Krasniqi fajëson Qeverinë Kurti për ikjen e qytetarëve

Krasniqi fajëson Qeverinë Kurti për ikjen e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka lënë fajtore Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për ikjen e qytetarëve.

Duke komentuar numrin e banorëve rezidentë të publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave, Krasniqi ka thënë se për katër vjet, Kosova ka humbur mbi 210 mijë banorë. Për këtë, ka fajësuar Qeverinë aktuale.

“Përkundër vonesave dhe shtyerjeve të shumta të regjistrimit të popullsisë nga ana e Qeverisë, më në fund, Agjencia e Statistikave të Kosovës sot publikoi numrin e banorëve rezidentë në vendin tonë. Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë. Sipas ASK-së, në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo Agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë. Qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktistin vendin! Ose, thënë më mirë, Qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre. Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë – pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet”, ka shkruar kryetari i partisë opozitare në Facebook.

Shpërndaje në: