KQZ-ja jep detaje për votimin me postë, 31 ditë afat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 9 janar ka filluar votimi jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për votim përmes postës, ndërkaq votuesit e regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, duhet të presin datën 8 shkurt 2025.
Sipas KQZ-së, kjo periudhë do të vlejë për 84,525 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës të cilët gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për të votuar përmes postës.
Lajmi është bërë i ditur për EkonomiaOnline nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Kjo periudhë do të përfundojë më 8 shkurt 2025. Kjo periudhë 31 ditore (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit “duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës” apo “duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.
“Ndërkaq, shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025”, ka thënë më tej Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri më i madh i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës kanë përzgjedhur votimin përmes postës.
“Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104,924, prej të cilëve 20,399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,421 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi fizik në përfaqësi diplomatike zhvillohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra më 8 shkurt 2025.
Votimi fizik në përfaqësi diplomatike do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme, si: Gjermani, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, ShBA, Francë, Itali, Kanadë, Turqi, Norvegji, Slloveni, Suedi, Danimarkë, Kroaci, Holandë, Çeki, Hungari, Maqedoni e Veriut, dhe Australi.
Udhëzuesi i KQZ-së se si duhet të votohet përmes postës:
Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.
Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin
1. Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.
2. Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.
3. Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.
4. Pasi të plotësoni fletëvotimin:
• Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.
• Mos shkruani asgjë mbi zarf!
Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin
1. Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.
2. Brenda zarfit të dytë, vendosni:
• Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.
• Dëftesën e regjistrimit.
3. Mbi zarfin e dytë:
• Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ-së).
• Vendosni një pullë postare.
4. Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.
Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:
• Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).
• Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.