Kosova U21 i nis mbarë kualifikimet për Euro 2025, e mposht Estoninë

Kosova U21 i nis mbarë kualifikimet për Euro 2025, e mposht Estoninë

Kombëtarja e Kosovës U21 e ka nisur me fitore ciklin kualifikues për Euro 2025. Të përzgjedhurit e Afrim Tovërlanit, të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë mposhtur Estoninë, me rezultat 2:0.

Dardanët e rinj e dominuan ndeshjen që nga fillimi i saj, duke krijuar raste të shumta shënimi para portës mysafire. Loja e mirë e Kosovës u kurorëzua me gol në minutën e 40-të, kur Arian Llugiqi shënoi nga afërsia. Me epërsinë e një goli Dardanët e rinj shkuan në pushim.

Edhe në vazhdim ishte Kosova që e menaxhoi më mirë lojën dhe krijoi më shumë aksione, prej të cilave arriti të realizojë edhe një gol. Ishte minuta e 70-të kur Andi Hoti shënoi me gjuajtje me kokë, duke vulosur rezultatin përfundimtar të këtij dueli.

Kësisoj, Kosova U21 arkëtoi pikët e plota në ndeshjen e parë të Grupit D, teksa ndeshjet e radhës do t’i zhvillojë në shtator. Fillimisht më 8 shtator do të luajnë si mysafirë të Gjermanisë, e më pas më 12 shtator do të ballafaqohen në “Fadil Vokrri” me Gjermaninë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Izraeli e Bullgaria.

Shpërndaje në: