Kosovar a Shqiptar (I)

Kosovar a Shqiptar (I)

Debutimi me barazim i përfaqësues së Kosovës kundër Finlandës si debutim i parë ndërkombëtar për kualifikim kampionati,  i bëri edhe njeherë jehonë polemikave identitare në hapësirën shqiptare. Natyrisht kjo jehonë në periudhën e postmonizmit, ka historik minimum njëdekadësh, pra nuk është e re.  Por në dy vitet e fundit duket të jetë sporti, më saktësisht ndeshjet e  kombëtares së Shqipërisë, dhe përfaqësueses së Kosovës ato që miklojnë polemika të shumta kryesisht rreth pikës ontologjike në të cilën ndodhemi 26 vite pas rënies së monizmit,  përkatësisht 17 vite pas çlirimit të Kosovës, si pjesë e arealit ballkanik. Si në çdo çështje tjetër, edhe këtu tematikat e llojit të identitetit, (mos)bashkimit, rrugëtimit të veçuar ose jo të Kosovës si shtet etj., kanë taborrizuar palët si andej sikurse këndej kufirit. Kësodore, tradita e përhershme e konfliktit mes ideve partikuarliste dhe unitariste duket të gëlojë si kurdo më shumë.

Në luksin e konkurimit të ideve, identiteteve, mendimeve, pluralizmit etj., të rilindura pas monizmit dhe ikjes së një grandnarracioni si komunizmi, duket se edhe ne ballkanasit e konkretisht ne shqiptarët po hedhim vallën tonë. Vetë fakti se si ballkanas gjakojmë ndarazi anipse i tërë territori i Ballkanit është diçka më i madh se territori Ukrainës, e më i vogël se i Turqisë, flet se rajoni të paktën pas Bizantit e osmanëve, me përjashtim të disa përpjekjeve epizodike, përbashkimesh të caktuara, nuk u shqua nga ndonjë shpirt prevalues i fuqishëm, por në ë fakt vazhdoi të mbetet i copëzuar. Në fakt ashtu e deshën dhe deri diku e duan edhe sot vetë ata që prenë këmishat e fateve të Ballkanit ndër epoka: europianët dhe amerikanët, deri diku së bashku me rusët, sepse Ballkani gjithnjë ka qenë dhe është nën varësinë e ndikimeve nga jashtë. E për të mos harruar këtu që partikularistët ballkanikë jo vetëm që s’denjuan/s’denjojnë për një shpirt ballkanik, por edhe ashtu siç janë duan edhe më tej bashkime e copëzime sipas kuteve uniliterale. Së këndejmi s’është se janë të copëtuar  (vetëm) serbë, shqiptarë, boshnjakë, bullgarë etj. Në fakt Ballkani gjakon i ndarë, kurse kërkesat vetore të partikularistëve në fakt janë në njëfarë mynyrë kërkesa për ricopëzim a (ri)bashkim të copëzimit parë nga prizimi i një Ballkani si tërësi, apo i një Europe të Bashkuar.

Perendimi (europianët dhe amerikanët) në shembullin e vet , siç është dëshmuar së paku përgjatë historisë së 200 vjeçarit të fundit  ka treguar se ka agjenda, por jo përvojë  (madje as afatmesme) me Ballkanin. Antanta e Vogël, Jalta, Plani Marshall, Selaniku, Asocim-Stabilizimi, së fundi rruga e Ballkanit drejt integrimit europian…krejt këto ishin/janë agjenda e marrëveshje  euromamerikane (dhe ruse) që influencuan direkt a indirekt Ballkanin, që zakonisht kanë nxjerrur qerre elitash në përpjekje të zbatimit të standardeve të postulara jashtë Ballkanit, për Ballkanin. Kundërgjigjja ballkanike: ngecje pak a shumë në atë stad moderniteti, ku është mpleksur përgjatë shekullit XIX dhe fillimshekullit XX: shtetin-komb, industrializmin, teknologjinë, arkitekturën , si dhe zbatimin e ideologjive (kapitaliste e komuniste) të bartura nga matrica. Pra Ballkani ka interiorizuar digat e lartëpërmendura të modernitetit, por jo edhe  Renesansën e Humanizmin (me pak përjashtime Sllovenia, Kroacia dhe shteti i Raguzës),  Reformacion luteran, Parlamentarizmin e hershëm europian, Revolucionin Shkencor, dhe Iluminizmin.

Kësodore Ballkani modernitetit i’u ngjit në shekullin XIX, pra në bisht. Në një kohë kur zaten permes kolonalizmit a gjysmëkolonalizmit ai veçse po shtrihej në tërë globin. Dhe kjo natyrisht se ka konsekuencat e veta, sidomos në të qenit të ndryshëm nga një botë e brumosur në reformën protestante, iluminizmin dhe revulucionet popullore. Shëmbëllimi i Revolucionit Francez në Ballkan, s’ishte lufta kundër absolutizmit, por kryengritjet antiosmane fillimisht greke dhe serbe, pra ballafaqimi me “turkun”, rrezik që europianët e kishin tejkaluar që me 1683.  Këtu njëkohësisht origjinon partikularizmi modern dhe bashkëkohor i Ballkanit të sotëm: nuk luftohej për ta nxjerrë Luigjin e XVI nga Bastija në shtetin e tashmë shekullor francez, por për ta krijuar shtetin e paqenë, për të siguruar pavarësi nga Stambolli. Jo rastësisht të gjitha shtetet e Ballkanit linden si monarki, jo si Republika (kujto mungesën historike të Republikanizmit).
Kështu që gjithmonë rekasioni nacionalist në Ballkan, shikuar vetëm si antipod i progresit, I bie të jetë  reaksion meqë bën thirrje për prapakthim, e megjithatë kjo thirrje për prapakthim është poaq europiane, meqë është thirrje në prapakthime që Ballkani – deri në shekullin XIX otoman, “i mësoi” nga Europa.

Shpërndaje në: