Kosova bëri marren më të madhe në historinë e vet si shtet

Getoar Mjeku Letra

Shkruan: Getoar MJEKU

Republika e Kosovës dje e bani marren ma të madhe në historinë e vet si shtet: ia dorzoi gjashtë refugjatë — pesë arsimtarë e nji mjek — nji shteti që simbas të gjitha gjasave po i përndjek pa të drejtë dhe don me i burgosë pa faj.

Por dëbimi i të përndjekunve sot ka nji varg të këqijash. Me i njehë:

(1) E shkel të drejtën ndërkombtare. Nji shtet nuk guxon me i kthy refugjatët në vendin prej kah kanë ikë, as me e çu shtetasin e huej në nji shtet ku ka frigë të mirëbazueme se ka me u përndjekë. Shteti mund t’i mbajë mbyllë të huejt që i vlerson si të rrezikshëm, por jo t’i përzejë a t’i kthejë në shtetin ku i pret padrejtësia.

(2) I ndrys kushtetutën dhe ligjet tona, që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe i përcaktojnë procedurat për me i përligjë shtetasit e huej dhe me i ndjekë shkelësit e ligjit. Institucionet kosovare i arrestunë pa shkas dhe nuk u dhanë kohë gjashtë «gylenistave» me mbrojtë të drejtën e tyne me qëndru në vendin tonë. Nuk pyetën fare nëse Turqia do t’ua garantojë të drejtat e liritë themelore të njeriut. Pa aktakuzë për vepër penale dhe pa procedurë ekstradimi, gati i dorzunë te nji shtet i huej.

(3) E ban Dardaninë shtet policor, shtet të shpiunazhit, dhe vasal të nji shteti të huej. Institucionet tona nuk i dorzunë gjashtë të përndjekunit simbas ligjit, që cek se në ç’kushte dhe me kërkesën e kujt mund t’ekstradohen njerzit. Kosova sot veproi me urdhnin e hafijeve të sulltanit — shërbimit të msheftë të diktatorit turk Recep Tayyip Erdoğan, për të cilin organizatat hulumtuese ndërkombtare thonë se po e shkatrron demokracinë, po i shkel të drejtat e njeriut, dhe po i përndjek kundërshtarët politikë.

(4) E përbalt besën e ndoren e shqiptarit. Kur i kemi pranu në vendin tonë, ne ua kemi dhanë besën gjashtë shtetasit turq se do t’ua mbrojmë lirinë dhe do t’i trajtojmë si të barabartë e me denjësi. Dhe prej se diktatori Erdoğan ka nisë me ua përndjekë kolegët shkaku i shoqnimit dhe bindjeve politike, arsimtarët kanë ndejtë në Dardani sepse këtu kanë gjetë ndore. Ndorja asht mbrojtja që doket shqiptare ia japin atij që e ka jetën në rrezik.

(5) E fyn popullin tonë. Regjimi i Erdoğanit e sheh veten si rigjallnim i Perandorisë Osmane, e cila për pesë shekuj ka shtypë dhe ka lanë në terr popullin tonë. Nëse ka nji fushë në të cilën Ankaraja nuk ish dashtë me u përzi në trojet shqiptare, asht pikërisht arsimi. Dikur osmanët i kanë ndalu shkollat e librat shqip. Sot Turqia neoosmane na urdhnon me ia dorzu arsimtarët dhe me i mbyllë shkollat që nuk i ka nën kontroll.

(6) Na turpnon para botës. Dardania asht shtet i pamvarun pse populli ynë nuk pranon me jetu nën nji pushtues që na i ka shkelë aq mizorisht të drejtat e njeriut. Shteti ynë asht vepër e drejtësisë ndërkombtare. Kurse na sot i shkelim të drejtat e njeriut dhe e cenojmë rendin dhe të drejtën ndërkombtare.

Ky turp nuk duhet me u harru, as me kalu leht. Shoqnia jonë, në mos institucionet tona, duhet me i gjetë njerzit përgjegjës dhe me ua dhanë ndëshkimin e merituem. Nëse nuk e ngrejmë sot zanin për gjashtë turq, nesër kemi me i vajtu 600 a 6 mijë shqiptarë.

Getoar Mjeku është avokat në Teksas.

Shpërndaje në: