Kosova mposhtet nga Norvegjia
Kosova është mundur nga Norvegjia në Bergen me rezultat 86:77 (17:22, 25:11, 27:19, 17:25), në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2025.
“Dardanët” e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur shtatë pikë epërsi, 5:12 dhe ishin në epërsi konstante në çerekun e parë, që e mbyllën me shifrat 17:22.
Vendasit kundërpërgjigjen shpejt, duke kaluar në epërsi 31:30, dhe më pas kaluan deri në dhjetë pikë epërsi 42:32, ndërsa pjesa e parë përfundon me shifrat 42:33.
Norvegjezët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke thelluar edhe më tutje epërsinë, ku më e larta ishte 67:47, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 69:52.
Basketbollistët e Kosovës ishin të jashtëzakonshëm në periudhën e fundit, ku me mbrojtje të fortë dhe sulme efikase ngushtuan shifrat në 79:74, një minutë nga fundi, duke tentuar përmbysjen e madhe, por kjo nuk ndodhi dhe Norvegjia fitoi me rezultat 86:77.
Te Norvegjia u dalluan Chris Ndow me 21 pikë e tetë kërcime dhe Karama Jawara me 16 pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime, ndërsa te Kosova u dalluan Erjon Kastrati dhe Muhamedali Janjeva me nga 16 pikë dhe Dardan Berisha me 18.
Kosova ndeshjen e ardhshme e zhvillon ndaj Danimarkës më 28 Nëntor, në Prishtinë, nga ora 19:00.