Kosovar a Shqiptar (II)

Kosovar a Shqiptar (II)

Rasti i shqiptarëve është i veçantë në vetë veçanësinë ballkanike. Modernizimi i tyre nisi në kontekstin osman dhe u pasua nga ai monarkist dhe komunist jugosllav, postmonizmi dhe realiteti i pasluftës. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve (e kur them shqiptarëve mendoj në formacionin etno-lingual shqiptar të kohës e jo domosdo në eliat), u treguan antimodernistë të vendosur  jo vetëm në shekullin XIX por edhe përgjatë shekullit XX.

Kryengritjet e shqiptarëve kundër Tanzimatit s’ishin gjë tjetër pos kryengritje ndaj çdolloj reformimi, respektivisht militim për ruajten e rendit të vjetër.  Kur etnitë e tjera të Ballkanit shumë prej të cilave tashmë kishin krijuar shtetet e tyre, u konsoliduan dhe ekspanduan kundrejt “mbetjes osmane” shqiptarët u zunë të papërgaditur: me elita deri diku të qena kombëtare nëpër kryqendra si Stambolli, Vjena, Bukureshti etj, por si popull refuzues ndaj ideve liberatore/nacionaliste. Kjo sepse sikurse trupi politik sikurse formacioni shoqëror shqiptar/gegë e në kontekst më të gjerë vetë ai otoman, i shihnin si të huaja konceptet e nacionalizmit, kombit si dhe konceptet tjera moderne si kontigjente të domenit ideologjik, Shqiptarët s’donin madje as autonomi (territoriale) nga Stambolli. Shqiptari mund të kryengritej edhe për arsyet më banale, por jo për një nocion të huaj si kombi.

> Siç vëren bukur studiuesja Burcu Akan-Ellis, në kontekstin osman në jo pak elemente më shumë rëndësi kishte profesioni i individit se sa etnia. Refuzimi ishte veçanërisht i fuqishëm në Kosovë, deri edhe në shkallën e vrasjes së atyre që predikuan vendimet e Kongresit të Manastirit, përkatësisht alfabetin me shkronja latine. Ky jabanxhillëk ndaj realitetit  tejrrethues,  shqiptarëve u kushtoi me pushtim të pothuajse të gjitha trevave ku jetonin, anipse në vlugun e atij pushtimi u ndërrmorën “masat urgjente”, siç qe shpallja e pavarësisë më 28 nëntor, që mund të merret mbase edhe si grahma e vetme e një nacionializmi simbolik. Konferenca e Londrës që realisht ndau trashigëminë osmane në Ballkan e jo ndonjë Shqipëri reale siç na meson historiografia zyrtare, në fakt e krijoi atë pak a shumë në kufinjtë e sotëm. Këtu pak a shumë nisë edhe odiseada e veçimit të shqiptarëve të ngelur jashtë shtetit shqiptar/në okupim nga shteti shqiptar. Veçim në shkallë dallimi, por jo edhe ndryshimi ontologjik ta zëmë p.sh. nga veriu i Shqipërisë (prej nga ku origjinojnë shumica e shqiptarëve të Kosovës), apo shikuar sociologjikisht nga Mali i Zi, meqë pavarësisht zhvillimeve politike e ndasive tjera, Ballkani si edhe çdo rajon tjetër i botës,  ofron një taban sociologjik e antropologjik të ngjashëm për popujt që e përbëjnë.

Në kontekstin politik veçimi nënkuptoi davaritje të relacioneve në epizoditet, ndërkaq veçimi social u shenjua më së shumti me rënien në shkallë enorme të martesave andej e këndej kufirit, diçka kruciale kur bëhet fjalë për lidhje organike e imunitare në formacionet komunitare.  Përderisa Shqipëria tashmë nuk kishte sundues të huaj mbi kokë,  shqiptarët jashtë shtetit shqiptar panë të zitë e ullirit, që nga dëbimet deri tek masakrat, diçka zor e shlyeshme nga kujtesa, siç është poaq e fuqishme edhe kujtesa për “prejardhjen prej nga andej” që apelon në vetedijën e një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve mbi prejardhjen e tyre nga Shqipëria e sotme.

Jo rastësisht dy lëvzijet e para politike të shqiptarëve në Kosovë kundër sundimit të Mbretërisë SKS, nisnin me denominimin “mbrojtja”. “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, dhe “Islami Muhafaza Hukuki Xhemijet” (“Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të islamit – Xhemijeti”). Një pjesë e madhe e folklorit shqiptar  në Kosovë i takon pikërisht periudhës së dhunshme nën Mbretërinë SKS, dhe ka theks të fortë antisllav. Në anën tjetër kjo periudhë shënon edhe periudhën kur Shqipëria u tërhoq pothuase krejt në lëvozhgën e vet; në maratonën e mundimshme të punëve të brendshme përkatësisht detyrës së modernizimit të personifikuar më së shumti në figure komplekse e kontraverse të Mbretit Zog.

 Kosova/shqiptarët e ngelur jashtë pothuajse as që u zunë goje, përjashtimisht veprimtarisë të shtyrë gati në klandestinitet të Hasan Prishtinës. E megjithatë përkundër që ishin tepër pak, kishte shkollarë kryesisht të Normales së Elbasanit që asokohe u kthyen në Kosovë, duke e kthyer kështu shkollimin e shqiptarëve të pambeshtur në asnjë fuqi, në njëfarë heriofanie në vend. Pak a shumë me këtu strumbullohet edhe ndikimi i Shqipërisë jashtë kufinjëve të saj, përkatësisht i përjetimit të saj në Kosovë, megjithëse ky ndikim u shqua vetëm gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pra në vend të tankseve e topave, nga Shqipëria vijnë letra.

Në gjysmëkohën mes dy luftërash botërore e gjejmë të ribotuar  nga Gjeqovi edhe versionin e Kanunit. Gjeqovi nën ndikimin e mendimtarëve me orientim fashist si Felice Toscano,  në atë komplim njejtëson kombin me familjen (lexo organizimin fisnor të shqiptarëve kryesisht veriorë). Përjetimi i parë dhe i fuqishëm unitarist ngjau nën pushtimin fashist (1941-1944), me unifikimin që fashistët i bënë një pjese të konsiderueshme të trevave të banuara me shqiptarë. Përderisa në Shqipëri rënia nën fashistë nënkuptoi okupim (pavarësisht kundërvënies së vagët ndaj tij), tek shqiptarët jashtë Shqipërisë ai u përjetua si çlirim, meqë për një kohë të shkurtër pezulloi hegjemoninë serbe, përkatësisht u shijua relaksi i përjetimit të një lloj lirie.

Dërgimi i organizuar i mësuesve nga Shqipëria nga ana e Ernest Koliqit (1941-1944), ndikoi në gjallërimin e vetëdijes shqiptare jashtë Shqipërisë që akoma jetonte si një turmë e përhumbur në relikat dhe mbetjet otomane dhe të organizimit fisnor si dhe në ngritjen e entuziazmit tek shqiptarët e Kosovës, që nisën ta përjetojnë shkollimin në shqip, si njëfarë rilindjeje fillimisht gjuhësore. Disa nga këta mësues qëndruan edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht traumës e të ngjarave të tmerrshme që e shoqëruan rikthimin e Kosovës në Jugosllavinë, tashmë komuniste. Ardhja e profesorëve, natyrisht tashmë përfaqësues të shpjegimit komunist të botës, ngjau edhe në vitet ’70, megjithëse ra/pushoi pas Demonstratave të vitit 1981. Dhe në fakt nëse ndonjeherë ngjau një ngjizje e përkohshme sociabile në Kosovën e epokës më të re, ngjau përgjatë 20 vjeçarit 1970-1990. Kjo ngjizje megjithëse  përshkoi segmente si urbanizimi, punësimi, arsimimi, zgjerimi i qyteteve etj, të koordinuara nga burokracia dhe administrata e ngritur jugosllave, nuk u bë asnjeherë vendimtare në farkatëmin e ndonjë identiteti transhedent për shqiptarët, serbët dhe të tjerët.

