Kosova mposht Islandën në ndeshjen historike për Ligën B, jemi në Ligën B të Kombeve

Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kalimin në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve, “Dardanët” e siguruan të dielën mbrëma në Murcia të Spanjës, transmeton Periskopi.
Në ndeshjen e dytë të plejofit, të përzgjedhurit e Franco Fodas fituan 3:1 ndaj Islandës. Ndeshjen e parë të zhvilluar të enjten në “Fadil Vokrri”, Kosova e kishte fituar me rezultatin 2:1. Dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:2, Kosova avancon nga Liga C në Ligën B.
Vedat Muriqi është më meritori për fitoren e Kosovës në Spanjë, vend ku sulmuesi edhe e zhvillon karrierën. 30-vjeçari realizoi “hat-trick” ndaj Islandës.
Ndeshja nisi keq për Kosovën. Që në minutën e dytë islandezët kaluan në epërsi 1:0. Orri Oskarsson shënoi nga afërsia pas një goditje nga këndi.
Kjo megjithatë nuk kishte shumë ndikim në lojën e Kosovës. Futbollistët e përzgjedhur nga Foda rreshtuan sulmet, ndërsa dominuan plotësisht në pjesën e parë. Në minutën e 35-të pas një depërtimi të Leart Paqaradës, topi erdhi në zonë te Muriqi. Ai shtyu para topin në rrjetë për 1:1.
Goli i dytë i Kosovës u shënua në momentin më të mirë të mundshëm, në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Muriqi shënoi këtë herë me asistim të Milot Rashicës.
Në pjesën e dytë Amir Shaipi bëri një pritje vendimtare e ndërkohë gjërat u bënë më të lehta për “Dardanët”.
Për kapje të Muriqit, me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 69-të u ndëshkua Aron Gunnarsson. Kështu Kosova kishte një lojtar më shumë në fushë dhe e shfrytëzoi këtë avantazh.
Për 3:1, sulmuesi prizrenas Muriqi shënoi në minutën e 79-të. Asistues ishte Lindon Emërllahu.
Islanda bie nga Liga B në Ligën C, ndërsa Kosova avancon për një nivel.
Kosova në tri edicionet e fundit ka garuar në Ligën C të Ligës së Kombeve. Në edicionin e parë ishte madje në Ligën D. Në edicionin e ardhshëm, 2026/2027 do të jetë në Ligën B.