Kosovës s’i duhen kompromise të reja me Serbinë, i gatshëm t’i rikthehem udhëheqjes së LDK’së

Periskopi.com Lajme

“Unë mendoj se Kosova i ka bërë kompromiset e veta. Janë kompromise, të cilat janë dhënë me Pakon e Ahtisarit… Keni parasysh formulat, të cilat nuk i gjejmë në asnjë shtet tjetër, për mënyrën e qeverisjes, për praninë e komuniteteve pakicë, për të drejtat e tyre, posaçërisht nëse e marrim komunitetin serb”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sejdiu, Kosova dhe Serbia, tashmë po hyjnë në fazën finale të dialogut. Sa e shihni të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se është e nevojës gjithmonë që Kosova dhe Serbia ta përfundojnë edhe këtë pjesë të bisedimeve për një qëllim të vetëm dhe tepër të rëndësishëm, për popujt e dy vendeve, në kuptimin e kapërcimit të asaj që është pengesë në komunikimet normale, në lëvizjen e lirë të qytetarëve, në ecje të tjera të zakonshme që bëjnë shtetet e tjera sovrane dhe të përshpejtimit të procesit për integrime. Prandaj, them se pikërisht kjo pjesë, me të gjitha vështirësitë e veta ka edhe disa sinjale që eventualisht mund të dalin me rezultat.

Por, duhet të them, po ashtu, dhe të shpreh shqetësimin tim se kjo formë e dialogut ka zgjatur shumë. Ka zgjatur, fatkeqësisht, për shkak të mungesës së elementeve shumë të nevojshme paraprake, që të hyhet në dialog të tillë dhe për të realizuar edhe për Kosovën, atë qëllim që ne e kemi shprehur edhe në kohën e bisedimeve të mëhershme, që ky proces të përfundojë me një marrëveshje, apo një traktat paqeje – një marrëveshje që do të ishte përfundimi i gjithë kësaj pjese që mund të jetë pengesë eventuale.

Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se Kosova e ka përfunduar pjesën e statusit politik të saj, është shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Është shtet që është vënë në bankën e zezë praktikisht me momentin e ngritjes së kërkesës së Serbisë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare, për të vlerësuar se a është pavarësia e Kosovës e shpallur, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare apo jo. Ajo përgjigje është dhënë dhe fatkeqësisht në ecje e sipër, Serbia ka arritur që të instalojë një logjikë, e cila ka qenë pengesë edhe në këtë proces të dialogut edhe në ecje të mëtejshme sepse një dialog çfarë Serbia e ka menduar gjithmonë sipas prizmit të saj të shikimit, është dialog i cili nënkupton në një formë apo formë tjetër, prishjen e konceptit të përparshëm, të të gjithë asaj që ne e quajmë si proces të përfunduar.

Me këtë, deshëm apo nuk deshëm, vetë natyra e dialogut – e thënë fillimisht si dialog në nivel teknik dhe shkohet në nivele të mëvonshme, të cilat praktikisht kanë bërë që tash e sa vjet të jetë një zvarritje jashtëzakonisht e madhe – të jetë një element i cili drejtpërdrejt ka ndikuar edhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të jetë një proces, që në po të njëjtën mënyrë e ka penguar Kosovën në anëtarësimin e saj në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe po ashtu, në shikimet e përgjithshme në raport mes dy vendeve.

Unë kam pasur rezervat e mia që herët për këtë natyrë të kërkesave të Serbisë. Dihet një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dialogu të vazhdojë. Që atë kohë kam thënë se ai dialog duhet të definohet qartë. Kjo është në shtator të vitit 2010. Kam thënë se duhet të dihet formati i tij dhe të dihet se çfarë duam prej tij, por jo një dialog që do të hyhet me një të panjohur apo shumë të panjohura – një dialog që shpesh ka rrëshqitur në çështje, të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme, sepse e shohim interesimin e vazhdueshëm të Serbisë për t’u përfshirë në çështje të brendshme të Kosovës.

Kjo ka të bëjë jo vetëm me strukturat paralele, por edhe me kërkesat e tjera që kanë prodhuar efekte negative deri më tani, sepse kanë instruktuar serbët, qoftë edhe ata që janë në institucione të Kosovës, sidomos në fazën e fundit, që të jenë një shtrëngesë në lëvizjet tona normale, e të cilat lëvizje do të jenë thjesht një përmbushje e garancive që janë dhënë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një Kushtetutë e cila është me standarde për trajtimin e të drejtave të lirive të njeriut dhe të komuniteteve, etnive pakicë, jashtëzakonisht të avancuara.

Rrjedhimisht, i shohim këto zhvillime, sidomos në fazën e fundit, se si kanë ardhur dhe diçka që gjithmonë ka qenë si përpjekje e keqinterpretimit të dokumenteve të mëhershme. Po e zëmë, Dokumenti i Ahtisaarit, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mënyra se si Serbia dëshiron që nëpërmjet një kërkese të shtuar dhe presionit që bën me njerëzit, posaçërisht në veri dhe në komunat me shumicë serbe, që ta ngritë në pjesën e përgjegjësive të tyre, në nivele ekzekutive, e që është e pamundshme.

Prandaj, kam shumë frikë se këto lëvizje që Serbia i ka bërë, fatkeqësisht i ka imponuar në shumë situata. Praktikisht, i kanë vënë në një pozitë jashtëzakonisht të ndjeshme edhe raportet e dialogut, raportet mes dy vendeve, duke pasur parasysh dhe jo fort insistimin e thellë dhe me ambicie të plota që të përfundohet, në natyrën çfarë unë do ta quaja në situatën më të mirë të menduar këtë tip të dialogut.

Tani kemi një situatë, e cila unë them se është e ndjeshme për Kosovën, një situatë e cila praktikisht e ka sjellë që dialogu gati, në një formë apo në formë tjetër, të jetë tema e përditshme edhe në media, dhe të jetë temë e përditshme, ta quajmë, në ambiciet e faktorëve të tjerë dhe këtu Serbia, fatkeqësisht e ka luajtur lojën e vet. Shiheni paralelen që ajo(Serbia) e bën, në të njëjtën kohë, sa vrapojnë njerëzit e Serbisë pra Ministria e Jashtme, të sektorëve të tjerë, t’i pengojnë njohjet e Kosovës. Bile, të shtyjnë shtete, apo të kërkojnë prej tyre tërheqjen e njohjes së bërë për Kosovën,sikurse dhe çështje të tjera – e keni parasysh ta zëmë UNESCO-n para dy vjetësh etj.

Radio Evropa e Lirë: Janë paralajmëruar edhe kompromise të vështira për të dyja palët. Nëse për Serbinë, kompromisi më i madh do të ishte njohja e shtetit të Kosovës, cili do të ishte kompromisi i Kosovës në raport me Serbinë?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se Kosova i ka bërë kompromiset e veta. Janë kompromise, të cilat janë dhënë me Pakon e Ahtisarit, është një dokument jashtëzakonisht gjithëpërfshirës dhe emrin e ka të natyrës së tillë sikur edhe vetë përmbajtja. Keni parasysh formulat, të cilat nuk i gjejmë në asnjë shtet tjetër, për mënyrën e qeverisjes, për praninë e komuniteteve pakicë, për të drejtat e tyre, posaçërisht nëse e marrim komunitetin serb. Serbët diku në 5 për qind, sa është pjesëmarrja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Kosovës, kanë të drejtat e barabarta me shqiptaret që janë shumicë që janë përtej 92 për qind.

Keni parasysh atë, vendet e rezervuara në Parlament, vendet e rezervuara në pushtetin lokal dhe çështjet e tjera, të cilat lidhen me vendimmarrjen, në të 2/3 e detyrueshme dhe të nevojshme të komuniteteve pakicë për çështje të rëndësishme dhe shoh sot, deshëm apo nuk deshëm të themi, ata, siç thashë edhe më herët, i kanë penguar edhe shumë procese në mënyrë të paarsyeshme ta zëmë çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës, apo e ndonjë iniciative tjetër, e cila domosdo, duhet të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Prandaj, do të jetë mirë edhe për të (Serbinë) dhe për vetë serbët në Kosovë që të përfundojë me procesin e njohjes, sepse kemi thënë një formulë që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që me deklaratën e miratuar nga deputetët dhe me premtimet esenciale që janë dhënë nga mekanizmat ndërkombëtarë, si ndërmjetësues se kjo është përmbyllje e një procesi duke pasur parasysh edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të dy – tre vjetëve sa ka zgjatur deri më 2012, dhe atëherë është përfunduar.

Çka është tjetra? Tjetra është se Serbia, praktikisht, ka dëshiruar të involvohet vazhdimisht në gjithë strukturën e brendshme dhe hapësirat e brendshme, duke instruktuar njerëzit që të bëjnë edhe obstruksione, të cilat kanë qenë të dëmshme edhe për perspektivën e tyre. Dhe, nuk e di cili duhet të jetë kompromisi i dhembshëm për Kosovën tash! Unë e di që shtrohen shumë tema. Shtrohet tema, ta zëmë, e ndarjes së Kosovës, bisedohet e thuhet në qarqe të ndryshme e kuluare, të cilat unë nuk dua t’i marr shumë serioze, po mbase, nganjëherë janë edhe se gicilojnë bisedën se janë shtruar edhe në forma të tilla edhe më herët. Ndarja e Kosovës dhe përpjekja që në njëfarë mënyre të ketë ridizajnime të kufijve në këto hapësira të Evropës Juglindore, është jashtëzakonisht e rrezikshme.

E kam thënë edhe në kohën kur kam qenë president i vendit, edhe më herët, dhe e përsëris edhe tash; të jetuarit brenda një etnie brenda kufijve të vet, është zgjedhje ideale, në këtë rast edhe për shqiptarët zgjedhje ideale do të ishte atë që Serbia e thotë apo dikush tjetër, ta quajmë, bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, zgjedhja racionale është kjo që Kosova ka zgjedhur dhe mendoj se është një kompromis jashtëzakonisht i madh. Një kompromis që përputhet esencialisht me qëndrimet që kanë qenë edhe të Grupit të Kontakti. Kemi parasysh ato tri pikat e rëndësishme të fillimit të vjeshtës së vitit 2005, se Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen e vitit 1999 dhe para saj; se Kosova nuk do të ketë ndryshime të kufijve; dhe se Kosova nuk do të bashkohet me ndonjë vend tjetër.

Pra, ta quaj një trepikësh jashtëzakonisht esencial, i cili ka qenë udhëheqës në proceset e mëvonshme.

Unë e kam udhëhequr dialogun me Serbinë gati dy vjet të plota dhe i di qëndrimet që kanë qenë dhe debatet e mëdha që janë zhvilluar. Në ato debate ka qenë esenciale, sepse ka qenë edhe përfaqësuesi i federatës ruse, zoti Archenko në atë kohë, ishte përfaqësuesi i SHBA-së, ambasadori Frank Wisner , dhe ishte përfaqësuesi i BE-së , ambasadori Wolfgang Ischinger.

Dhe, çka ishte e rëndësishme ishte se në pikat esenciale, domosdo se përputheshin, se ishin të përbashkëta. Në anën tjetër, Serbia, fatkeqësisht, në forma të ndryshme të trysnive, ka arritur që të krijojë ta quaj një status- quo të neveritshme, jo të lehtë edhe për qytetarët serbë.

Keni parasysh zhvillimet e fundit, presionet tek ata, sepse ata e pranojnë (presionin) që ta lëshojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës, apo mekanizmat e tjerë të institucioneve të Kosovës që është dëm edhe për vetë serbët.

Natyrisht, që është dëm edhe për proceset e mëtejme. Prandaj, unë uroj që këtë fazë finale që po e quajnë, nuk e di se sa është finale, uroj që të përmbyllen këto procese. E mira e së mirës ka qenë që natyra e dialogut të jetë natyrë e dialogut teknik, jo të ngrihet asnjëherë në rrafshet që esencialisht mund të tangojnë (prekin) kornizat themelore të ndërtuar deri tash edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe natyrisht të kemi një rehati në ecjet e mëtejme.

Radio Evropa e Lirë: Janë përmendur edhe vijat e kuqe të dialogut. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar dialog pa vija të kuqe, ndërkohë që ka shumë mospajtime rreth deklaratave të tij. Si e shihni ju një dialog eventual pa vendosjen e vijave të kuqe në të?

Fatmir Sejdiu: Esenciale për një proces është që të dihet skema kryesore se deri ku dhe si mund të shkohet në të. Me fjalë të tjera, të jetë një agjendë e përcaktuar qartë. Natyrisht, unë nuk them se ajo duhet të debatohet me secilin, por të jetë shumë e qartë dhe të jetë e pranueshme për interesat e vendit.

Uroj të jetë kësisoj! Nuk jam asnjëherë për format e dialogut që mund të jenë të infinitiv. Unë nuk dua të besoj se përfaqësuesit e Kosovës në këtë rast të mund të lëshohen në një rrafsh të tillë që të shkohet pa vija të kuqe apo pa një formë të kornizimit të procesit të dialogut dhe të jetë e pafund.

Po duhet të jetë diçka që praktikisht që dihet ecja, pikat esenciale të trajtesave, apo të problemeve që do të shtrohen dhe natyrisht fokusin, apo atë që ne e konsiderojmë të ligjshme, të natyrshme dhe të pranueshme për të ardhmen e Kosovës dhe për qytetarët e saj.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, që dialogu po shkon drejt finale, në Prishtinë ende nuk ka një konsensus ndërmjet partive politike. Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi të brendshëm?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se është e nevojshme që për tema të mëdha – në këtë rast deshëm apo nuk deshëm, na ka ardhur si një temë e rëndësishme në të përditshmen tonë – që të ketë konsensus, që të ketë një marrëveshje.

Çdo marrëveshjeje të mirë dhe të nevojës, duhet t’i prijë, ta quaj ndjenja e komunikimit dhe vetë komunikimi i thellë, i ngjeshur dhe i hershëm.

Nëse, kjo nuk ndodh, mendoj se mund të jetë jo fort e hijshme dhe mund të jetë jo fort rezultative në kuptimin e asaj, sepse te vetë qytetarët ka shqetësime. Unë nuk them dhe nuk dua se besoj në institucione se kjo mund të jetë një formë për të investuar në përçarje të mëtejshme.

Radio Evropa e Lirë: Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se ndoshta ka munguar pak më herët, thjesht një nevojë e komunikimit dhe në të njëjtën kohë, një përpjekje shumë më serioze. Nuk e di se çka bëhet në pjesën e brendshme të aktiviteteve, por besoj se nuk është e mjaftueshme vetëm thirrja që në opinion del“Ejani apo po shkojmë, apo si…”, siç jemi mësuar t’i dëgjojmë nganjëherë.

Për mua është tepër e rëndësishme, siç punohet në kanale të tjera dhe me partneret e tjerë, po ashtu edhe në pjesën e jetës sonë të brendshme të ketë një komunikim të sinqertë.

Mbase ka dikush që e thotë vetëm sa për ta, siç thonë, ‘larë gojën’ dhe nuk është aty. Por, është shumë e rëndësishme se është momenti kritik – njerëzit duhet ta gjejnë energjinë, duhet të jetë një respekt i përhershëm për strukturën e institucioneve të vendit, hierarkitë e tyre dhe përgjegjësitë e tyre çfarë ato i kanë, si dhe një komunikim që duhet të rezultojë. Kjo, sepse, fundja, gjithmonë si pjesë të formulës që është esenciale, se edhe pozita dhe opozita, i kanë përgjegjësitë e veta. Që të dyja krijojnë institucionet e Kosovës dhe fizionominë e saj. Për ne është e rëndësishëm që ai moment të gjendet si duhet, njerëzit të bashkërendojnë veprimet e tyre, idetë dhe natyrisht konsensusi del thjesht, ndoshta edhe nga një rropatje eventuale një dialog që mund të jetë edhe më i thellë, por që duhet të dalë me rezultat.

Sejdiu: Gjithmonë i gatshëm për udhëheqjen e LDK-së

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund t’i kthehemi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e keni drejtuar për disa vjet. A planifikoni kthimin tuaj në funksionet partiake, pra në LDK?

Fatmir Sejdiu: Unë e kam dhënë përgjigjen time rreth kësaj pyetjeje që e shtroni ju, se është shtruar në forma të ndryshme. Gjithmonë kam qenë, jam, dhe do të jem i gatshëm që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj mendojnë se mund të jem në përgjegjësi të veçuara, në këtë rast edhe në udhëheqjen e partisë, jam i gatshëm, absolutisht po.

Nuk jam njeri që insistoj domosdo, absolutisht, por insistoj që LDK-ja të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Në këtë rast, unë jam një nga njerëzit që kujtoj se e kam energjinë, e kam bagazhin tim, thjesht edhe politik, edhe përvojën jashtëzakonisht të bollshme, por ajo gjithmonë mund të begatohet edhe plus që të jap kontributin tim në çdo situatë.

Prandaj, ajo që më shtyn mua ta them këtë, është brumi i saj, është esenca e saj, është përmbajtja e saj, është projekti i saj që nga fillimi – filozofia e saj politike. Ka çështje, me të cilat nuk jam pajtuar e nuk pajtohem as sot, me zhvillimet brenda LDK-së, dhe nuk është momenti që tash ato t’i elaboroj.

Mirëpo, ajo që mua më mban në LDK, është ajo që e kupton dhe është thjesht shprehje e unit, identitetit të saj real në anëtarësinë gjerë që ka dhe në strukturat e saj të gjera. Kjo, sepse LDK-ja është një parti, unë them gjithmonë, e fuqishme, pavarësisht nuancave kohore dhe momenteve që kanë qenë në procese të caktuara zgjedhore, nganjëherë thjesht procese jokorrekte, nganjëherë jo, por shumë raste, i dini edhe vetë në kronikat tuaja, e nganjëherë jashtëzakonisht jokorrekte, dëmtimet që janë bërë. Njerëzit kanë menduar se (flas për strukturën e LDK-së) rezultati do të jetë vetëm ai i kutisë (votës aty), por rezultati është edhe dikush tjetër se si është mbushur kutia apo si është abuzuar, dhe kanë ndodhur ato procese.

Por, është e rëndësishme ajo që LDK-ja e ka një identitet real, në një filozofi që ka themelet e saj nga dhjetori i vitit 1989, në atë kohë kur edhe Presidenti Ibrahim Rugova merr timonin e saj. Dhe, ta quajmë gjithë ajo ndjenjë që është në anëtarësinë e saj e zhvilluar – shpeshherë kemi anëtarë jashtëzakonisht cilësor që nuk janë në struktura në të sotshmen, por janë njerëz që nuk dalin në parti tjetër. Ata mund të kenë hidhërime edhe me LDK-në, mos ta vënë votën, mos të dalin në proces zgjedhor, por janë njerëz që nuk kanë lëvizur nga aty. Unë jam një nga njerëzit e tillë, sepse e dini në kohën kur ju i keni përcjellë edhe disa procese që kanë qenë, unë kam pasur hidhërimet e mia, që është e logjikshme, është e njerëzishme, por nuk kam kaluar në ndonjë subjekt tjetër.

Dhe, mendoj se kjo është një qasje e re që një parti politike e ka, sepse jemi ngopur me lëvizjet, siç i quajnë në Shqipëri, me “merkaton” që bëhet për një treg me lojtarë, me lëvizjet që kanë bërë njerëzit nga një parti në një parti tjetër, në forma të ndryshme. Ajo është e neveritshme dhe atë(dukuri) e kemi pasur të pranishme në Kosovë dhe fatkeqësisht është edhe tash.

Por, unë them se pikërisht kjo qasje që unë e kam dhe që e kanë shumë njerëz, me të cilët mendojmë bashkë, ka bërë që LDK-ja ta ruajë fizionominë e vet edhe në këtë aspekt. Ata që kanë dalë, kanë provuar parti të reja, janë therë, flas në kuptimin më negativ të mundshëm, ose kanë bërë shërbime thjeshtë për partinë… E keqja më e madhe mund të jetë kur brenda LDK-së, sikurse edhe në parti të tjera, mund të ketë njerëz që punojnë për parti të tjera.

Mund të ketë njerëz që në projektet e tyre janë në shërbime të caktuar, të tillë që praktikisht dëshirojnë t’i mbajnë dy pozicione dhe të shohin se ka e mban barra. Praktikisht, është një diçka jokorrekte, ka ndodhur, ka shenja të tilla, pra ka pasur shenja të tilla se ka pasur, por s’dua të them emra.

Shpërndaje në: