KQZ sot miraton fletëvotimin, votimi jashtë Kosovës nis të enjten
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ndërsa do të miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së po ashtu ka njoftuar se të enjten pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë shtetit.
“Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.
Ai ka njoftuar edhe lidhur me votimin jashtë shtetit.
“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës. Gjithashtu, miratimi i fletëvotimit mund t’iu shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore”, tha Elezi për televizionin publik të Kosovës.
Ndryshe, fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt, derisa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt.