KPK i reagon Kurtit: Zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas refuzimit të kryeministrit Kurti për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me keqpërdorimet me rezervat shtetërore.
Në një reagim, KPK dhe ZKPSH kanë thënë se ligji nuk mund të interpretohet sipas shijeve dhe nevojave ditore të kryeminsitrit në detyrë.
Tutje në reagim thuhet se me deklarimet e Kurtit përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse sipas njoftimit veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim.
Njoftimi i plotë:
KPK dhe ZKPSh: Inkurajojmë dhe mbështesim Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj për të fuqizuar rendin dhe ligjin në vendin tonë
Prishtinë, 4 mars 2025
Me rastin e deklaratave të sotme publike, të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e tij në prokurori, Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.
KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.