Kosova – parajsa e vainshtajnëve

Kosova – parajsa e vainshtajnëve

Kallëzimet e aktoreve të ngacmuara nga Harvey Weinstein besoj se i kanë vënë në siklet plot gra e burra, dhe djem e vajza të shoqërisë sonë. Gjëra të tilla ndodhin përditë, e madje fare haptas e pa marre mes nesh. Tipizimi i sjelljeve të Weinstein-it si ‘të papranueshme’ e ‘të tmerrshme’, por edhe reagimi masiv dënues ndaj tyre, ka mundësi që i ka lënë këta njerëz mosvet të çuditur.

Ajo që ndodh në botë, botën perëndimore kryesisht, shpesh dështon të përkthehet në mesazhe të qarta e të kuptueshme për ne. Sidomos kur nuk na konvenon të lodhim kryet e të mendojmë, gjëra që potencialisht do të na tregonin se sa primitivë jemi.

Padyshim, ajo që po ndodh në shoqërinë hollywoodjane, ndodh përditë edhe mes njerëzve të rëndomtë të shoqërive perëndimore. Ka ngucje seksuale e abuzime, por këto janë të kuptuara si të dënueshme e të papranueshme. Në shoqërinë tonë, është kollaj e vërejtshme se një vetëdije e tillë mungon, ose korruptohet nga mbetjet e kulturës patriarkale fetare apo kanunore. Dalja nga morali i dikurshëm shoqëror si pasojë e rendjes pas asaj që perceptohej si moderne, ka bërë që të krijohen një mori moralitetesh të ndryshme të praktikuara në mënyrë autonome. Por e përbashkëta e tyre, pavarësisht dallimeve të mëdha që mund të ekzistojnë, është mendësia kryekëput patriarkale.

Natyrisht, është e kuptueshme se flirti është diçka e zakonshme dhe e pranueshme. Flirti e parakupton raportin mes dy individëve si të barabartë, dhe prandaj qëllimi i flirtuesit/es, nuk është thyerja e vullnetit të atij prej të cilit/ës tërhiqet, por e kundërta, kapja e atij vullneti duke u bërë tërheqës/e. Por, flirti nuk është diçka që kuptohet si duhet, e prandaj përvijueshëm as nuk ushtrohet si duhet mes nesh. Kjo bën që ngucja dhe bile edhe forma të lehta abuzimi të jenë jo thjesht të pranishme, por edhe të vetmet mundësi që njerëzit të krijojnë lidhje erotike apo martesore [meqë guxoj të paragjykoj se shoqëria jonë po del nga lidhjet e njerëzve me mblesëri, e cila sipas meje është një formë edhe më abuzive ndaj vullnetit të individëve].

Është më se evidente që gruas ose vajzës, nga një pjesë e madhe e shoqërisë, ende nuk i pranohet subjektiviteti seksual. Nuk pranohet fakti që ajo ka ndjesi seksuale po aq sa burri ose djali. Një pranim qorr edhe mund të jetë bërë. Domethënë, deklarativisht mund të thuhet: ‘Po, është e kuptueshme se edhe gratë kanë ndjesi seksuale.’ Mirëpo, mospranueshmëria e këtij fakti qëndron në ndrydhjen që ndryhet në trupat e grave të shoqërisë sonë. Mospranueshmëria shihet në performativitetin e seksualitetit të tyre, dhe të rolit gjinor. Mospranueshmëri që armë kyqe vijon t’i ketë paragjykimet dhe stigmatizimet.

