Kosovës i duhet një parti e re, zgjedhjet e ardhshme duhet ta bëjnë ndryshimin

Periskopi.com Intervista

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri ka folu për procesin e themelimit të partisë së re, e cila tashmë ka publikuar një Deklaratë të Parimeve të përgjithshme.

Partia e re, që sipas Ymerit, do të ketë orientim socialdemokrat, synim të angazhimit të saj do ta ketë lirinë dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në një intervistë për Periskopin, Ymeri ka folur për Deklaratën e Parimeve, themelimin e partisë, emrin dhe opsionet për emrin, bashkëpunimin me partitë tjera, si dhe situatën politike në Kosovë.

Më poshtë intervista e plotë:

Intervistoi: Shpend Gudaqi

Periskopi: Z. Ymeri, të martën publikuat Deklaratën e Parimeve të partisë që do të themelohet së shpejti. Në mënyrë të përgjithshme, çfarë do të thotë një parti e re për skenën politike në Kosovë?

Ymeri: Së pari, kjo deklarata që është publikuar të martën i përmbledhë të gjitha ato bindje konceptuale e politikë, të cilat na bëjnë neve bashkë, jo vetëm si grup parlamentar që jemi në Kuvendin e Kosovës, por me të gjithë ata bashkëpunëtorët tjerë që janë jashtë Kuvendit, që e gjejnë veten e tyre në këtë deklaratë. Kjo deklaratë është edhe mbështjellësi politik i aktualitetit tonë dhe do të jetë udhërrëfyesi dhe fundamenti politik dhe programor për angazhimin tonë politik në të ardhmen, i cili do ta marrë formën e një subjekti politik. Mendoj se në Republikën e Kosovës ka hapësirë dhe domosdoshmëri që ta kemi një subjekt politik i cili mbështetë, përqafon dhe zbaton vlerat e mirëfillta socialdemokrate. Pra, që e sheh një republikë të Kosovës me shoqëri të integruar dhe dinamike, që në këtë Republikë të Kosovës instalon sistem ekonomiko-shoqëror që i përmbushë nevojat e interesat e atyre që kanë pak e janë shumicë dhe që e ulë hendekun dhe e balancon këtë padrejtësi në rishpërndarjen e pasurisë, të cilën e kemi parë të thellohet gjatë këtyre 19 viteve, prejse Kosova është e lirë dhe 10 vite prejse është e pavarur.

Periskopi: A ka pasur kundërshtime mes grupit tuaj politik deri te arritja e një pajtueshmërie për vlerat e përbashkëta të partisë së re, meqenëse, siç dihet, edhe brenda tuaj grupit tuaj politik ka njerëz me pikëpamje të ndryshme politike?

Ymeri: Diskutim gjithsesi se ka pasur. Natyrisht që është dashur të diskutohen të gjitha ato bindje personale që i kanë njerëzit, për atë se si e shohim ne Republikën e Kosovës. Dhe, natyrisht që kemi diskutuar për formatin dhe formën e programit tonë politik me të cilin do ta paraqisnim subjektin tonë. Konsideroj që një republikë e qytetarëve të barabartë, të cilën e propozojmë ne, është një çështje edhe e domosdoshme për ekzistencën dhe fuqizimin e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër edhe një gjë e cila nuk është lehtë shpejt e arritshme dhe në këtë drejtim propozimi ynë, fundamenti ynë se si ne e shohim shoqërinë e shtetin, natyrisht se duhet diskutuar dhe dakorduar me të gjithë ata që aktualisht janë përbrenda kësaj deklarate dhe të gjithë ata që do ta përqafojnë dhe mbështesin një deklaratë të tillë. Konsideroj se diskutimi për të do të vazhdoj, natyrisht edhe në hapësirën publike, sepse shteti i qytetarëve të barabartë, pra Republika e qytetarëve të barabartë, është një koncept i cili aktualisht nuk ekziston në Kosovë. Edhe pse formalisht ne jemi Republikë e qytetarëve, por realisht me këto ndarjet ahtisariane, është më shumë një Republikë që akomodon brenda vetes komunitete të ndryshme etnike, kulturore e gjuhësore, se sa të qytetarëve të barabartë dhe konsideroj që kjo është një prej aspekteve më të rëndësishme progresive, për atë se si Republika e Kosovës, të bëhet nga republikë formale në republikë reale.

Periskopi: Në platformën tuaj politike nuk është shkruar asgjë për bashkimin kombëtar. A do të thotë kjo se njerëzit e partisë së re nuk do të angazhohen për këtë qëllim, sikurse angazhoheshin kur ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje?

Ymeri: Mendoj se kur e lexon me vëmendje këtë deklaratë, aty shihet që ajo përmbledhë edhe parimet, edhe vlerat, edhe zotimet të cilat ne i përqafojmë. Dhe, në kuadër të kësaj, njëra prej vlerave më të rëndësishme që zë fill në krye të deklaratës, është edhe liria kolektive dhe e drejta kolektive e popullit të Kosovës për ta përcaktuar vetë fatin e tij. Mendoj se me këtë mbulohet aspekti demokratik, i domosdoshëm për t’u instaluar, me të cilin qytetarët e Republikës së Kosovës kolektivisht bëhen pjesë e vendimmarrjes për çështje të caktuara për mbarëvajtjen e Republikës. Në këtë drejtim, mendoj se është e domosdoshme të thuhet që Republika e Kosovës, pra, duhet ta gëzojë të drejtën që ta përcaktojë vetë fatin kolektiv. Ndërkohë, për atë se si do të duket kjo Republikë nesër dhe çka do të bëj kjo Republikë nesër, ky duhet të jetë vendim i qytetarëve, që shprehet në format e sotme të shteteve moderne demokratike, përmes referendumit dhe këtë nuk mund ta përcaktoj asnjë parti politike ndaras prej vullnetit të qytetarëve. Në këtë drejtim, ne brenda subjektit tonë që do ta themelojmë, kemi njerëz që mendojmë ndryshëm për çështjen që e ngritët, mirëpo një gjë që na bashkon të gjithëve është që megjithatë, vendimi demokratik, kolektivisht, i popullit të Kosovës, do të jetë vendimi përfundimtar që duhet ta zbatojnë institucionet e Republikës së Kosovës, edhe mbi këtë çështje, siç janë edhe çështjet tjera me rëndësi për Republikën e Kosovës. Konsideroj që Republika e Kosovës me Republikën e Shqipërisë kanë shumë gjëra në të cilat duhet ta avancojnë dhe përmirësojnë bashkëpunimin dhe mendoj që bashkëpunimi në mes të këtyre dy shteteve, do të duhej të ishte boshti i bashkëpunimi dhe të them kështu, rajonal, sepse në këtë drejtim mendoj që veçanarisht në ekonomi, por jo vetëm në ekonomi, Kosova dhe Shqipëria edhe kanë komplementaritet, por edhe bashkëpunimin e kanë të domosdoshëm, në mënyrë që bashkë të fuqizohen si treg dhe ekonomi dhe kështu t’i bëjnë ballë hegjemonisë ekonomike, e cila na vie nga Serbia. Konsideroj që, kjo është jo vetëm aspiratë për të ardhmen, por edhe domosdo ekonomike dhe pragmatike, e qe besa edhe për vullnetin e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Periskopi: A ka pasur diskutime për bashkimin kombëtar, se a të futet në Deklaratën e Parimeve si pikë e veçantë, sikurse e ka Lëvizja Vetëvendosje?

