Kosova mos të fokusohet në SHBA e Rusi, por në procesin e anëtarësimit në BE

Periskopi.com Intervista

Ish-zëvendës-ndërmjetësi austriak në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, e ka porositur Kosovën që të fokusohet në procesin e anëtarësimit të saj në BE, pasi që vendi nuk do të anëtarësohet as në SHBA e as në Rusi.

Ai ka thënë se Kosova ka shënuar suksese të mëdha në dekadën e parë të pavarësisë, por i duhet më shumë punë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndër të tjera, Rohan thotë se marrëveshja e kufirit me Malin e Zi, ka marrë rëndësi më të madhe se që duhej, në raport me liberalizimin që është më i rëndësishëm.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Rohani ka folur për prapaskenat e bisedimeve në Vjenë dhe propozimin që shërbeu për shpalljen e pavarësisë së vendit.

Inervista e plotë me Albert Rohanin:

Kanë kaluar 10 vjet nga pavarësia. Sa mendoni se ka ecur Kosova?

Në këndvështrimin tim, ka rezultate të përziera. Ka gjëra pozitive që kanë ndodhur. Kosova si shtet, është njohur nga shumë shtete, i ka konsoliduar institucionet e procese demokratike po ndodhin. Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, marrëdhëniet me BE-në janë zhvilluar me nënshkrimin e MSA-së. Këto janë të gjitha pozitive dhe për mua që jam i lidhur me Kosovën për gati 30 vjet, nëse e sheh nga një këndvështrim më i gjatë, Kosova kurrë nuk ka qenë më mirë se sot. Në vitet ‘90 kosovarët ishin të shtypur, jetonin nën regjim kolonial, në dekadën tjetër ishin nën protektorat ndërkombëtar dhe në 10 vjetët e fundit, po jetojnë në shtetin e tyre të pavarur dhe jam i sigurt që janë të lumtur me këtë. Në anën tjetër, ka shumë sfida, shumë probleme, disa prej të cilave vijnë nga jashtë, si marrëdhëniet jomiqësore me Serbinë, pastaj sjellja negative nga Rusia, refuzimi i 5 shteteve të BE-së për ta njohur Kosovën, që e bën përfshirjen e Kosovës në procesin e integrimit më të vështirë. Dhe, pastaj janë problemet e brendshme, si: ekonomia, problemet sociale, papunësia e lartë, sidomos te gjeneratat e reja që duhet të adresohen, që do të thotë se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Çka shihni si suksesin më të madh në këtë dekadë?

Besoj se është vetë fakti që Kosova ekziston dhe të gjithë e pranojnë këtë, edhe nëse jo formalisht. Ky është suksesi më i madh. Por, gjithmonë duhet marrë parasysh se prej nga Kosova ka nisur. Prandaj, progresi është i ngadalshëm, por po ndodh, prandaj nuk do të veçoja ndonjë gjë si suksesin më të madh, është lëvizja e vazhdueshme përpara.

Pas kaq shumë vjetësh, ende ka dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi thotë se ky duhet të jetë viti i fundit dhe një marrëveshje duhet të arrihet. Si mendoni se duhet të duket?

Do të doja që kjo marrëdhënie të normalizohej sot apo nesër, por ndoshta po kërkoj shumë. Mendoj që miqtë e mi në Kosovë duhet ta pranojnë një realitet, që është se përfshirja e plotë e Kosovës në Bashkësinë ndërkombëtare varet nga marrëdhëniet e saj me Serbinë. Këtu mund të ketë mospajtime, ose të mos jetë e drejtë, por është fakt jetësor që të gjithë, duke përfshirë liderët, duhet ta marrin parasysh. Prandaj, marrëdhëniet dhe dialogu me Serbinë është kaq i rëndësishëm. Dialogu duhet të vazhdojë, duhet të ketë kontakt të vazhdueshëm në të gjitha nivelet. Duhet arritur fazën kur do të ketë marrëdhënie bashkëpunimi me një shtet që do të jetë përgjithmonë fqinj i Kosovës, çkado që ndodh. Në këtë kontekst, do t’u kërkoja miqve të mi të marrin parasysh një aspekt. Opinionit publik në Serbi i është servuar për 30 vjet propagandë nacionalistike dhe kundërshtim i fortë për një marrëveshje me Kosovën. Liderët si Presidenti Vuçiq duhet të marrin parasysh mendimin e opinionit publik, kanë votues dhe duhet të konfirmohen në zgjedhjet e tjera, siç ndodh edhe me liderët në Kosovë. Dhe, ky disponim i opinionit publik e shpjegon edhe lojën zig-zag të Presidentit Vuçiq që një ditë thotë diçka pozitive, një ditë tjetër diçka negative. Përshtypja ime është që ai po punon ngadalë që ta drejtojë këtë anijen e disponimit të opinionit publik në një drejtim tjetër. Prandaj, mendoj se duhet pasur durim, duhet pasur një qëllim, por nuk do të ndodhë nesër.

A mendoni se Presidenti Vuçiq është personi i duhur për të marrë vendime të guximshme për Kosovën, duke marrë parasysh sa e fuqishme është partia e tij në Serbi?

Së pari, sa më e fuqishme që është partia, e kanë më të lehtë t’i marrin disa vendime që mendoj se nuk do të jenë popullore. E dyta, sa më nacionaliste që është partia, është më e lehtë të bëhen kompromise.

Siç është partia e Presidentit Vuçiq.

Kështu ka qenë gjithmonë. Vetëm mendojeni zotin Begin të Izraelit me Egjiptin. Askush nuk ka mundur të bënte paqe me Egjiptin, pos zotit Begin që ishte një nacionalist i vërtetë. Prandaj, kjo është përvojë e vjetër, prandaj mendoj se është personi i duhur. Pavarësisht të kaluarës së tij, që ne e dimë, sepse ishte aktiv në atë kohë, besoj se ai është i interesuar për ta zgjidhur këtë çështje.

A duhet të ketë një marrëveshje obligative ligjore në fund të procesit?

Për mua ideale do të ishte njohja formale e pavarësisë. Nuk e di se çfarë vlere do të kishte një traktat ligjor. Ambasadori Ischinger kur udhëtoi në Beograd në vitin 2006 me Trojkën (SHBA, BE, Rusi), e propozoi Traktatin Gjermano-Gjerman të vitit 1972, ku pa njohje formale, secila palë e njihte ekzistencën e tjetrës, që thoshte se nuk do të pengohej pranimi në organizata ndërkombëtare, e kështu me radhë. Serbia e refuzoi në atë kohë, edhe pse do të duhej ta pranonte. Nuk e di a mjafton kjo tash. Për mua qëllimi duhet të jetë që të ketë një marrëdhënie normale ndërmjet dy shteteve.

Por, njohja formale është shumë e vështirë të ndodhë dhe me siguri do të duhen edhe shumë vjet.

E vërtetë, por këtu kemi të bëjmë me një realitet tjetër, për të cilin dua t’i këshilloj miqtë e mi. E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, sikurse edhe e të gjitha shteteve të tjera të rajonit. SHBA-ja, Rusia, Turqia nuk do të jenë faktorë në të ardhmen për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe Ballkanit. Mendoj se duhet kuptuar këtë. E di që roli i SHBA-së ka qenë shumë i rëndësishëm kur ka nisur procesi i pavarësimit. SHBA-ja ka qenë shumë përkrahëse edhe në procesin tonë, por nuk do ta definojë të ardhmen e Kosovës, Kosova nuk mund të bëhet pjesë e SHBA-së, Kosova duhet të bëhet pjesë e BE-së. Prandaj, unë këshilloj liderët e Kosovës që të fokusohen në anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Të mos e kritikojnë Komisionin e BE-së, shtetet anëtare, është kundër-produktive. Duhet punuar bashkë me Komisionin. Komisioni sidomos Komisionieri Hahn është një mik i Kosovës dhe ai dëshiron që të ndihmojë në kohët e vështira dhe ta përfshijë Kosovën në procesin e zgjerimit, siç e kemi parë në këto ditë kur Spanja ka provuar që ta pengojë. Prandaj, punoni së bashku me këta njerëz dhe me shtetet anëtare që janë miq të mirë të Kosovës, siç është vendi im. Prandaj, duhet fokusuar në këtë. Për mua është esenciale që Kosova të provojë ta zërë në procesin e integrimit shtetin që ka ecur më së shumti përpara, që në këtë rast është Serbia. Është e vështirë sidomos nën këto rrethana, por nuk është e pamundur, sidomos për faktin që alternativa është që Serbia të bëhet pjesë e BE-së e Serbia të mbetet jashtë dhe kjo nuk do të ishte mirë për Kosovën, qoftë me marrëveshje ligjore, qoftë pa të.

Kosova ndien se nuk po merr vëmendjen dhe ndihmën e BE-së, teksa Serbia lëviz drejt integrimit si rezultat i dialogut. Kosova ka ngecur dhe jemi vendi i vetëm i izoluar, pa liberalizim vizash.

Po, por duhet të shihni arsyet pse ndodh kjo. Nuk është faji i BE-së, por i Kosovës për këtë. Kosova nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë. Kosova i ka humbur dy vjet për liberalizimin e vizave, sepse nuk e ka miratuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Për mendimin tim, marrëveshja kufitare ka karakter teknik. Ne jemi marrë gjatë bisedimeve për statusin me kufirin me Maqedoninë. Ka pasur një komision dhe çështja është zgjidhur. Nuk është politik, por problem teknik. Nëse keni kufij historikë, duhet ta transferoni në të ditëve të sotme dhe kjo është e tëra, E dimë që kishte komision nga Kosova që e negocioi marrëveshjen, e cila u nënshkrua nga liderët politikë të Kosovës dhe më pas nuk u miratua. Dhe, në krahasim me liberalizimin e vizave, kjo marrëveshje e kufirit është e rëndësisë dytësore. Të humben dy vjet për këtë është thjesht e papranueshme. Më lejoni të them që Kosova ishte në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin. Të dyja shtetet e tjera e morën këtë të drejtë para një viti.

Por, ato nuk e kishin këtë kusht. Praktikisht, një pjesë e Ukrainës tani është pjesë e Rusisë dhe njerëzit ndiejnë se është një kusht i padrejtë për Kosovën.

Mund të jetë, por ky është një kusht që duhet të përmbushet. Mund ta kundërshtoni e ta quani të padrejtë, por politika e mirë është që të ballafaqoheni me realitetin dhe realiteti është se Kosova e do liberalizimin e vizave, shtetet anëtare të BE-së vendosën dy kushte që duhet të plotësohen dhe kjo duhet të ndodhë.

Por, e kemi kryeministrin e vendit që thotë se Kosova humb territor me këtë marrëveshje.

Shikoni, kjo nuk ka të bëjë me pronësinë. Nëse një fermer austriak në kufi me Bavarinë ka tokë në anën tjetër, ai nuk e humbë pronësinë. Ai mund ta punojë pa problem tokën e tij. Kufijtë në Evropë në përgjithësi, me përjashtim të problemeve me imigracionin, janë zhdukur, e kanë humbur rolin e vet.

Por, po flasim për Ballkanin, ku kufijtë janë shumë të rëndësishëm.

Po, por po flasim për atë se në 10-20 vjetët e ardhshëm, me bashkimin e këtyre vendeve në BE, këta kufij do të zhduken, ju siguroj për këtë. Neve nuk na bëjnë më përshtypje kufijtë. Prandaj, mendoj se marrëveshja e kufirit ka marrë rëndësi më të madhe se që duhej në raport me liberalizimin që është më i rëndësishëm. Së dyti, kur qeveria nënshkruan një marrëveshje duhet t’i përmbahet asaj – ta ratifikojë. Më pas, ka padrejtësi që ndodhin dhe nuk besoj se përfaqësuesit e Kosovës ishin në dijeni për pasojat. Këto vështirësi gjithmonë mund të adresohen më pas. Mënyra si është bërë, është për keqardhje dhe Kosova mund të ishte shumë më përpara në rrugën e integrimit. Liberalizimi është esencial për njerëzit, por edhe është hap për integrimin evropian, e Kosovës i duhet të ecë hap pas hapi dhe ta bëjë këtë sa më shpejt.

Pra, ju e nxisni Parlamentin ta miratojë sa më shpejt?

Po.

Një çështje tjetër që lidhet me këtë, dhe për të cilën kemi parë dy vjet gaz lotsjellës në Parlament dhe protesta në rrugë, është krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Me sa e di, pak a shumë kjo parashihet edhe në propozimin tuaj për pavarësinë, që serbët mund ta kenë asociacionin.

Këtu më duhet të bëj disa sqarime, pasi që personalisht unë e kam futur këtë në planin e Ahtisaarit. Kjo është marrë tekst për tekst nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale e Këshillit të Evropës. Kjo është një marrëveshje kornizë që e ka nënshkruar secili anëtar i Këshillit të Evropës dhe që merret me qeverisjen lokale. Aty parashihen dy mënyra të bashkëpunimit ndërmjet komunave. Njëra është praktike. Për shembull, nëse dy komuna dëshirojnë të kenë një brigadë të përbashkët zjarrfikësish ose kompani të përbashkët pastrimi.

Ky është bashkëpunimi praktik. Kjo është e para. E dyta është Asociacioni që është menduar si organizatë lobuese nuk është pushtet ekzekutiv i qeverisë. Është një asociacion për interes, për lobim, me karakter këshillues. Duhet t’u ndihmojë komunave për detyrat më të vështira duke bërë studime dhe të ngjashme, ose në raport me qeverinë qendrore kur janë në pyetje ta zëmë çështjet buxhetore, për të ndihmuar ta zëmë në negociata me Ministrinë e Financave. Ky duhet të jetë qëllimi i këtij asociaiconi. Dhe, ne e kemi marrë fjalë për fjalë nga Karta. Natyrisht, është e interpretuar në tjetër mënyrë nga Serbia që dëshiron ta fusë së pushtet të tretë ekzekutiv ndërmjet qeverisë qendrore dhe komunave me kompetenca ekzekutive. Asociacioni siç është mendur nga Këshilli i Evropës, siç e kemi menduar ne, dhe siç është praktikë në Austri, ku ne kemi një Asociaicon me një President që ka pak aktivitet, një Sekretriat, dhe ata mblidhen…

Por, nuk ka Kuvend?

Jo, jo. Ata mund të takohen ndoshta një herë në javë, kryetarët takohen, por në publik del vetëm Presidenti që ka një rol në partneritetin shoqëror. Është funksion i vlerësuar, por jo ekzekutiv. Njëjtë dhe në Gjermani dhe kudo tjetër.

Ky propozim sipas marrëveshjes në Bruskel, a është e kundërta e asaj që ju keni propozuar?

Në Bruksel kishte marrëveshje për institucionin, por jo për statutin. Mendimi im është se me këtë organogram, shkon shumë larg me atë që ne kemi propozuar dhe më atë që Karta e KiE-së parasheh, edhe pse më duhet të them se as Karta e as propozimi ynë nuk jep asnjë detaj. Ne thjesht themi se komunat mund të krijojnë një asociacion, pa detaje. Por, shpirti i organizatës dhe përvoja në shtetet e tjera janë shumë të qarta. Është e mjaftueshme nëse merret parasysh statuti i Asociacionit të Komunave në Austri për të parë se çka nënkuptohet me këtë.

Kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka hedhur poshtë së paku 23 nene. A duhet në fund të formohet ky Asociacion?

Po, duhet të formohet dhe të bëhet shumë shpejt. Por, duhet pasur kujdes kur të hartohet statuti që është esencial. Statuti duhet të kopjohet nga asociacionet e tjera dhe të mos i jepet organizatës ndonjë funksion shtesë që nuk e ka asnjë shtet tjetër. Ne nuk duam Republika Srspka, as pushtet të tretë. Ky Asociacion nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Kjo u takon komunave.

Së fundi, kemi pasur diskutim të madh për përpjekjen e Kuvendit të Kosovës për të shpërbërë Dhomat e Speciaizuara. A do të ishte gabim për Kosovën?

Kjo çështje i ka dy aspekte – njëri fundamental dhe tjetri procedural. E para ka supozime për krime të rënda të kryera në mes të viteve 1998 deri në 2001 dhe këto supozime rrinë si re mbi Kosovën. Është esenciale për Kosovën dhe popullin e Kosovës që këto dyshime të sqarohen. Nëse akuzat janë të pabaza, kjo duhet të vendoset me një procedurë të hapur dhe transparente, një procedurë të besueshme. Nëse kjo pastrohet, të gjithë pastrohen. Nëse del që ka pasur krime, është me rëndësi që të individualizohen krimet. Duhet që fajtorët që kanë kryer këto krime, të dalin para drejtësisë. Kështu funksionon drejtësia në një shtet ligjor. Për ata që brengosen se me këtë prishet imazhi i UÇK-së, do të thosha se roli i lëvizjes çlirimtare është i padiskutueshëm. E dyta, e kundërta është e vërtetë. Nëse e individualizoni fajin, e largoni fajin kolektiv nga UÇK-ja si institucion dhe kjo duhet të bëhet. Është edhe aspekti procedural. Siç e thatë, vendimi është marrë nga Kuvendi më herët. Financimi është siguruar me ndihmën e BE-së, janë kryer emërimet, punët kanë filluar dhe aktakuzat janë gati. Në këtë fazë të provohet të kthehet prapa i gjithë procesi dhe të kthehet në vendimin e Kuvendit, është thjesht e pamundur. Përpjekjet për të bërë këtë, e dëmtojnë reputacionin e Kosovës. Duket sikur pranim i fajit kur nuk ka faj të dëshmuar ende dhe duhet të ndalohen menjëherë.

