Krasniqi: 26 vjet më parë, bota e lirë i doli zot historisë – mirënjohje e përjetshme NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar sot, në përvjetorin e 26, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si “një histori suksesi të lirisë dhe demokracisë”.
“26 vjet më parë, bota e lirë i doli zot historisë. Në një moment vendimtar për popullin tonë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli ynë po luftonin kundër gjenocidit të pushtuesit serb, NATO ndërhyri në Kosovë”, tha Krasniqi, përcjell Periskopi.
Sot, 26 vjet më pas, ai thotë se “Kosova është një shtet i lirë dhe sovran, një histori suksesi e lirisë dhe demokracisë në rajon”.
Krasniqi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë arritje historike, ndërsa kujtoi specifikisht dëshmorët e rënë për liri.
“Mirënjohje e përjetshme NATO-s dhe të gjithë atyre që qëndruan në anën e duhur të historisë. Falë ndërhyrjes së saj, Kosova është e lirë, dhe liria jonë është e përhershme!” tha ai.