Ymeri: Ne e kemi diskutuar secilën gjë për sa i përket përpilimit të kësaj deklarate dhe në fund kemi dalë bashkarisht me këtë deklaratë, për të cilën jemi dakorduar të gjithë. Natyrisht që në këto diskutime të cilat vazhdojnë, do të kemi edhe detajizim të çështjeve konkrete, të cilat janë në nivel parimesh universaliste në deklaratë. Do të konkretizohen pastaj në programin politik të subjektit.

Periskopi: Përderisa kemi një Deklaratë të Parimeve, partia e re është ende pa emër. A ka ndonjë pajtim për emërimin e saj dhe cilat janë opsionet më të diskutuara për emrin?

Ymeri: Janë disa opsione që vazhdojmë t’i kemi në diskutim. Siç thamë edhe të martën, nuk jemi përcaktuar përfundimisht për njërin prej opsioneve. Ka disa opsione, por tash mendoj se jemi gati për një vendim për këtë çështje dhe besoj që shumë shpejt, në javën e ardhshme, do ta kemi një vendim përfundimtar dhe natyrisht që pastaj atë do ta bëjmë publik si përcaktim tonin për të ardhmen politike.

Periskopi: A janë diskutuar brenda grupit tuaj politik alternativat paszgjedhore? Me cilat parti keni gatishmëri më të madhe për të lidhur koalicione dhe na thuani nëse partia juaj mund të ketë vija të kuqe për ndonjërën prej partive?

Ymeri:  Natyrisht, është një çështje që është në diskutim. Çfarë duhet të bëjmë së pari, është të strukturohemi dhe organizohemi si subjekt politik dhe natyrisht që pastaj organet e partisë do t’i kenë këto diskutime, do t’i marrin këto vendime. Praktikisht, diskutimet tona të deritashme, kemi një pajtueshmëri për atë se çfarë i nevojitet Kosovës si politikë institucionale dhe Kosovës, si politikë institucionale, i nevojitet konkretisht konkretizimi i idealeve politike, të cilat ne i përbrendësojmë si vlera. Në anën tjetër, i nevojitet një ndryshim rrënjësor për sa i përket qasjes që institucionet e kanë pasur deri tash, karshi edhe zhvillimit ekonomik, edhe zhvillimit shoqëror, edhe demokracisë në vend, sundimit të ligjit, e kështu me radhë. Dhe jemi po ashtu të vetëdijshëm që një ndryshim i tillë rrënjësor i qasjes së institucioneve karshi këtyre çështjeve të rëndësishme për Republikën e Kosovës nuk mund të arrihet në çfarëdo bashkëpunimi me cilëndo prej partive. Njëri prej problemeve që e kemi aktualisht në Kosovë e që po zgjatë, është edhe ajo që ka marrë emrin kapje e shtetit dhe në të cilën, që natyrisht, konkretisht, ka qenë e përfshirë Partia Demokratike e Kosovës ose më mirë thënë njerëzit brenda PDK-së dhe për ta arritur një çlirim të institucioneve nga kjo kapje dhe për t’i kthyer këto institucione kah interesi i qytetarëve të Kosovës, duhet që ata që janë edhe dizenjatorë dhe kreatorë të kapjes, të mos e kenë pushteti për ta mirëmbajtur atë.  Pra, kjo është një domosdo e kohës për Republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim edhe subjekti ynë mendon se në bashkëpunimet në të ardhmen, jo të qesim e flasim për vija të kuqe, por më mirë thënë të vendosemi publikisht për atë se çfarë i nevojitet Kosovës dhe rrjedhimisht, pastaj, se si mund të arrihet ajo. Në këtë drejtim, e bëjmë vlerësimin e forcave politike në bazë të programeve që i kanë por qe besa edhe në bazë të historikut të tyre qeverisës.

Periskopi: Pas ndarjes nga Vetëvendosje, a ka pasur kërkesa nga parti të tjera kërkesa për shkrirje të grupit tuaj politik në partitë e tyre?

Ymeri: Po…. ka pasur interesim edhe nga subjektet tjera politike, por ne e patëm bërë të qartë që në fillim, që ne po dalim prej Lëvizjes Vetëvendosje jo për të shkuar në një subjekt tjetër, prej atyre që janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por për ta vazhduar angazhimin tonë politik sipas bindjeve tona, të cilat kanë mbetur të palëkundura. Dhe, për bindjet tona të palëkundura, është që Republika e Kosovës, domosdoshmërsht duhet të sovranizohet e zhvillohet ekonomikisht dhe vendimet për këtë Republikë, domosdoshmërisht duhet të jenë popullore, duke qenë se sovraniteti i kësaj Republike buron nga populli dhe natyrisht që për çështje të rëndësishme, të cilat e tejkalojnë kompentencën dhe mandatin e institucioneve publike duhet që të pyetet populli. Në anën tjetër, veçanarisht në rrafshin ekonomik dhe social, ne kemi dallime diametralisht të kundërta me, gati se të gjitha subjektet, të cilat janë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse ne e shohim interesin shtetëror dhe pasurinë aggregate shoqërore si një diçka që duhet trajtuar në mënyrë të ndryshme prej asaj që kemi parë deri tani.

Periskopi: A do të jetë Shpend Ahmeti kryetar i partisë, siç ka thënë deputetja Besa Baftiu në një prononcim për mediat?

 Ymeri: Natyrisht që edhe Shpendi është në bashkëpunim me ne dhe e përkrah dhe e mbështetë Deklaratën e Parimeve, si një deklaratë themeltare dhe e konceptit tonë politik dhe natyrisht se për sa i përket kryetarit të subjektit, një gjë e tillë duhet të vendoset. Nuk është vendosur ende, mirëpo secili mundet të jetë. Natyrisht që edhe Shpendi mund të jetë dhe pa e definuar këtë, nuk mund të them se do të jetë ky ose ai, por askush nuk është i përjashtuar.

Periskopi: A keni marrëdhënie zyrtare me Lëvizjen Vetëvendosje? Ju, a jeni takuar më me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, që prej përpjekjeve të para disamuajshme kur tentonit ta mbanit të bashkuar Vetëvendosje?

Ymeri: Takim më nuk kam pasur me zotin Kurti që prej atëherë. Sa i përket marrëdhënieve që i kemi tash me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që disa prej nismave të tyre ne i kemi mbështetur, i kemi përkrahur, sepse jemi pajtuar me çështjen, me përmbajtjen. Konsideroj se ka një garë të pakuptimtë, që më së shumti nxitet nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes. Një garë me subjektet tjera opozitare për ta marrë primatin gati se në secilën temë dhe në këtë besoj se shpërfaqet një egocentrizëm politik, i cili për mua është i panevojshëm dhe i pakuptimtë.

Periskopi: A besoni se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje këtë vit? A keni gatishmëri për ta votuar rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Ymeri: Përtej kësaj, mendoj se duhet të diskutohet nëse zgjedhjet kanë potencial që të prodhojnë diçka tjetër, prej asaj që kemi sot në Qeveri. A do të jetë kjo qeveri e ardhshme më e mirë ose më e keqe, sepse ne mund të themi se nuk e dimë se si do të jetë rezultati zgjedhor, mirëpo nuk është se nuk e kemi një lloj parashikimi për atë se si mund të jetë. E dyta, unë jam absolutisht kundër që agjendën zgjedhore në Republikën e Kosovës që të vazhdojë ta përcaktojë Serbia, se aktualisht siç janë numrat në Kuvend, nëse Qeveria do të rrëzohej me mocion mosbesimi, atëhërë kjo do duhej të bëhej domosdoshmërisht në bashkëpunim me Listën Serbe që do të nënkuptonte edhe përfshirjen e Beogradit në vendosjen e kësaj date zgjedhore, që për mua është e papranueshme, sespe natyrisht që agjenda politike e Beogradit është në kundërshtim me interesim politik të Republikës së Kosovës.