Krasniqi, AAK: Selia e Presidences në qytetin historik të Prizrenit
Para qindra pjesëmarrësve, AAK në Prizren ka prezantuar kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë prezantimin e kandidaturave për deputetë nga komuna e Prizrenit. Në një tubim masiv, më i madhi i parë ndonjëherë në këtë qytet, Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj, morën besimin për ta përfaqësuar Prizrenin në listën e AAK-së dhe partnerëve të saj të koalicionit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ekipi që prezantoi do të shtyjë papara projektet madhore për Kosovën.
“Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, prezantuam ekipin tonë të fortë për Kuvendin e Kosovës: Bashkë me ta, do t’i japim fund vuajtjes së qytetarëve për ujë të pijshëm me ndërtimin e digës së Manastiricës, do ta funksionalizojmë zonën industriale dhe do ta mbrojmë trashëgiminë historike të Prizrenit” ka thënë Haradinaj.
Kreu i Degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, i cili do t`i prijë ekipit nga Prizreni në garën për Kuvendin e Kosovës, tha se qyteti historik nuk duhet të mjaftohet vetëm me epitetin si kryeqytet historik, ngase ka potencial për të qenë seli e institucioneve qendrore siç është Presidenca.
“Shumë ngjarje të përmasave kombëtare janë ideuar dhe janë mbajtur në Prizrenin tonë, në Prizrenin e të gjithë shqiptarëve, i cili ka historinë, infrastrukturën, pozitën gjeografike dhe çdo gjë tjetër për t`u bërë kryeqendra e unitetit politik”, tha Krasniqi, duke pasqyruar nismën e tij që selia e presidentit të bartet në Prizren.
Krasniqi tha se më 9 shkurt Kosova do të përcaktohet për të ardhmen e saj zhvillimore e euroatlantike duke i ndarë rrugët njëherë e përgjithmonë me lëvizjen anarkiste të Repubklikës të cilët deshën ta shkatërrojnë edhe familjen tonë shqiptare.
“Më 9 shkurt Kosova do ti ndajë rrugët me këtë grup zullumqarësh të cilët duke dashur të gllabërojnë cdo të mirë, hodhën baltë mbi cdo të arritur të këtij vendi, mbi cdo personalitet që nuk i përkiste, mbi cdo individ që nuk i nënshtrohej diktatit të tyre. Ata kanë harruar se “Kosova nuk i nënshtrohet një njeriu”, tha ndër të tjera Krasniqi.