KQZ publikon raportet e paaudituara financiare të subjekteve politike – Kaq para i shpenzoi LDK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike, për vitin 2024, transmeton Periskopi.
Këto raporte përfshijnë shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera.
Sipas një komunikate, KQZ sqaron se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues.
Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur të hyra vjetore 643 mijë e 47 euro, prej të cilave janë shpenzuar 594 mijë e 398 euro e 59 centë.
LDK-ja ka deklaruar si pasuri afatgjate toka, objekte dhe pajisje në vlerë prej 136 mijë e 11 euro e 23 centë.
Ndërkaq, pasuri afatshkurtra, si llogaritë e arkëtueshme dhe ekuivalentët e parasë, LDK-ja i ka në vlerë prej 3,606 euro e 29 centë.
LDK-ja ka deklaruar mbi 144 mijë euro hua të pagueshme, teksa mbi 59 mijë euro i ka raportuar si detyrime afatshkurtra.
302 mijë e 497 euro e 11 centë është vlera e pagave të kompensuara të pjesëtarëve të partisë, gjithnjë sipas deklarimit të paaudituar të LDK-së.
Gjatë vitit 2024, LDK-ja deklaron s ka shpenzuar 17 mijë e 705 euro për karburante, 298 euro për bileta aeroplani, autobusi e taksie dhe 5 mijë e 329 euro e 53 centë për sigurim dhe mirëmbajtje të veturave.
LDK-ja nuk ka deklaruar shpenzime rreth aktiviteteve kulturore, as afishimit, reklamave, reprezentacionit apo konferencave, por ka deklaruar 50 mijë e 597 euro e 20 centë shpenzime për fushatë.
Mbi 91 mijë e 254 euro janë shpenzuar për qira të lokalit, telefon e internet, shërbime komunale, fatura të energjisë elektrike dhe ë zhvlerësimit të pasurisë afatgjate.
Ndërkaq, 34 mijë e 472 euro e 12 centë janë shpenzuar për mirëmbajtje të pajisjeve dhe hapësirave të zyrës, si edhe shpenzime të tjera.
KËTU mund të lexoni raportin e plotë.