Krasniqi në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi heronjtë tanë të luftës dhe paqes
Memli Krasniqi me bashkëpunëtorë kanë shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosoëvs në fshatin Marinë të Skenderajt, shkruan Periksopi.
Kryetari i PDK`së në një shkrim në faqen e tij në Facebook, nga ky aktivitet, ka kujtuar të gjithë të rënët për liri.
Ai, përvec tjerash ka përmendur edhe ish krerët e UÇK`së që po mbahen në Hagë.
“Nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjët tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në atë hapësirë të shenjtë, mbrëmë kumboi refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Njoftimi i plotë:
Mbrëmë, mes bukurisë së qetë të Marinës së Skenderajt, historia jonë e lavdishme dhe ëndrrat e së ardhmes u bënë bashkë në një simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.
Teksa u mblodhëm për të shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në vendin ku prehen përjetësisht më të merituarit e lirisë tonë – dëshmorët tanë, emocionet ishin të shumta.
Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të skenës së ngritur me shije dhe elegancë, bënte që secili zë që ngjitej aty – të dukej sikur vinte nga vetë shpirti i kombit tonë.
Nga meloditë emocionuese e deri te interpretimet që preknin zemrën, çdo moment ishte i mbushur me thelbin e rrugëtimit tonë kolektiv.
Nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjët tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në atë hapësirë të shenjtë, mbrëmë kumboi refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi.
Derisa i dhamë lamtumirën natës, ishte mëse e natyrshme t’ia rikujtojmë vetes se e kemi për obligim që të mbartim pishtarin e lirisë të ndezur në zemrat tona, të vetëdijshëm se udhëtimi ynë është larg përfundimit.
Në fakt, udhëtimi ynë për të realizuar ëndrrat dhe amanetin e dëshmorëve tanë, është ende në fillim.
Faleminderit organizatorëve, posaçërisht mikut tonë amerikan, Benito Mares, për këtë koncert të mrekullueshëm.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!🌹