Duket se janë ndaluar, pasi këtë e tha presidenti Thaçi. Por, ai ishte njeriu që përkrahu iniciativën e 43 deputetëve. në dhjetor dhe tani thotë se nuk do ta bëjë. Në këto javë, ka pasur deklarata e kërcënime nga ambasadorët britanikë dhe amerikanë për pasojat e mëdha që do të ketë Kosova nëse e shpërbën gjykatën.

Unë nuk dua të komentoj deklarata individuale të liderëve apo ambasadorëve, por mund të them se e gjithë ajo që mund të ndodhë është dëmtimi i imazhit të Kosovës si një shtet ku sundon ligji, si shtet i pjekur. Kjo nuk do të duhej të ndodhte.

Por, kemi veteranët e luftës e edhe kryeministrin Haradinaj që besojnë se kjo gjykatë ndoshta është raciste. U drejtohet vetëm shqiptarëve të Kosovës, vetëm një grupi etnik.

Merret me akuza specifike. Dhe, nëse zoti Marti do të akuzonte serbët për krime konkrete, do të kishte Dhoma Speciale për këtë. Dhe, ne e dimë se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është marrë me krimet e serbëve në Kosovë. Mendoj se 80 % e atyre që janë dënuar në Hagë janë serbë. Në secilin rast, kjo nuk ka të bëjë me atë nëse edhe grupi tjetër etnik duhet të akuzohet. Merret me akuza konkrete kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe kjo duhet të sqarohet. Nuk është gjykatë raciste. Është një gjykatë normale, që do të operojë me ligjet e Kosovës me Dhomat Speciale jashtë. Është një proces kredibil dhe Kosova duhet të kalojë nëpër këtë dhe ta përfundojë pavarësisht rezultatit që mund të ketë. Kjo do të ndodhë.

Por, krimet e supozuara të UÇK-së janë shqyrtuar në Hagë. Ka pasur procese në Kosovë dhe njerëzit pyesin pse duhet të ketë akoma. Kryeministri Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm.

Nuk e di kush do të jetë në listën e të akuzuarve. Por, nëse njerëzit janë të pafajshëm, nuk kanë çfarë të frikësohen. Është më e rëndësishme për Kosovën që këto akuza të sqarohen, pasi që ka shumë vjet që qëndrojnë. Ishte gabim që Haga nuk u mor me këtë, dhe kjo do të përfundohej deri më tash. Por, duhet ballafaquar me këtë. Nuk mund ta lini të rri aty.

Bashkësia ndërkombëtare thotë se ka krijuar këtë Gjykatë speciale, sepse gjykatat e Kosovës nuk janë marrë me këto krime të supozuara,. Por, politikanët lokalë thonë që për shumë vjet ne kemi pasur fillimisht gjykatësit e OKB-së e tani edhe ata të BE-së. Pse këta nuk u morën me këtë çështje?

Tani, EULEX-i me siguri ka bërë shumë gabime, siç besoj se ka bërë edhe UNMIK-u. Edhe nëse e pranoni këtë, nuk do të thotë që akuzat janë zhdukur. Duhet ta bëni këtë. Kjo është një procedurë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Duhet ta kaloni. Nuk mund të thoni papritmas se nuk duam tash ta bëjmë, duam të kthehemi prapa. Është politikë e gabuar, është kundër-produktive. Nuk është e mirë për Kosovën. E di që e gjitha çështja është e diskutueshme, që mund të bëhet akoma më shumë e tillë varësisht kush akuzohet, por nëse njerëzit janë të pafajshëm, ata do të pastrohen.

Folët për imazhin e Kosovës, por në fakt i gjithë raporti i Dick Martyt ka të bëjë me një person – Presidentin Thaçi. Çka ndodh nëse presidenti i shtetit akuzohet?

Mendoj se zoti Thaçi do të vendosë vetë se çka do të bëjë, unë nuk mund t’i jap këshilla.

Po flisja për imazhin. Çka ndodh nëse presidenti akuzohet për krime lufte?

Ai do të marrë vendimet e veta, jam i sigurt dhe duhet të ballafaqohet me këtë nëse ndodh. Unë nuk kam ide nëse Thaçi do të përfshihet. Ka të bëjë me zinxhirin komandues dhe përgjegjësinë aty. Besoj se as Marty nuk e akuzon Thaçin të ketë bërë diçka personalisht. Është zinxhiri komandues, por kjo i përket Gjykatës. Nuk dua të përzihem.

Së fundi kemi parë një betejë diplomatike nga Serbia, që ka thënë se disa shtete e kanë tërhequr njohjen. A është kjo e mundur?

Gjithçka është e mundur, varësisht nga shteti. Ne nuk e dimë se në cilën mënyrë është bërë njohja. Nëse është bërë formalisht, duket shumë e vështirë. Më lejoni të them sa u përket njohjeve. Është shumë mirë që Kosova i ka arritur 114 apo sa njohje. Ishte e kushtueshme, sa i përket energjisë, parave dhe aspektit politik, sepse nëse një shtet i ri shfaqet ai pranohet në OKB dhe me pranim i bie që njihet nga të gjitha shtetet anëtare. Ky shtet, në kushte normale, nuk duhet të bëjë asnjë hap për të fituar njohje. Për të vendosur marrëdhënie diplomatike pastaj, është çështje tjetër. Fatkeqësisht, për shkak të qëndrimit negativ të Rusisë, Kosova nuk e pasur këtë rrugë të lehtë dhe ka pasur detyrë shumë të vështirë për të biseduar me shtetet individuale për të fituar njohjet. Por, tani që shumica e shteteve të OKB-së e kanë njohur Kosovën, është pak e rëndësishme nëse janë 5 shtete më shumë a më pak. Nuk ndryshon asgjë kjo. Çështja kryesore është pranimi në OKB dhe kjo ndodh vetëm nëse Serbia e jep dritën e gjelbër dhe Rusia e tërheq veton. Ky është fakt…

Që është shumë e vështirë të ndodhë..

Që është shumë e vështirë të ndodhë. Moska e lidh direkt me Beogradin politikën e saj ndaj Kosovës. Ky është fakt dhe gjithçka varet nga marrëdhëniet me Serbinë. Pavarësisht a i ka Kosova 100, 114,120 apo 125 njohje asgjë nuk ndryshon. Po të isha lidershipi i Kosovës, do të vazhdoja të kërkoja njohje, por nuk do të investoja shumë në këtë çështjen e numrave.

Kjo marrëveshja e re a duhet ta përfshijë këtë, që Serbia të mos e pengojë Kosovën për anëtarësimin e saj në OKB, edhe nëse nuk e njeh formalisht.

Ky duhet të jetë minimumi dhe kthehem te Traktati Gjermano – Gjerman që e parasheh këtë. Kur unë punoja në OKB në vitet ’70 të dyja Gjermanitë ndonjëherë ishin edhe pjesë e Këshillit të Sigurimit edhe pse nuk e njihnin formalisht njëra-tjetrën. Ka precedent për këtë dhe do të ishte absolutisht minimumi. Por, më e rëndësishme e më e komplikuar është vetë anëtarësimi në BE, sepse nëse Serbia bëhet anëtare derisa Kosova mbetet jashtë nuk e dimë se çka do të ndodhë. E kemi parë se kur një shtet bëhet pjesë e BE-së, mund të bëjë çka të dojë.

Ka shpresë në Kosovë se do të anëtarësohet bashkë me Serbinë, ka edhe deklarata nga Bashkimi Evropian…

Edhe unë shpresoj, prandaj e përsëris këshillën time – fokusohuni në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE, me gjithë vështirësitë, siç edhe tregon sjellja e Spanjës.

A mund ata ta bllokojnë Kosovën?

Po, munden. Në çdo kohë, çdokush mund ta bllokojë.

Duket se Spanja e ka seriozisht këtë herë.

Kur kemi punuar me Marti Ahtisaarin në propozimin dhe e propozuam shkuam te të të gjitha shtetet Këshillit të Sigurimit dhe tek anëtarët më të rëndësishëm të BE-së dhe provuam ta bindim Spanjën që politika e tyre ishte e gabuar për shumë arsye. E para, historia e Kosovës është krejt e veçantë, duke marrë parasysh historikun në 20 vjetët para pavarësisë, nuk krahasohet me asnjë lëvizje tjetër secesioniste. Duke provuar që ta marrë këtë si precedent për Kataluninë, Spanja e pranon në njëfarë mënyrë se e ka trajtuar keq këtë rajon, gjë që nuk është e vërtetë. Katalonia e ka autonominë e saj, nuk është shtypur asnjëherë, nuk ka pasur luftime, as ndërhyrje ndërkombëtare. Është krejt rast tjetër dhe ne u kemi thënë miqve tanë spanjollë, pse nuk thoni se natyrisht që do ta njohim Kosovën, është një rast krejtësisht tjetër dhe nuk ka asgjë të bëjë me baskët apo katalunasit. U thamë se do të ishte shumë më lehtë për ta, por fatkeqësisht ata nuk na dëgjuan. Dhe, rastet e tjera janë edhe më absurde. Sepse nëse ka lëvizje secesionite në Spanjë, në Sllovaki nuk ka. Në Rumani nuk ka. Në Greqi nuk ka.

Por, së paku kemi raporte miqësore me këto shtete dhe mund të përdorim pasaportat tona atje.

Por, këtë doja ta shtoja. Të gjitha këto shtete, duke përfshirë Greqinë kanë qenë shumë mirëkuptuese dhe pragmatike. Është për keqardhje që 5shja nuk e përdori mendimin e GJND-së të vitit 2010 për të thënë: mirë, tani që gjykata e ka vendosur që pavarësia nuk ishte e kontestueshme me ligjin ndërkombëtar, do ta njohim. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

Këtë doja t’ju pyesja në vazhdim. A jeni të lumtur që GJND-ja vendosi që pavarësia e Kosovës ishte ligjore dhe a mendoni se Kosova nuk e përdori mjaftueshëm për të mirën e saj?

Mendoj se e përdori në përpjekjet për njohje, por nga ana tjetër, thotë se vetëm Deklarata e Pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por nuk thotë asgjë për substancën e pavarësisë. Serbët e Kosovës thonë, në fakt, gjykata thotë se kjo nuk ishte pyetja. Pyetja ishte a është Deklarata e Pavarësisë në kundërshtim me ligjin, dhe ne thjesht u përgjigjëm. Ne nuk u pyetëm për substancën e pavarësisë. Është një vendim i qartë gjithsesi dhe do të duhej të përdorej nga 5-shja që nuk e njeh.

Cila do të ishte këshilla juaj për politikanët e Kosovës për luftimin e krimit dhe korrupsionit, që janë kritere për t’iu bashkuar BE-së?

Kjo është një çështje e vështirë për të gjitha shtetet. Nëse shikoni përreth te shtetet e tjera, të gjitha e kanë problem krimin e korrupsionin. Është shumë e vështirë të luftohet. Ne në Austri e kemi emëruar një prokuror special për korrupsionin ekonomik, sepse e kemi parë që prokurorët ndonjëherë nuk kanë dijeni të mjaftueshme për të hetuar mënyrën e fshehtë me të cilën operon korrupsioni dhe çdo shtet ka problem. Është fakt që shtetet më të varfra, më i dëmshëm është korrupsioni. Disa shtete mund ta përballojnë një shkallë të korrupsionit, por nëse financat mungojnë dhe më pas vidhen, kjo është shumë e dëmshme. Prandaj, mund të them që lufta kundër korrupsionit duhet te intensifikohet. Ajo që duhet është që disa procedura të përfundojnë dhe njerëzit të dënohen për korrupsion, dhe pastaj Kosova mund t’i thotë BE-së se e plotësuam njërin nga dy kushtet tuaja, se ka progres kundër korrupsionit. Duhet të jetë i dukshëm.

Por, nuk ka vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë?

Më falni?

Por, nuk ka vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë?

Kjo ndodh në shumë shtete, mund t’i imagjinoni cilat po mendoj. Është e qartë se ata që janë në pushtet nuk janë të interesuar për të bërë ndryshime. Kjo për mendim tim është plagë për shumë shtete dhe kërkon shumë kohë për ta larguar. Mund të kërkoj edhe një gjeneratë njerëzish për ta ndryshuar këtë.

Mënyra se si janë sjellë liderët politikë në javët e fundit sa i përket Gjykatës Speciale. A besoni se e kanë rrezikuar raportin miqësor me BE-në dhe SHBA-në.

Rrezikim marrëdhëniesh ndoshta është e tepërt të thuhet, por sigurisht është kontraproduktive. Nuk tregon shenja të mira për pjekurinë e shoqërisë, liderëve dhe institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi e merr një vendim, duhet respektuar. Nuk mund ta ktheni mbrapa pas disa vjetësh. Kthehem në atë që thashë, UÇK-ja duhet ta kuptojë sa e rëndësishme është që kjo çështje të zbardhet njëherë e përgjithmonë. Të gjitha dyshimet, hijet duhet të largohen dhe kjo nuk është e mirë për institucionet.

Të kthehemi në fund te bisedimet. Si i kujtoni bisedimet në Vjenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

I kujtoj si shumë interesante. I njihja të gjitha palët shumë mirë, pasi që puna ime e parë diplomatike ishte Beogradi. Isha zyrtari i parë i huaj që u takova me kryeministrin Koshtunica në ditën e tij të betimit. Në mëngjesin e asaj dite i kalova dy orë me të dhe më pas në mbrëmje ndodhi ceremonia. Kam pasur shumë miq në Serbi, e shumë miq në Kosovë dhe e njihja çështjen e Kosovës për shumë vjet. Ndeshja sikur po ndërmjetësoj mes miqsh, dhe Ahtisaari njëjtë, sepse edhe kishte shumë kohë që ishte i përfshirë në çështjet ballkanike. Kisha punuar me të në vitet ‘70. Kur e emëruan atë, unë isha Shef i Stafit i Sekretarit të OKB-së, ne e emëruam si Komision për Namibinë. Ishte kohë shumë interesante. Një gjë që të tjerët nuk e dinë, është kontakti shumë i afërt që ne kemi mbajtur me Grupin e Kontaktit. Fillimisht ne i pranuam parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit, që thoshte të mos ketë ndarje, që nuk do të ketë bashkim me shtet tjetër dhe të tjera. Çdo muaj kishim takim të niveleve të ndryshme me Grupin e Kontaktit. Pastaj, Ahtisaari kishte një ide brilante, duke i kërkuar BE-së, Rusisë dhe SHBA-së që të dërgojnë zyrtarë ndërlidhës në misionin tonë. Kjo krijoi shumë probleme buroteknike me administratën në New York, sepse ata ndienin se ishin të jashtëm dhe nuk mund të punon në zyrat tona, por Ahtisaari tha se nëse vijnë duhet të punojnë sikurse të tjerët. Rusët nuk e përdorën këtë mundësi. BE-ja e bëri duke e dërguar Stephan Lehnen. SHBA-ja na i dërgoi dy njerëz, njëri ishte ekspert kushtetues dhe kishim edhe një zyrtar të lartë rus në misionin tonë, një diplomat të OKB-së. Të gjithë dinin gjithçka dhe ishte shumë transparente. Bisedimet në vetvete ishin shumë konkrete, në detaje për kufijtë komunalë, për decentralizimin, për minoritetet. Ishin shumë detajuese. I ndanim punët me Ahtisaarin. Unë i udhëhiqja shumicën e takimeve të rregullta, kurse ai i udhëhiqte Raudin e Elefantëve kur vinin Presidentët dhe kryeministrat. Ndarja tjetër e punës ishte, edhe pse nuk e dinin të tjerët, ishte se Martti u koncentrua te fuqitë e mëdha. Ai shkoi në Pekin, në Moskë, në Washington dhe unë shkoja nganjëherë me të. Por, unë u koncentrova te fuqitë rajonale, te shtetet fqinje, sepse i njihja më mirë se Ahtisaari dhe ai kishte ndikim më të madh te fuqitë e mëdha sesa unë. Ishte një ndarje e mirë e punëve. Nëse më pyesni nëse kam pasur zhgënjime, ju them se kam pasur në dy mënyra. Kur u kuptua se një marrëveshje për statusin ishte e pamundur, gjë që u bë e qartë shpejt, ne donim të gjenim një mënyrë që të dyja palët të fitojnë diçka. Dhe, plani i Ahtisaarit është kompromis. Në njërën anë, ka pavarësi për Kosovën, me disa kufizime të vogla dhe në anën tjetër, ka masa të mëdha për të ruajtur komunitetin serb në Kosovë. Legjislacioni për të drejtat e minoriteteve në Kosovës është më i avancuar se kudo në botë dhe kjo është arsyeja se Kosova ka marrë kaq shumë njohje. Ishte në një formë çmimi për pavarësinë dhe për njohjet. Zhgënjimi im ishte se Beogradi mendonte vetëm për territor. U dha shumë pak rëndësi të gjitha anëve pozitive që ky plan i Ahtisaarit ofronte për minoritetin e saj serb në Kosovë. U deshën shumë vjet derisa serbët në Kosovë e kuptuan sa shumë mundësi që kishin duke marrë pjesë në vendimmarrje, duke i drejtuar vetë punët e veta, me procesin e decentralizimit dhe të ngjashme. Mendoj se tani e kanë kuptuar tani, ky ishte një zhgënjim. Zhgënjimi tjetër ishte sjellja ruse. Ne kishim arsye për të besuar në fillim të vitit 2006, që Rusia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Kishte deklarata që ishin mjaft të qarta, sidomos nga zoti Lavrov. Fakti, që Lavrov e nënshkroi një deklaratë që ministrat e jashtëm të Grupi të Kontaktit e bëni në janar 2006 në Londër, e që thoshte se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe meqë 90 % e kosovarëve donin pavarësi, ishte e qartë se çka do të thoshte kjo dhe Lavrov e kishte nënshkruar këtë deklaratë. Pastaj, në pranverë të 2006 kishte një ndryshim qëndrimi të rusëve dhe ata refuzuan gjithçka që lidhej me pavarësinë. Pse ndodhi kjo, ne nuk e dimë. Nuk e di nëse Putini u përfshi apo jo, por kishte ndryshim të qartë të pozicionit. Kjo ishte për keqardhje, sepse në atë mënyrë Plani i Ahtisaarit do të përkrahej nga Këshilli i Sigurimit.

Sa kohë u desh për ta shkruar propozimin?

Na janë dashur 2-3 muaj.

Sa njerëz punuan në këtë?

Ishte në atë mënyrë që Marti Ahtisaari ishte shefi i madh. Unë e bëja punën praktike në detaje dhe varësisht nga tema kishim njerëz të tjerë, p.sh. kur punonim në pjesë në për Kishën Ortodokse Serbe. E kishim Stefan Lehnen që na ndihmoi me çështjet ekonomike. Unë isha me një gjerman që merreshim me decentralizimin. Pastaj, kishim edhe njerëz nga jashtë. Kishim njerëz që na i dërgoi Komisioni i Venecias, për Kushtetutën. Mund t’ju them që nuk ka asnjë fjalë të vetme, e cila nuk është menduar shumë herë. Unë insistoja që ta lexonim sërish, e sërish e sërish. Çka do të thoshte, sa larg do të shkohet? Çka duam të përshkruajmë për kosovarët, çka duhet t’u lëmë atyre për të vendosur. Është interesante që nuk kishte asnjë zë më pas që tha se kishim futur diçka të gabueshme, sepse në këtë mënyrë do të mund të refuzonin gjithë propozimin. Asnjë detaj nuk u vu në pikëpyetje nga askush dhe kjo ishte e kënaqshme.

A keni menduar ndonjëherë ndonjë opsion tjetër?

Kemi pasur dy opsione, kur e morëm vesh se nuk mund të arrijmë marrëveshje. Njëri ishte opsioni më i lehtë që të shkonim te Sekretari i Përgjithshëm dhe të thoshim “na vjen keq, nuk kemi mundur të arrijmë marrëveshje edhe pse provuam me negociata dhe tani po e kthejmë mandatin”. Pasojat do të ishin se prania ndërkombëtare UNMIK-u, KFOR-i do të konsiderohej si forcë okupatore në Kosovë dhe se nuk ishte e vështirë të parashikohet se do të kishte rezistencë ndaj pranisë ndërkombëtare dhe kjo do të ishte katastrofike si për Kosovën, ashtu edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare. Prandaj, ne ndiejmë se ishte mandati ynë ta zgjidhim problemin. Dhe, meqë nuk mund të arrinim një marrëveshje e ndiejmë se ishte detyra jonë ta propozojmë një që bazohej në historinë e Kosovës, në realitetin në terren, në parimet e Grupit të Kontaktit dhe nga ajo që kishim mësuar nga 6 muajt e negociatave.

Në fakt, më interesonte nëse kishit menduar që të propozonit ndonjë autonomi të zgjeruar, ndonjë gjë më pak se pavarësia?

S’ka asgjë. Nuk mund të përzini pavarësinë me jopavarësinë. Ju mund të kishit autonomi, por kjo do të thoshte kthim prapa dhe një nga parimet e Grupit të Kontaktit ishte se nuk mund të kishte kthim të situatës para vitit 1999, që do të thoshte administrimi i Kosovës nga Serbia. Kjo përjashtohej nga Grupi i Kontaktit. Ishte thjesht e pamundshme të ktheheshim në autonominë e viteve ’90, pas gjithë atyre që ndodhën, pas shtypjes, pas vrasjeve,pas ushtrisë. Ishte e pamundur. Dhe duke marrë parasysh situatën në Kosovës, gjithçka nën pavarësi do të ishte e papranueshme për 90% të popullatës së Kosovës. Këtë nuk e kemi menduar kurrë.

A ka pasur tensione në bisedime? A kujtoni njerëzit të kenë bërtitur ndaj njëri-tjetrit?

Ndërmjet delegacioneve ka pasur. Kur e kemi nisur, në takimin e parë që e kam drejtuar i kam lënë të flasin. Nuk është se po bërtisnin. Nuk kishte të bëjë me zhurmën, por me domethënien e fjalëve. Ishte fjalor agresiv nga të dyja palët. Dhe, kolegët e mi nuk ndiheshin rehat dhe më thoshin t’i ndërpres. Ju thashë: Jo, jo nuk ka nevojë. Lërini të nxjerrin mllefin, le ta akuzojnë njëri-tjetrin çkado që duan. Ky ishte sesioni i mëngjesit që e kishim për tri orë. Në mbrëmje pastaj thashë jo. E keni kaluar këtë fazë, keni thënë çfarë keni pasur dhe tani duhet të tregohemi konstruktivë dhe të organizojmë punën tonë. Kam parë më keq gjatë kohës sime në New York.

A kujtoni ndonjë nga secili delegacion të ketë qenë më agresiv, më i zhurmshëm, që ka folur më shumë?

Jo, jo. Delegacioni serb, ata ishin shumë profesionalë, ua ka harruar emrat. Ishin të ekipit teknik. Ishin shumë profesionalë, flisnin shumë mirë anglisht. Dhe, ata nuk bërtisnin. Ky nuk ishte stili i tyre?

Kosovarët bërtisnin?

Jo, jo.

Zoti Haziri më kujtohet që ishte pjesë e delegacionit?

Po, ai e udhëhoqi delegacionin shumicën e kohës. Nuk kishte problem me të bërtiturat. Më kujtohet njëherë kur delegacioni serb erdhi dhe më tha se do të diskutonim për kishat, dhe kemi gjithë këta peshkopë. Më thanë të jem i kujdesshëm kur të nisë të flasë Peshkopi Artemije, sepse kurrë nuk e dimë se çfarë do të thotë. U thashë se nëse e kërkon fjalën më duhet t’ia japë, sepse është pjesë e delegacionit dhe ju vendosni kush flet. Ai foli, por ishte mjaft i arsyeshëm. Gjithmonë ka qenë diskutim civilizues. I kishim drekat joformale në pauza dhe bëheshin bashkë delegacionet. Atmosfera ishte civilizuese.

A tregonte ndokush ndonjë shaka?

Jo.

Ishte kaq serioze?

Nuk ishte çështje për shaka.

Ishte serioze.

Ku ishit kur u shpall pavarësia?

Isha këtu në Vjenë..Kur e prezantoi propozimin e tij, Martti Ahtisaari dhe shkuam në New York dhe lobuam me secilin shtet anëtar të Këshillit të Sigurimit. I kaluam dy javë në New York, folëm me të gjithë dhe ishte e sigurt se Kina dhe Rusia do të vinin veto dhe Afrika e Jugut dhe Indonezia do të votonin kundër. Por, 11 vota do të ishin në favor. Na duheshin 9 për të kaluar Rezolutën nëse nuk do të kishte veto. E pamë që Kina dhe Rusia nuk do të ndërronin mendje dhe u larguam. Më pas, Rusia tha se negociata përfunduan shumë shpejt dhe duhet më shumë kohë. Dhe, Martti Ahtisaari tha se është e padobishme, nuk ka asnjë lëvizje që të pritet. Tha që mund të ketë bisedime edhe dy vjet, por asgjë nuk do të ndryshonte. Pastaj erdhi ideja për një përpjekje të fundit, por Ahtisaari tha në rregull, por nuk duhet të jemi ne, por dikush tjetër që është i lidhur me çështjen. Dhe, pastaj erdhi Trojka me Ischingerin, me një rus dhe një amerikan. Ata shkuan në Beograd dhe atje u bë propozimi për Traktatin Gjermano-gjerman. Pastaj, edhe ata erdhën në përfundimin e njëjtë si ne, që është e padobishme dhe hoqën dorë. Pastaj, në shkurt 2007 ne e prezantuam planin tonë. Shkuam fillimisht në Beograd ku u takuam me Presidentin Koshtunica, dhe pastaj shkuam në Prishtinë ku e takuam Ekipin e Unitetit.

A ishte e vështirë të fliste me Koshtunicën dhe t’i jepet ai propozim?

Ai e dinte?

Po, e dinte, edhe pse ajo çfarë ndodh në rrethana ndërkombëtare është se teksti i saktë asnjëherë nuk ka dalë në publik para kohe. Ishim aq të kujdesshëm, saqë në zyrë kur po punonim në të, në fund të ditës secili duhej të dorëzonte kopjet e veta, që i mbyllnim, dhe askush mund ta merrte me vete. Pastaj, secili individ që merrte ndonjë kopje merrte një numër, që ne të dinim nëse do ta nxirrte në publik për mediat. Kur erdhëm në Prishtinë dhe i dorëzuam këto kopje, të gjithë nisën ta shikonin propozimin, sepse nuk ishin të sigurt çfarë saktësisht kishim propozuar. Unë u kisha dhënë disa premtime për përmbajtjen dhe e shikonin nëse i kisha mbajtur. Ishte një rast i rrallë kur nuk doli në publik.

Ju konsideroheni mik i Kosovës dhe vini shpesh atje. A ndiheni krenar me punën tuaj për Kosovën?

Po. Bisedoj shpesh me Ahtisaarin për këtë dhe themi që jemi të kënaqur. Nuk jemi të kënaqur me atë se si gjërat u zhvilluan më pas, por jemi të kënaqur me faktin që ofruam zgjidhje për problemin e Kosovës që ishte i pazgjidhshëm. Zgjidhja nuk është pranuar nga të gjithë, por do të njihet. Mendoj se ky ishte mandati ynë dhe obligimi ynë dhe këtë e bëmë më së miri që mundem dhe ne kemi menduar që duke ndihmuar Kosovën, e ndihmojmë edhe Serbinë ta heqë këtë barrë, por nuk ndodhi kështu.

Cila është dëshira juaj për popullin e Kosovës në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë?

Nuk dua të tregohem mendjemadh për të dhënë shumë këshilla për miqtë e mi në Kosovë, por vetëm do të përsëris atë që kam thënë në 10 vjetët e fundit. Në kohën e bisedimeve për statusin e Kosovës, të gjitha forcat politike të Kosovës janë bërë bashkë rreth një qëllimi që ishte pavarësia e Kosovës. Ekipi i Unitetit ka punuar shumë mirë për popullin e Kosovës dhe më vjen shumë keq që ky shpirti i qëllimit të përbashkët u zhduk pas pavarësisë dhe që kanë shumë kohë e energji harxhohet për politikë të brendshme, për garë politike që është legjitime në demokraci, por që merr shumë hapësirë në krahasim me problemet reale që ekzistojnë. Nëse një shtet ka kaq shumë sfida e probleme, disa prej të cilave vijnë edhe nga jashtë, por që duhet tejkaluar, atëherë më e mira është bashkimi i të gjitha forcave politike, bashkimi i gjithë energjisë për të provuar që së bashku të kalohen problemet. Do të ketë kohë për më shumë garë politike në të ardhmen. Më kujtohet në Austri pas luftës, kur kishim okupim, kishim ekonomi të shkatërruar dhe të gjithë u bashkuan në një qëllim të përbashkët për të luftuar okupimin dhe për të tejkaluar sfidat, komunistët konservativë dhe të gjithë të tjerët punuan bashkë dhe kjo ishte e mirë. Dëshiroj që të ketë më shumë uniteti dhe fokus më të madh në problemet e vërteta të Kosovës.