KQZ funksionalizon platformën elektronike për aplikimin e subjekteve politike
Në kuadër të digjitalizimit të operacioneve të ndryshme zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është funksionalizuar platforma elektronike: https://certifikimi.kqz-ks.org/.
Kjo platformë do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të
mbahen më 9 shkurt 2025.
“Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve
Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘Userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
Për përdorim më të lehtë të kësaj platforme, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe KontrollinFinanciar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka mbajtur disa seanca trajnimi me përfaqësues të
subjekteve politike.
Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, njoftohet se Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, ka filluar më 1 shtator
dhe do të përfundojë më 11dhjetor 2024, në orën 16:00.