Dhe pikërisht këtu ndeshet mos-kuptimi i plotë i reagimit masiv dënues ndaj sjelljeve të Weinsteinit. Ngucjet e tij, ashtu si ngucjet që ndodhin në shoqërinë tonë, bazohen në manipulimin e kësisoj dhunimin e vullnetit të tjetrit. Pra, kjo na e sqaron edhe më mirë rrethanën në të cilën ndodh ngucja: kemi të bëjmë me abuzim pushteti, me ngucje që rrjedhin nga relacioni i dominimit/nënshtrimit. Dhe pikërisht kjo ndodh edhe në shoqërinë tonë, në baza të përditshme, si sjellje e rëndomtë e padënuar dhe e hapur. Relacionet e dominimit/nënshtrimit qiten në shesh haptas, vulgarçe, e gati kafshërisht. Të nënshtruarit janë gjithnjë njerëzit e ngucur, njerëzit me të cilët në një mënyrë a tjetrën abuzohet [pra, jo vetëm seksualisht]. Punëtorët nëpërkëmben përmes një varg padrejtësish të cilat nuk drejtohen shkaku i mosfunksionalitetit të mekanizmave përkatës. Por, një sjellje e tillë dominimi/nënshtrimi haset edhe në familje, mes grupimesh tjera shoqërore, e kudo – dhe pakashumë shihet si normale. Mungesa e vetëdijes mbi pushtetin, mungesa e vetëdijes për veten si individ, dhe sidomos mungesa e një tradite në ushtrimin e pushteteve – e ka derivuar një praktikë të tillë që me të drejtë cilësohet si e ‘pakulturë’ dhe ‘kafshërore’.

Por, të kthehemi te seksi. Konformimi që e bëjnë shumë gra me moralitetet patriarkale e përforcon praktikën e ngucjeve dhe abuzimeve seksuale. Ngucja dhe abuzimi ndodhin kur dhunohet vullneti i tjetrit, por poashtu ndodh kur ky vullnet heziton të shprehet. Shumë gra, nuk arrijnë të çlirohen nga pushteti i paragjykimeve dhe stigmatizimeve, e për rrjedhë e desubjektivojnë veten seksualisht. Paradoksalisht, ndodh shpesh që gratë e shoqërisë sonë të pëlqejnë ndërhyrjen e dhunshme në vullnetin e tyre, përmes ngucjeve që iu bëhen. Ky nuk është mazohizëm. Kjo është rruga e vetme e lejueshme për to, shkaku i moralitetit ndrydhës e dyfytyrësh [që përdor standarde tjera për gra, e tjera për burra] drejt çlirimit. Ironikisht, ‘çlirimi’ nga dhuna kolektive në trupin e saj e që e shtypë mosvet keq, ndodh me anë të një dhune individuale.

Ky nuk është një shfajësim i abuzuesve e dhunuesve individual. Unë nuk merrem me fajësime. Gjërat duhet parë nga perspektiva më të largëta. E nga një perspektivë e tillë e largët, shkaku për këto ngucje e abuzime qëndron te moralitetet patriarkale që ende gjallojnë dhe harlisen si bimë të egra mes nesh.

T’i shkojmë më tej çështjes së raportit të dominimit/nënshtrimit. Natyrisht, në këtë pikë abuzimi është i mosvetshëm dhe dallimet gjinore deri-në-një-pikë treten. Abuzojnë gratë dhe abuzojnë burrat. Por, në shoqërinë tonë, abuzimi i burrave [sidomos ai seksual] është dukshëm më i madh shkaku i një elementi që ende konceptohet si element pushteti. Është pikërisht gjinia ajo që, edhe në anonimitet të plotë [ta zëmë në rrugë, ku njerëzit nuk njohin asgjë nga njëri tjetri, përjashto dukjen dhe gjininë] e bën një djalë të ndihet sipëror ndaj një vajze dhe ta ngucë atë. Ose një burrë ndaj një gruaje. Meqë ra fjala te rruga, sipas ecshlirë.com, 40.8% e ngacmimeve seksuale ndodhin pikërisht në rrugë [http://www.ecshlire.com/analytics/]

Rasti i Kevin Spacey-t ndërkohë e zbulon një tjetër abuzim pushteti, por me viktima të gjinisë ‘së fortë’. Spacey i kishte ngucë ose kishte abuzu me shumë burra. E pra, kjo sa për fund. Sa për t’iu thënë që shikuar në një plan më të gjerë, të gjithë jemi potencialisht viktima ose dhunues të njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimit në gjini. Dhe nëse e anashkalojmë seksin [shkaku i një homoseksualiteti ngurrues e thuaj të pashprehur në vendin tonë] kjo na bëhet edhe më e qartë. Por sidoqoftë, seksi duket të jetë një ilustrim më i thekshëm i çdo tipi shfrytëzimi e abuzimi që ndodh. E këto mes nesh shprehen me vetëdijen se nuk janë të turpshme e të palejueshme, por e kundërta.

Shpërndaje në: