Kosova zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Andorrës
Kombëtarja e Kosovës të martën mbrëma do ta zhvillojnë ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” do të presin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:45, shkruan Gazeta Express.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë në këtë cikël kualifikues, pas barazimit 1:1 me Izraelin të shtunën.
Kosova mbajti sot seancën e fundit stërvitore para këtij takimi.
Në njoftimin e FFK-së thuhet se atmosfera në radhët e “Dardanëve” para këtij dueli është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për ta shijuar fitoren e parë në rrugën drejt realizimit të objektivit madhor – kualifikimit në Evropian.
Tutje, FFK shkroi: “Pas arkëtimit të një pike të rëndësishme si mysafirë në Tel Aviv kundër Izraelit, Kombëtarja e Kosovës rikthehet para tifozëve dardanë, e gatshme për të dhuruar emocion e spektakël, por edhe për të arkëtuar tri pikët e plota”.