Koronavirusi po vret më shumë burrat, por gratë po vuajnë këto pasoja shkatërruese
COVID-19 sipas studimeve është më vdekjeprurës për burrat. Por në shumë mënyra të tjera, gratë po mbajnë barrën e kësaj pandemie.
Masat e bllokimit të vendosura për të ndaluar shpërthimin e koronavirusit po dëmtojnë gratë dhe të drejtat e tyre themelore shumë më tepër sesa burrat. Epidemitë e mëparshme si Ebola dhe Zika kanë rezultuar si pengesa të mëdha për gratë dhe vajzat. Ekspertët dhe aktivistët po paralajmërojnë se e njëjta gjë po ndodh globalisht edhe tani.
Një analizë e CNN në fillim të këtij viti, zbuloi se burrat ishin 50% më të predispozuar se gratë të vdisnin pasi u diagnostikuan me Covid-19.
“Burrat kanë rezultate më të rënda shëndetësore nëse infektohen, por kur mendojmë për ndikimet dytësore, shohim që gratë po preken në mënyrë disproporcionale,” është shprehur Julia Smith, një studiuese në Universitetin Simon Fraser në Kanada.
Pandemia është duke përkeqësuar problemet që gratë ishin përballur edhe para fillimit të saj.
“Këto kriza rëndojnë pabarazitë strukturore ekzistuese në shoqëri – kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, shëndetin e grave dhe statusin ekonomik të grave, kjo është saktësisht ajo që ne po shohim tani”, tha Kristina Lunz, një përfaqësuese e grave.
Ndërsa virusi filloi të përhapet në mbarë botën, shumë qeveri befas njoftuan bllokime të rrepta, duke mbyllur shumicën e qytetarëve në shtëpitë e tyre. Ndërsa kjo ndihmoi në ngadalësimin e shpërthimit, autoritetet në një numër vendesh, regjistruan një pasojë shqetësuese: shtimin e dhunës në familje.
Studime të shumta kanë treguar që ngjarjet stresuese si rënia ekonomike ose katastrofat natyrore shpesh çojnë në rritjen e rasteve të dhunës me bazë gjinore.