KPK i reagon zv/ministrit Sallahu për postimin skandaloz: Kanë përmbajtje jashtëzakonisht tendencioze, propaganduese dhe linçuese
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka shpërndarë një postim të publikuar nga drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës kritikohet ashpër. Madje përdoren edhe shprehje skandaloze si “Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet”.
Ndaj kësaj kanë reaguar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i quajtur komente nxitëse, tendecioze dhe propaganduese.
Sipas njoftimit, nga KPK thonë se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre.
Tutje thuhet se Sallahu sipas pozitës që ka do të duhej të angazhohej për ngritjen e kapacitetve, e jo të vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial.
Njoftimi i plotë:
KPK dhe ZKPSH reagojnë ndaj komenteve nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese të Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu
Prishtinë, 12 nëntor 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, reagojnë ashpër ndaj komenteve të Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra Facebook, duke e quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”, duke potencuar se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, sepse kanë përmbajtje jashtëzakonisht nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj.
KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale.
Këto dy institucione të pavarura, deklarojnë se nuk do të ndalen asnjëherë para linçimit publik të eksponentëve të tillë politikë, të cilët kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale dhe janë vënë në ofensivë denigruese ndaj vlerave të përgjithshme të sistemit prokurorial, duke ndërhyrë paturpësisht në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, e cila pashmangshëm bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu nënvizojmë se puna, përgjegjësia, kompetenca dhe misioni i prokurorive dhe i prokurorëve të shtetit nuk janë çështje e vullnetit dhe e fjalomanisë së individëve të caktuar dhe do të mbesin përherë jashtë çdo agjende të politikës ditore dhe nuk do të tolerojmë realizimin e qëllimeve të sojit të z.Sallahu, ngaqë Prokurori i Shtetit përditë e më tepër po intensifikon angazhimet konkrete për ndriçimin e të gjitha rasteve, përfshirë edhe rastet ndaj zyrtarëve të dyshuar që janë në pushtet, duke mos u shmangur assesi nga misioni dhe pavarësia e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet”, Sallahu shpërndan postimin skandaloz