Kosovarët – këta humbësa të mëdhenj
Jetlir Buja ka të drejtë kur thotë se ideja e Bashkimit kombëtar vjen nga një kompleks inferioriteti i ligjëruar pavetdijshëm nga historiografia shqiptare. Se ne duam të jemi më të mëdhenj vetëm që të dukemi më mirë në hartën e ballkanit e të europës.
Mirpo ai nuk ka aspak të drejtë kur thotë se nuk jemi një. Ne jemi një. Kompleksi nuk hiqet me një fjalë goje. Kompleksi ka vepruar me dekada në mendjet tona. Ne i kemi shikuar me dridhma të forta ndeshjet e Shqipërisë në futboll, duke u frikësuar se mos po bëhemi horë, se mos po koritemi. Në ndeshjen e humbur 2 me 0 midis Tirane, nga Serbia, ne e kemi ndjerë bashkërisht kompleksin e dhimbjen nga inferioriteti në relacion me një komb që na ka përçmuar e lënduar historikisht.
Ne jemi një – sepse që prej dekadash ka hedhur rrënjë dëshira për t’u bërë më të mëdhenj. Dhe jo vetëm në aspektin gjeografik e territorial. Fatmirësisht jemi bërë më të shkolluar, më të arsyeshëm e më të ditur dhe kemi postuluar edhe kërkesa të tjera. Për shembull, Vetëvendosje e synon jo vetëm Bashkimin kombëtar ose madhësinë territoriale – por me një seriozitet të pashembullt në trojet shqiptare kërkon tërthorazi (përmes Kosovës) Shqipëri të drejtë, Shqipëri të pakorruptuar, Shqipëri të zhvilluar ekonomikisht.
Ky është përfytyrimi ynë. Mirë a keq, ne jemi robër të përfytyrimeve dhe komplekseve tona. Mirë a keq, ne nuk mund ta durojmë ndarjen. Mirë a keq, ne e duam bashkimin sepse me këto ide jemi ushqyer ne, prindërit tanë dhe të paktën, edhe gjyshërit tanë. Kemi një vijimësi ndjenje e dëshire të zgjatuar e të përpunuar në të paktën tre breza.
Jetliri e përmend ‘sundimin’ si një element me të cilin ndërtohej koncepti i kombit para dyqind vitesh. Le të bëhemi më konkret: në të vërtetë, është koncepti i fallusit (phalus nga greqistja dtth penis) ai që ndërtoi kombe. Shoqëritë e përparshme në Evropë ishin burrërore sepse gratë konceptoheshin gjithkund thjesht si vegla që flasin. Dhe në gjithë këtë fallocentrizëm, kombi ndërtohej në bazën e krahasimeve me penisë. Sundimi nuk bëhej thjesht për çështje ekonomike. Në to kishte një fallocentrizëm të qartë: dëshirë për t’u dukur. Në fund të shekullit XVIII, amerikanët luftonin t’i hiqnin qafe baballarët e tyre, anglezët, për të përfituar ekonomikisht por edhe për t’u dëshmuar si fallusë të mëdhenj e të zotë. Francezët e Napoleonit donin të ishin fallusi më i madh i botës – dhe me të, të bëheshin fanarët e saj, të shpërndanin vlerat e iluminizmit. Kombet prej shekullit XVIII e këndej u formuan duke dashur të tregohej madhësia, forca, burrëria, me një fjalë, fallusi i tyre.
Dhe ky konceptim fallocentrik për kombin, megjithëse u zhduk në teori, praktikisht mbeti në përdorim për shumë kohë. Çka po iu duket Hitleri dhe gjithë ato fashizma që lindën si kërpudhat pas shiut, gjatë gjysmës së shekullit të kaluar? A përfundoi periudha e fashizmave me mbarimin e luftës së II-të botërore? Çka po ndodhë tash, me vendet si Polonia e Hungaria?
Natyrshëm, si një feministe rreshtohem kundër çdo fashizmi e fallocentrizmi. Edhe unë e dëshiroj fundin e këtij koncepti të egër e arkaik, të vdekur para shumë kohe në historinë e ideve. Por unë jam realiste. Jetojmë në ballkan, ku ende ekzistojnë komplekse superioriteti e inferioriteti, dëshirë për madhësi e pushtim në vend të dëshirave për barazi, qeverisje të mirë e të drejtë, për ekonomi të zhvilluar dhe trajtim të mirë për qytetarë.
Jetliri ka plotësisht të drejtë kur thotë se pjesë e kombit tonë janë edhe mafiozët, më të fortët në Evropë pas rusëve, që merren me drogë, prostitucion, trafikim femrash. Kjo dëshmon për thelbin tonë (jo që na paraprin, por të cilin e kemi krijuar). Me vetë faktin se jemi aq thellë të zhytur si shoqëri në korrupsion e veprimtari tjera kriminale, kjo tregon lidhur me konceptimet tona për kombin, shtetin, gruan, të ardhmen dhe penisët.
Por pse duhet të theksohet identiteti kombëtar, para së gjithash? Ne të gjithë jemi të ndryshëm. Përcaktimi i identitetit kombëtar bëhet nga instanca politikojuridike që mundësojnë shërbime të caktuara. Pse duhet ta duam Kosovën dhe të lidhemi fort sërish me një identitet kombëtar. Unë mendoj se edhe kjo përpjekje është e lidhur me fallocentrizëm dhe komplekse. Reagimi në sport për ndonjë sukses e tregon atë frymë të vyshkur.
Kombi konstitucional në ballkan është i pamundur. Kosova nuk do të jetë komb kurrë, sepse kombet në këtë skutë të botës, ende përcaktohen për hirë të tjetrit dhe jo për hirë të vetvetes. Nuk mund të ndodhë ndryshe nëse e marrim parasysh situatën politike dhe kulturore në të cilën ndodhemi. Nëse i marrim parasysh komplekset që ndryhen në shpirtin tonë.
Dhe që dikush të çlirohet nga komplekset, ai duhet t’i pranojë ato. Visar Ymeri ka të drejtë që nuk e uron Kosovën: Kosova e ka dobësuar Shqipërinë. Jo vetëm në futboll. Kosova do të vazhdojë të ekzistojë si shtet i dështuar, si një projekt i keq i një Internacionalizmi falls liberal dhe s’do t’ia dalë që të luftojë asnjë të keqe brenda vetes.
Shqipëria e bashkuar është një domosdoshmëri sepse këtë e dëshiron shoqëria kosovare me dekada të tëra.