Gjatë të 90’tave, si çdo kund tjetër në Europën Lindore, ngjau ajo që Hobsbawm e emërton si “zbulim i traditës”: përnjeherë rrëfenja komuniste si dhe panballkanike, filli t’i lëshojë vendin një shpjegimi shumë më tradicionalist e nacionalist në historiografi e letërsi i shoqëruar gjatë krejt pasluftës. Ç’është ajo që vërehet më së shumti në tërë këtë retrospektivë të 100 vjeçarit në relacionet Kosovë Shqipëri? Ndikimi sado i shkëputur/epizodik por i paanashkalueshëm i Shqipërisë në dimensionin e edukimit/arsimimit në Kosovë. D.m.th nëse Shqipëria asnjeherë nuk çoi tankse këndej kufirit, ajo në një formë apo tjetrën gjithnjë ishte prezente, përmes letrave e librave. Shqiptarët edhe sot nuk mësojnë Histori të Kosovës, por në kurrikulat e tyre kanë: Hisorinë e Popullit Shqiptar. Kanë Skënderbeun “për hero kombëtar” anipse ky i fundit është figurë e fundit të Mesjetës, dhe as që gravitoi në Kosovë. Përmendorja e po të njejtit qëndron mu përballë institucioneve shtetërore të vendit. Rugova, lideri i fetishizuar shqiptar në Kosovë gjatë të 90-tave, veprën jetësore i’a kushtoi Bogdanit, figurë politike e Mesjetës së vonë që vinte nga veriu i Shqipërisë, megjithëse vdiq në Prishtinë.

E një edukim kaq omniprezent që s’merr për truall Kosovën, por e sheh si  partiturë të “popullit shqiptar”, një edukim që derdh në bronz figura që s’lidhen me përjetimin e trollit por të etnisë, që lidhen me përjetimin e të kaluarës e jo të ardhmes, vështirë se mund të krijojë identetet të ri, a komb sipas kuptimit europian/modern të fjalës, koncept ky edhe ashtu i tejdebtueshëm në vet rrethet intelektuale europiane. Ngjashëm është edhe me rastin e serbëve të Kosovës relacioni i të cilëve me gjithë çka lidhet me Kosovë me shumë elemente ka mbetur mitik edhe në shekullin XXI. Shkolla serbe vazhdon që mendjet dhe zemrat e serbëve të rinj e të vjetër t’i mbush me rrëfenjën e shqiptarëve si ardhacakë në Kosovë, si zaptues demografik e myslimanë të tokës së shenjtë serbe. Kjo u rrit drastikisht shumë pas 89-tës, kohë kur edhe ëndrra se kapitalizmi në Europën Lindore do të krijojë ngjizjet e njejta sikurse në Perëndim, në fakt çoi drejt hullisë së nacionalizmave reaktivë e etnoreligjioz, me kulmim Srebrenicën dhe luftën e Kosovës.

Dikush mund të thotë se në instancën e fundit realiteti nuk është gjithë çka mësojnë a ligjërojnë në shkolla. E vërtetë.  Realiteti pas 99-tës është krejtësisht tjetër në kuptimin se ç’ishte gjatë dekadave më herët. Madje pakrahasueshëm më në favor të shqiptarëve, që gëzojnë lirinë e munguar, si dhe pakrahasimisht më pak i dhunshëm se sa në periudhen 1999-2004. E megjithatë është po ky realitet i pas 99-tës, që shqiptarët e serbët si dy etnitë që hiqen si titullare në konstituimin e çfarëdolloj të ardhme të vendit, i ktheu nga fqinj të ndërtesave e lagjeve të njejta kur jetonin përgjatë dekadave të Jugosllavisë Komuniste (përkundër armiqësive e fërkimeve të pashprehura aq shumë si deri më 98/99) në fqinjë gjeografik brenda protektoratit/shtetit të njejtë. Sot kur prishtinasit mesatar i bije ndërmend për serbin, zakonisht imazhi i parë që vije në kokë është “serbi në Çagllavicë/Graçanicë”.

Ngjashëm, serbët në Mitrovicën veriore, për të cilin gjithçka shqiptare nënkupton pjesën poshtë Ibrit. Kësodore shqiptarët dhe serbët në Kosovë në fakt nuk jetojnë me njëri tjetrin por pranë njëri tjetrit

Shpërndaje në: