Korrupsioni është komunizmi i ri

Korrupsioni është komunizmi i ri

Tanket sovjetike u futën në Budapest (1956) dhe Pragë (1968). Bankat ruse hapën llogari të fshehta offshore dhe krijuan kompani të dyshimta shell që blejnë influencë në heshtje dhe gllabërojnë asete strategjike në gjithë Europën. Kuislingët në Lindje dhe bashkudhëtarët e tyre në Perëndim avancojnë kufirin leninist. Lobet industriale dhe të biznesit, në Lindje dhe Perëndim, përsëritin si papagall gjërat që pëlqen Putini. Një rrjet partish komuniste dhe grupesh të bashkuara avancojnë interesat e Moskës. Një rrjet korporatash opake të bashkuara, marrëveshjesh të dyshimta për energjinë, skema të ndërlikuara për pastrimin e parave fusin në kurth elitat e huaja dhe formojnë një lob të gatshëm për Kremlinin. E shkuara takon të tashmen. Në shumë drejtime, korrupsioni rus është komunizmi sovjetik i ri. Ryshfeti i sponsorizuar nga Kremlini është rreziku i kuq i ri. Në Lindje, një aleancë e shteteve satelite me ekonomi socialiste të komanduara në stilin sovjetik dhe sisteme politike autoritariste është zëvendësuar me një grup kleptokracish me ekonomi kapitaliste të stilit rus dhe qeverisje jo funksionale. Dhe përpjekjet e Bashkimit Sovjetik të nënshtruar perëndimin me fuqinë e një ideje ia ka lënë vendin Rusisë së Vladimir Putinit që kërkon ta korruptojë atë duke e joshur me paratë e fituara badihava. Sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten po të njëjtat. “Kremlini nuk ka nevojë të jetë lider i një grupi shtetesh sipas modelit të Paktit të Varshavës; ai mund t’i mahisë ndarjet ekzistuese, mund të nënshtrojë institucionet ndërkombëtare dhe të ndihmojë në krijimin e një bote ku lulëzon forma e autoritarizmit të tij të korruptuar,” shkruan Peter Pomerantsev dhe Michael Weiss një raport të lexuar gjerësisht, The Menace of Unreality: How the Kremlin Weaponizes Information, Culture, and Money (Rreziku i realitetit të rremë: Si i ktheu Kremlini në armë informacionin, kulturën dhe paratë).

Kapja e elitave

Bashkimi Sovjetik synoi të përhapte komunizmin dhe të ndërtonte një bllok shtetesh besnike ndaj Moskës. Rusia e Putinit kërkon të përhapë modelin e biznesit të korruptuar të saj të ndërtojë një bllok shtetesh të varur nga Kremlini. Bashkimi Sovjetik ishte i preokupuar me fqinjët e tij më të afërt, Europën Lindore, por u përpoq gjithashtu ta përhapte modelin e tij socialist më tej. Edhe Rusia e Putinit është e preokupuar me fqinjët e saj të afërt, me ish-BRSS, por gjithashtu synon ta përhapë më tej kleptokracinë. Ai përdori skema energjie të dyshimta me struktura pronësie të padepërtueshme si RosUkrEnergo, EuralTransGas, dhe Moldovagaz si karotë për të kapur dhe kontrolluar elitat në shtetet ish-sovjetike si Ukraina, Bjellorusia, dhe Moldavia. Më tej në Perëndim, Kremlini ka vendosur kompani shell si Vemex, një kompani tregtare në fushën e energjisë me një strukturë pronësie të padepërtueshme që çon te Gazprom, e cila ka kapur 10-12 për qind të tregut çek të energjisë. Kremlini e ka zotëruar mjeshtërisht artin e marrëveshjeve të korruptuara për të krijuar marrëdhënie klientësh të varur goxha larg nga kufijtë e Rusisë. “Gazpromi, me mbështetjen e heshtur të Kremlinit ka krijuar rreth 50 kompani ndërmjetëse, të lidhura në heshtje me Gazpromin dhe të përhapura në Europë,” tha në një dëshmi para Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e SHBA, i ndjeri Roman Kupchinsky, ish-drejtor i shërbimit ukrainas të RFE/RL, në qershor 2008. Kupchinsky përmendi grupin Centrex me qendër në Vjenë, me pronar një kompani hollding të vendosur në Qipro dhe RN Privatstiftung në Austri, si dhe rrjetin Gazprom Germania. Fronte të tilla, shtoi ai, “nuk e rrisin vlerën e çmimit të gazit rus që shitet në tregjet evropiane; megjithatë fitojnë shuma të mëdha parash që zhduken në kompani shell  në Qipro dhe Lichtenstein.” Kupchinsky i tha komitetit se “në Hungari, kompani të dyshimta me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar dhe Gazpromin kërkojnë të kontrollojnë segmente të shpërndarjes së gazit.”

“Kjo është historia e pushtimit tonë”

Gjithashtu ka prova që Putini rekrutoi disa nga anëtarët e rrjetit të tij të dikurshëm të shërbimit të fshehtë në Stazin e Gjermanisë Lindore për të krijuar kompani në gjithë Europën. Në shtator 2007, një raport investigativ i një gazetari gjerman, Hans-Martin Tillack, zbuloi sesi Gazprom Germania ishte “një lloj klubi për ish-anëtarët e shërbimit informativ të Gjermanisë Lindore.” “Kjo është historia e një pushtimi. Një fushatë masive, e planifikuar më herët. Stafi kryesor është vendosur larg në lindje, në Moskë, në kryeqytetin e Rusisë. Objektivi është Gjermania – dhe pjesa tjetër e Europës,” shkroi Tillack. “Por historia e pushtimit është e mbushur me ish-oficerë të Stazit dhe figura të dyshimta. Është historia e kompanive matrioshka, kompani të lindura brenda kompanive. Përshtypja mbizotëruese? Ato fshehin rrjedhën e fondeve.” Por është një pushtim në të cilin elitat perëndimore janë pjesëmarrëse, me dashje ose pa dashje. “Pranimi i korrupsionit rus, me para të pista që pastrohen rregullisht në gjithë Perëndimin, punon në favor të Kremlinit në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar,” shkruan Pomerantsev dhe Weiss. Nëse premisa e idesë neoliberale për globalizimin është që paraja është politikisht neutrale, komunizmi, pavarësisht të metave të tij, u përpoq të përhapte ideale dhe aspirata njerëzore universale. Por në praktikë veproi kundër natyrës njerëzore. Korrupsioni tërheq instinktin më bazik dhe universal njerëzor – babëzinë. Dhe për fat të keq, është shpesh në harmoni me natyrën njerëzore – gjë që e bën Rrezikun e Kuq të tij potencialisht më të rrezikshëm dhe të dëmshëm sesa të vjetrin. Korrupsioni nuk është më çështje e qeverisjes së mirë. Tashmë ai është çështje e sigurisë kombëtare dhe duhet trajtuar si i tillë.

The Interpreter

 

Shpërndaje në: