Kosova U19 (femrat) shënon fitore ndaj Turqisë
Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore në miqësoren e dytë kundër Kombëtares turke të së njëjtës grupmoshë.
Dardanet e reja triumfuan me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar në kampin e ekipeve kombëtare të Federatës turke.
“Në ndeshjen e sotme treguam se humbja në ndeshjen e parë me rezultat 3:0 nuk ishte pasqyrë reale. E kemi ditur se kemi ekip më të mirë dhe me lojën e sotme e vërtetuam një gjë të tillë. Përkundër presionit të vazhdueshëm të ekipit rival mbi gjyqtarët, ne arritëm t’i gëzohemi fitores. Goli i dytë i Turqisë u shënua me dorë, por gjyqtari e pranoi pasi kishte presion të madh gjatë tërë ndeshjes. Gjithsesi, vajzat tona kanë dëshmuar nivel të lartë dhe kanë luajtur me mençuri. I përgëzoj për këtë paraqitje dinjitoze dhe për fitoren e arritur. Në ndeshjet kualifikuese në tetor pres të kemi paraqitje edhe më të mira, ngase kemi kohë për t’u përgatitur”, ka thënë Munishi. Do theksuar se në ndeshjen e parë Kosovës i mungoi golashënuesja e trefishtë në takimin e sotëm, Loreta Lulaj, e cila pa dyshim këtë herë e bëri diferencën në fushë.