Krasniqi pas medaljes së artë në Lojërat Mesdhetare: Jam shumë e lumtur, synim e kam Kampionatin Botëror
Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka folur pas suksesit të saj ku e fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare.
Krasniqi tha se ishte hera e dytë që merr pjesë në këtë garë dhe po ndihet e lumtur pasi ka pasur përformancë të mirë dhe i gjithë ekipi është kthyer me shumë medalje.
“Në këtë kategori kam marrë pjesë edhe para disa viteve, por normal që është e vështirë pasi që përgatitja fizike prej një kategorie që është më poshtë në kategorinë në 52 kilogramë, formimi i muskujve dhe kthimi i forcës për një kategori të re ishte pak e vështirë, por i kam njohur kundërshtaret dhe e kam ditë se cfarë duhet të bëjë me to”, është shprehur Krasniqi në Klan Kosova.
Ajo ka dhënë detaje edhe për ndeshjet që i ka zhvilluar, ku tha se më e vështira ka qenë gjysmëfinalja kundër një garuese spanjolle, e cila është nënkampione botërore.
“Të ndeshesh me të është pak stres e presion, por kam qenë e sigurtë në luftë dhe kjo më bën të lumtur”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Krasniqi tha se pret që të jetë në podiumin e fitueseve në Kampionatin Botëror që do të mbahet këtë vit, teksa u shpreh e gatshme edhe për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Paris.
“Më mungon medalja e artë në Kampionat Botëror, është gara më e madhe që do ta kem këtë vit dhe ky është synimi im”, ka thënë Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Kurse, sa i përket mungesës së pushimeve, Krasniqi tha se s’është dicka e re pasi që ka pasur vera që s’ka pasur fare pushim.