Kosova kërkon fitoren e parë në kualifikime, sonte përballet me Andorrën në “Fadil Vokrri”
Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvilloj ndeshjen e dytë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, Euro 2024.
Dardanët e kanë nisur me barazim këtë kampanjë kualifikuese pasi kanë marrë barazim ndaj Izraelit në ndeshjen e parë në udhëtim.
E sot të besuarit e Alain Giresse do të përballen me Andorrën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45.
Vetëm fitorja vlen në këtë duel, pasi dihet që Andorra është kundërshtari më i lehtë në letër në Grupin I dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë gabimi në këtë sfidë.
Kjo është hera e parë që dy ekipet përfaqësuese takohen mes vete pasi kurrë më parë nuk ishin përballur as në kualifikime e as në ndeshje miqësore.
Dardanët po kërkojnë të shkruajnë historinë pasi synimi mbetet i qartë kualifikimi në ‘Euro 2024’, derisa Andorra si në çdo ndeshje futet për të tentuar befasinë e madhe.
Alain Giresse ka të gjithë futbollistët në dispozicion për këtë duel, derisa te mysafirët mungesa e vetme është ajo e Marc Rebes që u ndeshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Rumanisë.