Kosova: shembulli për katastrofën

Kosova: shembulli për katastrofën

Derisa po e komentojnë ndërhyrjen ushtarake kundër regjimit të Muammar Gaddafit, disa komentues perëndimorë po e përmendin fushatën ajrore të Nato-s kundër Serbisë, që gjerësisht shihet si një mision i suksesshëm humanitar që i mbrojti kosovarët nga agresioni serb. Për më shumë, intervenimi u krye me një kosto të ulët – thonë ata. Dhe përfundimisht çoi në largimin e liderit të egër serb, Slobodan Milosevic. Intervenimi në Libi, shpresohet, se do të sjellë një rezultat të ngjashëm.

Në realitet, Kosova nuk jep shumë optimizëm për Libinë. Suksesi i saj është i bazuar në një seri mitesh.
I pari është që në Kosovë, zhvillohej një konflikt tepër i thjeshtë moral, ndërmjet agresorëve serb dhe viktimave kosovare; dhe që Nato, duke i mbështetur kosovarët, po mbështetej në të drejtat e njeriut. Në fakt, asnjëra palë nuk ishte morale. Krimet e luftës nga forcat serbe janë të mirënjohura, por edhe kosovarët kanë kryer krime, poashtu. Në muajt e parë të ’99-ës, Tony Blair besonte që UÇK-ja nuk ishte “më e mirë se serbët”, sipas kujtimeve të Alastair Campbellit. Ndërsa ministri i mbrojtjes së Britanisë së Madhe, George Robertson kishte thënë se “UÇK-ja ishte përgjegjëse për më shumë vdekje në Kosovë sesa që ishin autoritetet serbe.”

Pavarësisht kësaj, Nato e zgjodhi UÇK-në për të mbështetur, ndërsa ajroplanët e saj bombardonin serbët. Dhe kur Millosheviçi kapitulloi dhe bombardimi përfundoi, forcat e Natos i dhanë pushtet UÇK-së në Kosovë. Duke qenë në pushtet, ata i terrorizuan serbët, romët dhe grupet e tjera etnike, duke e dëbuar thuajse një qerek milioni njerëz.

Kjo është shumë relevante për intervenimin në Libi. Edhe njëherë, shtetet perëndimore po i zgjedhin aleatët lokal, në Bengazi dhe tjetërkund, në mesin e opozitës libiane kundër Gaddafit. Ne shpresojmë se ata janë më të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre. Sidoqoftë, rasti i Kosovës nuk na bën të sigurtë. Shtetet që po e udhëheqin intervenimin në Libi, nuk kanë përvojë të mirë nga e kaluara e tyre në zgjedhjen e aleatëve në Lindje të Mesme. Figura të tilla si Hosni Mubarak, Zine Ben Ali apo vetë Muammar Gaddafi, kanë lidhje të ngushta me shtetet që thirren në një moralitet të lartë kur i kryejnë veprimet e tyre intervenuese.

Një mit tjetër rret Kosovës është që bombardimi e përmirësoi situatën sa i përket të drejtave të njeriut. Në realitet, i bëri gjërat më keq, dhe e rriti vuajtjen e qytetarëve.

Para fushatës së Natos, numri i njerëzve të vrarë në Kosovë, në të gjitha palët, ishte 2 mijë, përafërsisht gjysma e tyre ishin vrarë nga forcat serbe. Kur bombardimi filloi, kjo bëri që serbët të shtonin zullumin, dhe numri i viktimave u rrit në 10 mijë. Forcat serbe ishin të inatosura që nuk mund t’i ndalnin sulmet e Nato-s dhe këtë inat e pësuan qytetarët e pafajshëm dhe të pambrojtur kosovar. Bombardimet e Nato-s ndërkohë, i vranë, të paktën 500 njerëz. Nëse kundrohet nga një pikëshikim humanist, intervenimi i saj ishte një katastrofë.

Ka rrezik që situata në Libi mund të prodhojë rezultate të ngjashme. Në kundërpërgjigjje të sulmeve, Gaddafi mund të shkaktojë edhe më shumë viktima se Millosheviçi. Dhe Gaddafi, mund t’i përdorë disa teknika të vjetra terroriste, kundër amerikanëve dhe evropjanëve, që do të sillnin pasoja të tmerrshme. Intervenimi humanitar mund, edhe njëherë, të çojë në katastrofë.

Veç kësaj, është gabim të mendohet se intervenimi në Kosovë ishte i lirë dhe nuk zgjati shumë. E vërtetë, fushata bombarduese zgjati vetëm 78 ditë. Megjithatë, mijëra trupa të Nato-s zbarkuan në Kosovë. Forcat e Nato-s kanë mbetur në Kosovë, dhe ka pak gjasë që ata të largohen.

Një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe në Siri. Forcat e Natos mund të mos kenë zgjidhje tjetër veçse të çojnë trupa atje, si në rastin e Kosovës – në kulmin e angazhimit të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan, dhe përgjatë ngritjes së krizës ekonomike globale.

Periskopi.com

Shpërndaje në: