjohës ndaj tyre dhe mijëra burrave e grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me sakrificë e vetëmohim, u bënë themel i horizontit të lirisë dhe shtetit tonë sovran.
Lavdi! 🌹