KQZ-ja refuzon 3 mijë e 14 pako nga votimi me postë deri më tani, aprovon rreth 45 mijë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTK se deri më tani janë shqyrtuar mbi 48,018 pako me fletëvotime të ardhura përmes postës.
Nga këto 45,004 janë pranuar si të vlefshme, ndërsa 3,014 janë refuzuar për shkak të parregullsive të ndryshme.
“Aktualisht, KQZ është duke bërë vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004, ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë, kanë dërguar më shumë se një fletëvotim, etj”, ka bërë të ditur Elezi.