Kosova i dhuron libra diasporës
Tre ministra – ai i Diasporës, Valon Murati, i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, e i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami –dhe drejtori i bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku të mërkurën e kanë prezantuar publikisht këtë nismë. Kjo është bërë nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare e Ministrisë së Diasporës.
“Projekti apo ky memorandum që sot u nënshkrua midis Bibliotekës Kombëtare e Ministrisë së Diasporës është i rëndësishëm për fuqizimin e misionit që ne kemi edhe si Ministri, edhe si Qeveri për ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës sonë”, ka thënë ministri i Diasporës, Valon Murati. Sipas tij, thelb i këtij projekti është krijimi i një fondi të librave brenda Bibliotekës Kombëtare, që do të jetë fondi për diasporën e që do të krijohet në bashkëpunim edhe me ministritë e tjera.
“Duke identifikuar nevojën e diasporës sonë, do të dërgojmë libra qofshin për departamentet e gjuhës shqipe në universitete, qoftë edhe nëpër shkolla shqipe, a qendra tona kulturore, qoftë në bibliotekat e qyteteve ku jeton diaspora shqiptare, për shkak të rritjes së kërkesës edhe nga këto institucione për të pasur tituj shqip”, ka thënë Murati (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).