Kosova, lë pas vetem Bosnje-Hercegovinën, për pagën më të ulët minimale në Evropë
Qeveria e Kosovës mori vendim gjatë një mbledhjeje, të mërkurën, ta rrisë pagën minimale në vend në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.
Por, me vendimin e ri të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, shkalla e re e pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për orar të plotë.Paga e re minimale do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat, sipas Kurtit dhe ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati.
“Ky veprim është veçse edhe një hap tjetër në kuadër të masave të shumta që kemi ndërmarrë si Qeveri për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve”, tha Kurti.
Ndërkaq, Murati tha se vendimi për rritjen e pagës minimale do të hyjë në fuqi më 1 tetor.
“Do të sigurohemi që ligji dhe vendimi për rritjen e pagës minimale do të zbatohet”, deklaroi Murati.Vendimi i ri për pagën minimale i jep fund edhe diskriminimit të punëtorëve në bazë të moshës.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro. Me ngritjen në 350 euro, Kosova lë pas vetes Federatën e Bosnje e Hercegovinës me pagën më të ulët minimale në Evropë me rreth 318 euro.
Pagat minimale në EvropëNë kontinentin evropian, qytetarët e Federatës së Bosnje e Hercegovinës marrin pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale.
Paga minimale e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti.