Krasniqi i AAK-së: Ec Pec, po të pret fati i Rikalos

Krasniqi i AAK-së: Ec Pec, po të pret fati i Rikalos

Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj ministrit Faton Peci, i cili përmes një videoincizimi tregoi se edhe Lista Serbe, e cila në vitet 2019-2020, e udhëhiqte Ministrinë e Bujqësisë, kishte refuzuar grantet për kooperativën “Krusha”.

“Ju jeni këta: Mburreni se jeni të njëjtë me ministrat paraprakë të Listës Serbe. Mbase përmendja e saj nga ju është ogur i mirë për popullin. Po ju pret fati i ish-ministrit Nenad Rikalos, i cili u dënua se veproi siç bëtë ju sot me sebepet e Fitore Pacollit dhe të afërmit tuaj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, nëse Fahrjia nuk e potencon nesër këtë gjë, ajo e bën nga modestia e jo se i dhimbsen pushtetarët si Peci.

“Nëse zonja Fahrije nuk i thotë këto nesër, nuk nënkupton se po frikësohet e po ju kursen, porse ajo vazhdon të karakterizohet nga thjeshtësia dhe vullneti për punë, se ajo s’parapëlqen të viktimizohet në kohë paqeje, se krushjanët mjaftueshëm kanë dhënë që ju sot të abuzoni dhe të talleni me ata që humbën gjithçka” ka shkruar kreu i Degës së AAK-së në Prizren.

Krasniqi ka kërkuar që të mos tërhiqet vëmendja nga skandali, duke i përmendur Gratë e Krushës.

“Ti dhe të tjerët, mos i përmendni Gratë e Krushës dhe emrin e Fahrije Hotit për ta zhvendosur vëmendjen nga skandali me subvencione. S’keni as dije, as fytyrë e as njerëzi të flitni për to! Njerëzillëku është luks për ju!”, ka shkruar Krasniqi.

Shpërndaje në: