KQZ publikon raportet financiare të partive politike, ja sa shpenzuan partitë më të mëdha

KQZ publikon raportet financiare të partive politike, ja sa shpenzuan partitë më të mëdha

Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar raportet financiare të subjekteve politike për periudhën korrik-shtator 2024.

Këto raporte përfshijnë shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera.

Nga këto raporte del që më së shumti gjatë kësaj kohe ka shpenzuar Lëvizja Vetëvendosje, gjithsejt 351 mijë e 708 euro.

Përgjysmë më pak gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar Partia Demokratike e Kosovës, subjekti i dytë politik më i madh në vend. Kjo parti ka shpenzuar gjithsejt 160 mijë e 137 euro.

Ndërsa, pak më pak ka shpenzuar në këtë kohë Lidhja Demokratike e Kosovës, fuqia e tretë politike më e madhe në vend. Shuma që ky subjekt ka shpenzuar arrin shifrën e 147 mijë e 841 eurove.

E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas raportit tremujor financiar që ia ka dërguar KQZ-së, gjatë periudhës korrik-shtator ka shpenzuar 80 mijë e 944 euro.

Edhe partitë tjera parlamentare të minoriteteve i kanë dërguar raportet e tyre financiare në KQZ.

Për çdo vit, nga Buxheti i Republikës së Kosovës ndahen mjete për subjektet politike parlamentare, të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Mjetet Financiare të dedikuara për subjektet politike, në bazë të ligjit, janë transferuar në llogaritë e secilit subjekt të cilët janë përfitues nga ky fond.

Ndërsa mjetet e ndara për Grupet Parlamentare janë menaxhuar nga sekretari i Sekretariatit të KQZ-së dhe me kërkesat e Grupeve Parlamentare janë kryer të gjitha transaksionet e nevojshme për shpenzimet e aktiviteteve të Grupeve Parlamentare.

Subjektet Politike, në bazë të memorandumit të nënshkruar me Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë obliguar që të raportojnë për çdo tremujor për shpenzimin e mjeteve që iu është transferuar në llogarinë e subjektit politik.

Shpërndaje në: